Klimë e tensionuar lufte në Bosnje

Pas referendumit në Republikën Srpska, situata në Bosnje-Hercegovinë (B-H) mbetet e tensionuar. Nga qarqet boshnjake dëgjohen tani kërkesa për një mbledhje (Sabor) të përbashkët të të gjithë boshnjakëve, si kundërpërgjigje ndaj krizës më të madhe në këtë vend që nga koha e luftës.
“Sabori mbarboshnjak është i nevojshëm, por mendoj se duhet të harmonizohet me bashkësinë ndërkombëtare. Së pari, duhet të shohim nëse bashkësia ndërkombëtare do ta ndalë politikën e Millorad Dodikut”, pohon Suad Kurtqehajiç, profesor i sistemit politik në B-H. Sipas tij, Sabori duhet të thirret nëse bashkësia ndërkombëtare nuk i del përpara kërkesave të Dodikut.
Ndryshe, Dodiku do të mendonte se të gjithë janë dakord me idetë e tij, që një entitet në Bosnje-Hercegovinë të krijojë shtetin e vet dhe që të shkatërrojë shtetin. “Ndërkohë që boshnjakët mund të përjetojnë fatin e palestinezëve”.

SDA nuk e përjashton idenë e Saborit
Partia më e fuqishme bosnjake, Partia e Aksionit Demokratik (SDA), nuk e përjashton mundësinë e një takimi të të gjithë boshnjakëve. Përfaqësuesit e saj, për “DW” thonë se një takim i tillë mund të thirret varësisht nga situata dhe nevoja. “Por duhet kuptuar që B-H është një shtet i krijuar sipas standardeve ndërkombëtare”, thonë ata. Sabori i tillë i parë është mbajtur në shtator të vitit 1993. Asokohe u desh të vendosej nëse do të pranohet plani Owen-Stoltenberg, me të cilin B-H ndahej në tri minishtete.
“Politika boshnjake nuk ka ndonjë strategji të qartë”, mendon Suad Kurtqehajiç. Nga Evropa duhet të kërkohet që Dodikun ta largojë nga politika dhe që shteti të funksionojë si duhet, sepse populli serb nuk është i cenuar në asnjë segment. Kurtqehajiç mendon se politikanët duhet të bashkohen me elitën boshnjake, sepse askush nuk mund t’i di të gjitha gjërat.

Mentaliteti i shërbëtorit
Përveç mungesës së komunikimit dhe lidhjeve mes politikës dhe inteligjencës boshnjake, një problem tjetër është edhe mendësia e shërbëtorit, që në B-H ka mbetur që nga koha e osmanëve. “Ky mentalitet është zhvilluar për një periudhë të gjatë. Ndaj kur një serb thotë diçka, boshnjakët e pranojnë, pavarësisht se cilat do të jenë pasojat”, mendon ai. Por shumëkush mendon se një takim i tillë do të ishte i dëmshëm për boshnjakët, sepse nuk dihet se si do të pranohej nga faktorët e tjerë.

Artikulli paraprakSanksionet e Obamës godasin Korenë e Veriut përmes Kinës
Artikulli tjetërS’ka paqe mes SHBA dhe Rusisë