PS del kundër SPAK, refuzon kërkesën e Dumanit për prokurorët

Pak javë më parë, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, kërkoi në raportimin para Këshillit të Lartë të Prokurorisë dy ndryshime të rëndësishme për
mirëfunksionimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion: Mundësinë e rimandatimit të prokurorëvë aktualë të SPAK-ut dhe garanci për vendin e punës, pas mbarimit të mandatit.

Por vetëm kërkesa e dytë ka gjasa të miratohet nga parlamenti. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, që drejton një grup pune me opozitën për ndryshimet e disa ligjeve të drjetësisë, sipas kërkesave të vetë institucioneve të drejtësisë, konfirmoi për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH, se po pret opinionin e partnerëve për draftin e parë që u është nisur që prej shtatorit të kaluar.

“Kërkesa për përsëritjen e mandatit të prokurorëve nuk është pjesë e diskutimeve. Çështja që është pjesë e tyre dhe ka një lloj dakordësie, ka të bëjë me paqartësinë në ligjin organik të SPAK-ut se çfarë ndodh me prokurorët e SPAK-ut, pasi mbarojnë mandatin e tyre.

Si rregull duhet të kthehen ku ishin, por me krijimin e hartës së re gjyqësore apo me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kjo do të duhet të qartësohet.
Sugjerimi është që për vendet e suprimuara, të prokurorive të mëparshme, prokurorët e SPAK-ut të emërohen në Apele ose në Prokurorinë e
Përgjithshme. Ne po presim mendimin e ekspertëve të BE dhe SHBA”- tha kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka në një intervistë me gazetaren Elona Meço për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.

Pyetjes, nëse kërkesa për përsëritjen e mandatit të prokurorëve të SPAK-ut, do të pranohej, duke qenë se ka edhe disa amendamente nga grupimi i Lulzim Bashës, zonja Bushka iu përgjigj qartazi dhe negativisht.

Sipas saj, ka një parim që duhet ruajtur në të tilla raste. “Mandati i prokurorëve të SPAK-ut është i parashikuar në Kushtetutë. Në ndryshimet ligjore që po punon grupi i punës, ndryshimet kushtetuese nuk janë në objektin e punës. Rekomandohet që Kushtetuta të mos ndryshojë pa mbaruar në tërësi procesi i vetingut.” u shpreh Klotilda Bushka për RTSH. Ajo shtoi se ndoshta që javën e ardhshme, priten përgjigjet e ekspërtëve europianë dhe amerikanë. Qëllimi është që ndryshimet të miratohen me konsensus deri në korrik, kur përfundon dhe sesioni parlamentar.

Artikulli paraprak“Makbethët” e politikës
Artikulli tjetërBeteja për Shkupin mes Washingtonit dhe Kremlinit!