De Bur: Nuk e merituam humbjen!

“Nuk e meritonim të humbnim këtë ndeshje. Në pjesën e parë bëmë shumë gabime, veçanërisht duke mos llogaritur shpejtësinë e Salahut, i cili na vuri gjithmonë në vështirësi. Ndërsa në pjesën e dytë ishim ne ata që e kontrolluam totalisht ndeshjen dhe rezultati 2-1 ishte shkak i një faulli idiot nga ana jonë”.
Frank De Bur e analizon kështu duelin e djeshëm me Romën, ndonëse trajneri holandez i Interit pranon se ky grup është ende një kantier i hapur, i cili nuk po arrin që të dalë në lojën e tij, të gjejë një ekuilibër gjatë 90 minutave.
“Skuadra luan me fraksione. Shpeshherë humbim shumë topa të kotë, të lehtë për t’u menaxhuar, si në pjesën e parë për shembull, por nëse më pyesni mua për pjesën e dytë, atëherë e ritheksoj se në fushë kishte vetëm një skuadër dhe ata ishim ne, Interi. Për këtë arsye, më vjen keq që të dalim nga kjo transfertë pa të paktën një pikë, vazhdon 46-vjeçari.
Ku gabojmë ende? Sidomos në ndërtim. Kujtoj dy-tri raste, kombinime të gabuara mes Ikardit dhe Zhoao Marios, në fraksionin e dytë të ndeshjes, të cilat i dhanë mundësinë Salahut që të nisej në kundërsulm dhe të rrezikonim keq që të pësonim. Pikërisht këto situata duhet të shmangim, sepse sidomos në takimet si ndaj Romës, e cila është një skuadër e madhe, nëse gabon, atëherë do ta pësosh keq.
Nëse gabon, bëhet shumë e vështirë që të fitosh, për të mos thënë që për të disatën herë vuajtëm të parët disavantazhin. Pësojmë thuajse gjithmonë gol të parët dhe të tentosh të rikuperosh gjithmonë ndeshjen bëhet e lodhshme, demoralizohesh. Në fund të takimit, pikërisht këtë u thashë edhe lojtarëve të mi: “Kur të ndryshojmë të gjitha këto aspekte, vetëm atëherë do të nisim të fitojmë”.
Në pjesën e fundit të takimit, pasi Roma rigjeti sërish avantazhin, De Bur vendosi që të hidhte në fushë Stevan Jovetiçin, ndërkohë që ndoshta shumë tifozë prisnin debutimin e sulmuesit “Gabigol”, por mbi këtë zgjedhje, trajneri holandez shpjegon:
“Gabriel nuk është ende mirë fizikisht, nuk ka akoma forcën për të përballuar ritme të tilla. Ndërsa Jovetiç është stërvitur mirë këtë javë. Unë, kur një lojtar më jep sinjale pozitive, nuk ngurroj që ta hedh në fushë, por i jap një mundësi që të tregojë vlerat e tij dhe të tentojë ta ndihmojë skuadrën. Por fatkeqësisht, kundër Romës nuk na mjaftoi asnjë prej zëvendësimeve”.

Artikulli paraprakBerisha në superformë
Artikulli tjetërSanksionet e Obamës godasin Korenë e Veriut përmes Kinës