Sajme, mos i çaj kryet, plako….; fundja, ti nuk ishe vetëm!

Namir Lapardhaja

Nuk ishe vetëm Sajme, sepse ti ishe investimi më i madh i Kryeministrit të vendit tënd. Investim i drejtpërdrejtë i tij. Kush të mban mend në fillimet e ecejakes politike, i kujtohen daljet e tua me çantë serioze prej intelektuali në çdo studio televizive dhe në selinë e PS-së. Ishe i ri dhe i panjohur për kërkënd në atë kohë, mirëpo besimi që shefi yt të dha e justifikoi vetveten.
Dihet si funksionojnë punët në këtë Shqipërinë tonë, Sajme, kështu që ti nuk mund të bëje asgjë pa bekimin e Shefit të mazhorancës, Shefit tënd dhe të partisë tënde.
Ai të mbrojti deri në fund, pavarësisht akuzave të opozitës ose nga radhët e brenda policisë, për lidhjet e tua me botën e errët dhe të jashtëligjshme, ndaj as ai nuk mund të linte ty, e as ti atë.
Pavarësisht se sot ti, Sajme, ndjehesh i prerë në besë, duhet të jesh krenar, sepse ti nuk ishe vetëm dhe nuk veprove asgjë pa lejen dhe miratimin e Shefit tënd politik.
Ti nuk ishe vetëm as në radhët e institucionit tënd, Sajme, sepse nga ti varej drejtpërdrejt drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e prej tij drejtorët e policisë së qarqeve, shefat e komisariateve, shefat e njësive të antidrogës etj.
Ishte një mekanizëm i tërë, Sajme, që ndërtuat së bashku, ndërkohë që goditët një zonë periferike si Lazarati, nga ana tjetër, ju, të gjithë bashkë, e lazaratizuat të gjithë Shqipërinë, nga Jugu në Veri, duke e shndërruar vendin tonë në eksportuesin më të madh të drogës në të gjithë Evropën (sipas raporteve ndërkombëtare).
Edhe kjo është arritje, Sajme, ndaj ji krenar edhe për këtë, por mos harro se edhe në këtë ndërmarrje kaq të madhe dhe me kaq rëndësi strategjike për Shqipërinë ti nuk ishe vetëm.
As në aksionin kundër lojërave të fatit ti nuk ishe vetëm. Ju e ndërrmorët në fillimin e mandatit tuaj qeverisës, mirëpo, ndërkohë që lojërat e fatit mbylleshin në të gjithë Shqipërinë, ashtu siç u fol në atë kohë, një miku juaj i ngushtë, ish-pronari më i madh i këtij biznesi në Tiranë, u vra në një atentat tipik mafioz.
Ti nuk ishe vetëm as në atë aksion Sajme, ndaj ji krenar, sepse, ndërkohë që disa lojëra fati mbylleshin, të tjera, edhe më të mëdha, hapeshin dhe lulëzuan në atë kohë.
Gjaku nuk mund të bëhet ujë, Sajme, pavarësisht se ç’thotë opozita dhe të tjerët, ndaj ji krenar edhe për kushërinjtë e tu, të cilët lëviznin me makinën tënde shtetërore dhe transportonin drogë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit.
Ji krenar, sepse ato 30 mijë euro që ata kërkonin për ty, sipas mediave italiane, fundja ishin thjesht një tregues i vogël i mirënjohjes së tyre dhe i asaj që gjaku nuk mund të bëhet ujë.
Sajme, ti nuk ishe vetëm, plako, sepse ti kishe mbështetjen më të madhe të Partisë Socialiste, kishe kolegë që të mbronin dhe ishin avokatët e tu më të mëdhenj publik, pavarësisht se ndonjë bibë e sotme, nxjerr inatet e së kaluarës dhe hakmerret ndaj ndonjë konkurrence të dikurshme.
Ti as nuk ishe e as nuk je vetëm, Sajme, ke pasur e ke mbështetjen më të madhe të medias. Ato kurrë nuk të lanë vetëm atëherë, duke të ndjekur nga pas, e kur nuk mund të lënë vetëm edhe sot, ku të ftojnë nga njëra studio në tjetrën, në emisione serioze e sarkastike, për të rregulluar e rehabilituar figurën tënde, ndofta të cenuar nga mos vendosja sërish ministër.
Mos i çaj kryet, plako, se në këtë vendin tonë, çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Shefi yt do ta rregullojë edhe këtë sikletin tënd të tanishëm. Ai nuk mund të braktisë e të thyejë në besë në këtë farë feje. Fundja, ti nuk ishe vetëm e nuk punove asnjë ditë vetëm.
Ti ishe me të, me kolegë të Policisë së Shtetit, me kolegë e miq të Partisë Socialiste, me familjar, miq e të afërm.
Të gjithë ishin me ty dhe ti ishe me ta, ndaj mos i çaj kryet, plako….; fundja, ti nuk ishe vetëm!

Artikulli paraprakOpozita në sfidën e përballjes me pushtetin e krimit
Artikulli tjetërTë paktën të mos e fyejmë Diasporën!