Rritje anormale e shpërthimeve të pneumonisë tek fëmijët në Kinë, OBSH ngre alarmin. Një tjetër pandemi në horizont?

Rritja e pneumonisë tek fëmijët dhe sëmundjeve të frymëmarrjes në Kinë shqetëson OBSH-në. Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka dërguar një kërkesë zyrtare autoriteteve shëndetësore në Pekin për informacion të detajuar mbi rritjen anormale të rasteve.

Ka një tjetër alarm për sëmundjet e frymëmarrjes në Kinë! Katër vjet pas shpërthimit të pandemisë Covid, një rritje anormale e pneumonisë mes fëmijëve, ka çuar në shumë shtrime në spitale, veçanërisht në metropolet e mëdha. Alarmi i nisur nga ProMed, një sistem survejimi i aksesueshëm për publikun që monitoron epidemitë e sëmundjeve të njerëzve dhe kafshëve në të gjithë botën, alarmoi gjithashtu edhe OBSH, e cila ka paraqitur një kërkesë zyrtare për sqarim në Pekin.

Alarmi për një shpërthim të ri të sëmundjeve të ngjashme me gripin u ndez në Kinë qysh në mes të tetorit. Në një konferencë shtypi të mbajtur më 13 nëntor 2023, autoritetet kineze nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë konfirmuan një rritje të incidencës së sëmundjeve të frymëmarrjes në Kinë krahasuar me të njëjtën periudhë të tre viteve të mëparshme.

Megjithatë, Pekini ishte i prirur të nënvizonte se një pjesë e madhe e këtyre shpërthimeve ishin edhe për shkak të heqjes së kufizimeve për Covid-19 dhe qarkullimit të patogjenëve tashmë të njohur si gripi, mycoplasma pneumoniae (një infeksion i zakonshëm bakterial që zakonisht prek fëmijët më të vegjël), virusi sincicial i frymëmarrjes (RSV) dhe SARS-CoV-2.

Megjithatë, në fund të muajit, ProMED raportoi disa shpërthime të pneumonisë së paspecifikuar te fëmijët në Kinë, veçanërisht në Kinën veriore me shumë shtrime në spitale. Edhe epidemiologu Eric Feigl-Ding, i cili e ka ndjekur shumë pandeminë, ngriti alarmin në rrjetet sociale me disa postime dhe video të fëmijëve.

Sipas OBSH-së, është e paqartë nëse këto raste lidhen me rritjen e përgjithshme të infeksioneve të frymëmarrjes të raportuara më parë nga autoritetet kineze apo me ngjarje të veçanta. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar informacione të mëtejshme epidemiologjike dhe klinike nga qeveria kineze, si dhe rezultatet laboratorike të këtyre shpërthimeve të pneumonisë të raportuara tek fëmijët, nëpërmjet mekanizmit të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit./

Artikulli paraprakIlir Ikonomi çon Fan Nolin në Prishtinë
Artikulli tjetërShqipëria, e 9-ta në botë për çmimin më të lartë të naftës