Rënia e elitave nga Brexit tek Trump

Douglas Murray

Dy eventet e mëdha zgjedhore të vitit 2016 – Brexit dhe fitorja e Donald Trump në garën presidenciale amerikane – ishin dukshëm të ngjashme që nga momenti që Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Kjo ditë historike e muajit qershor ishte një shenjë se edhe votuesit amerikanë mund të zgjidhnin, kur t’u jepej mundësia, të jepnin goditjen më të madhe të kohëve të fundit elitës drejtuese, për shumë arsye. Njëlloj si Komisioni Europian që shihej si simbol i elitizmit, u bë shënjestra e publikut britanik, ashtu u bë edhe kandidatja demokrate, Hillary Clinton për publikun amerikan në ditën e zgjedhjeve.
Dy revolucionet e mëdha politike janë të ngjashme pasi shoqëritë që e kanë mundësuar përbëhen nga shtresa e njerëzve që i kanë humbur perspektivat e punës nga largmi i industrisë dhe biznesit jashtë vendit, njerëz për të cilin globalizimi ishte një problem, jo mundësi. Ndoshta ngjashmëria më e madhe, të paktën në periudhën afatgjatë do të jetë që të dy eventet ngrenë mundësinë e krijimit të një hibridi të ri të majtë e të djathtë në politikën e brendshme, një forcë politike që do të riparojë vite të tëra politike të shkujdesit të emigracionit dhe ekonomisë.
Forca politike duhet të jetë e ndërgjegjshme për dështimet e ekonomisë së tregut të lirë, duke favorizuar format proteksioniste kundrejt atyre ndërkombëtare në politikën tregtare. Më tej duhet të injorojë gjithashtu edhe disa doktrina të vjetra kufizuese të së majtës dhe të djathtës gjatë viteve të fundit, duke kuptuar edhe frikën legjitime të konkurrencës ekonomike nga jashtë vendit dhe shqetësimet sociale që mund të sjellë emigracioni.
Çdo adaptim që mund t’i bëhet këtij realiteti nga rrymat aktuale politike nuk do të jetë i lehtë. Si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Mbretërinë e Madhe, politikanët tradicionalë të së majtës dhe të djathtës e kanë pasur të vështirë t’i flasin bazës së tyre elektorale drejtpërdrejtë. Kjo rezultoi veçanërisht e vështirë për Hillary Clintonin për të arritur deri tek votuesit e majtë në Miçigan, ashtu siç ndodhi për ish-Kryeministrin britanik, David Cameron, i cili kërkonte të tërhiqte bazën e tij elektorale të djathtë në Sunderland në Mbretërinë e Bashkuar. Të dy u penalizuan nga agravimi i jashtëzakonshëm i këtyre shqetësimeve popullore dhe të dy nuk arritën të ndërgjegjësoheshin për potencialin e vërtetë të frikës që ishte përhapur.
Ndërkohë, Clinton dhe Cameroni nuk arritën të adresonin as të metat brenda vetë partisë së tyre politike apo të shfrytëzonin dështimet e partive të kundërshtarëve të tyre. Të dy dhanë përgjigje të pakënaqshme e të pamjaftueshme duke rritur dyshimet se sistemet ekonomike të vendeve të tyre respektive favorizonin pakicën dhe penalizonin shumicën.
Ata nuk arritën as të ndërgjegjësoheshin për faktin se votuesit nuk i ishin drejtuar të majtës me shifra të mëdha. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, pasi e majta e ka lënë pas dore shqetësimin e publikut rreth identitetit kombëtar dhe emigracionit dhe preferon të japë leksione se përse publiku bën gabim që ndihet në atë mënyrë.
Social liberalët kanë kaluar vite të tëra duke kritikuar dhe dhënë udhëzime për konservatorët pa dëgjuar se çfarë ka për të thënë pala tjetër. Rrallë herë kanë marrë në konsideratë mundësinë se publiku nuk kishte nevojë të korrigjohej, sepse publiku nuk e kishte detyrimisht gabim. Të kuptosh ekzistencën e njerëzve që “janë lënë pas dore” nuk do të thotë se je në të vërtetë duke bërë diçka për t’i ndihmuar ata. Të gjesh punë për ta mund të jetë e vështirë, por t’i akuzosh për racizëm dhe fanatizma të tjera është si të hedhësh kripë në plagët e tyre.
Është e vërtetë që Donald Trump ka përdorur gjuhë të egër kundër minoriteteve dhe grave, por liberalët nuk duhet të kishin ndjekur strategjinë e sulmit kundër mbështetësve të tij duke i portretizuar ata si racistë, misogjinistë dhe fashistë homofobë. Mbështetja për kontrollin e kufijve dhe të vlerave konservatore nuk duhet t’i vendosë dikujt automatikisht etiketën e dhunës. Përgjigjja korrekte do të kishte qenë kuptimi i legjitimitetit të këtyre shqetësimeve që buronin nga tregtia e lirë dhe emigracioni. Përgjigjja e gabuar ishte fyerja e tyre, strategjia që u ndoq nga Clintoni kur tha se mbështetësit e Trumpit i përkisnin “shportës së të mjerëve”.
Gjatë fjalimeve të saj, Clinton fliste për rëndësinë e “tolerancës” në politikë. Është e vërtetë se fushata e Trumpit ka shfaqur një nivel të lartë intolerance kundrejt qëndrimeve të kundërta, por nuk ishte i vetmi, po kështu, kushdo që ka votuar për t’u larguar nga Bashkimi Evropian në Mbretërinë e Bashkuar është portretizuar si racist, por kjo përpjekje për ta mbyllur debatin rezultoi vetëm një përpjekje e dështuar nga pala tjetër që kërkonin të qëndronin brenda BE-së. Në fund të fundit, fushata pro Brexit u distancua pjesërisht nga retorika e pastër antiemigracion, edhe pse kjo ishte arsyeja kryesore përse votuesit iu drejtuan kutive të votimit. Fushata u përqendrua në një vizion ideal dhe optimist të Mbretërisë së Bashkuar si një aktore globale, por e çliruar nga prangat dhe kufizmet e Brukselit.
Në një situatë të tillë, do të ishte e gabuar të fajësohej publiku që zgjodhi mënyrën më drastike për të sinjalizuar pakënaqësinë e tij masive. A do të kishte pasur publiku shans për t’u dëgjuar nëse Hillary Clinton do të fitonte? Jo. Publiku e kuptoi se kandidatja ishte e ndërgjegjshme për shqetësimet e tyre, por kur të ngjitej në pushtet do të bënte shumë pak për t’i adresuar ato.
Të votonin për një kandidat të tillë nuk do të ishte mënyra më e mirë për të bërë që mesazhi i publikut të dëgjohej i lartë dhe i qartë, njëlloj si vota për kundër Brexit nuk do të shprehte shqetësimet e mëdha të votuesve britanikë në korridoret e Brukselit. Kur duket se asgjë dhe askush nuk arrin të depërtojë në elitën drejtuese, shtypja e butonit të emergjencës kthehet në mundësinë e vetme për t’u dëgjuar dhe dy goditjet e para janë dëgjuar mirë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakLlogaritë e reja të Europës me Trump
Artikulli tjetërMesazh për bashkëatdhetarët në samitin e Diasporës