Llogaritë e reja të Europës me Trump

Paul Hockenos

Mesazhi i urimit të kancelares gjermane, Angela Merkel për presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ishte ndryshe nga ato të homologëve të tjerë evropianë. Ajo nuk shprehu as gëzim, as hidhërim: “Gjermania dhe Amerika janë të lidhur nga vlerat e tyre”, i kujtoi ajo presidentit të ri amerikan, “demokracia, liria dhe respekti për ligjin dhe dinjitetin e qenieve njerëzore, pavarësisht prejardhjes së tyre, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, orientimit seksual apo bindjeve politike”.
“Në bazë të këtyre vlerave, unë i ofroj presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, një bashkëpunim të ngushtë”, vazhdoi ajo. Mesazhi u interpretua menjëherë nga komentatorët si një paralajmërim nga ana e Merkelit – një shenjë se liderja gjermane ishte duke e “qortuar” presidentin e ri për sjellje të keqe gjatë fushatës. Por ky ishte një interpretim i gabuar. Burimet e brendshme të qeverisë gjermane thonë se Merkel nuk ka aspak ndërmend të sfidojë Trumpin apo të shërbejë si një model morali. Kjo do të ishte në fakt një mendjelehtësi e pafalshme, duke pasur parasysh karakterin e matur të kancelares gjermane.
Në të kundërt, Merkel ka ndërmend të ofrojë bashkëpunim duke shtruar parametrat në të cilin do të zhvillohet ky bashkëpunim. Mbajtja e marrëdhënieve të mira me Gjermaninë – rrjedhimisht me të gjithë Evropën – sinjalizoi ajo, do të kërkojë edhe ruajtjen e principeve dhe vlerave bazë të Perëndimit.
Nëse mesazhi i fshehur i urimit ju duket familjar, është sepse Shtetet e Bashkuara i kanë lëshuar këto lloj mesazhesh për liderët e paparashikueshëm, por me të cilët shpreson gjithsesi të mbajnë marrëdhënie të mira dhe të frytshme – në atë kohë kur ishte zemra e padiskutueshme e komunitetit të vendeve dhe vlerave të njohura si “aleanca atlantike”. Fjalët e kancelares gjermane nënvijëzojnë faktin se, evropianët janë shumë të interesuar për të pasur bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara në Atlantikun Verior dhe përtej tij, për aq kohë sa bashkëpunimi të ketë një formë familjare. Deklarata e Merkelit, me pak fjalë, nuk ishte një qortin, por një ofertë e pastër.
Që pas fitores së Donald Trumpit, evropianët, veçanërisht gjermanët, kanë filluar ta shikojnë botën me sy të tjerë – tepër të papërgatitur për fitoren e Trumpit – dhe janë tërësisht të befasuar nga ato që po shikojnë. Burimet e brendshme politike si shumë të tjerë nëpër botë nuk ia kanë idenë se çfarë duhet të presin nga administrata Trump dhe janë duke u përgatitur për më të keqen.
Diplomatët e lartë të Berlinit thonë se nuk i njohin këshilltarët e politikës së jashtme të Trumpit – diçka e paprecedent në politikë. “Me zgjedhjen e Trumpit, gjermanët po qëndrojnë përballë një vrime të zezë”, tha Stefan Braun i gazetës së përditshme “Süddeutsche Zeitung”. “Bota mund të ndryshojë për Gjermaninë ndoshta më shumë se pas rënies së murit të Berlinit”. Një tjetër komentator e quajti madje “fundin e Perëndimit”. Berthold Kohler, deklaroi: “Nëse Trumpi ndjek politikën e jashtme që ka premtuar gjatë fushatës, atëherë Aleanca e stresuar e Atlantikut dhe sistemi i strukturës gjeopolitike ndodhen përballë një revolucioni”.
Fakti më i sigurt tani për tani është që Gjermania – rrjedhimisht edhe Merkel – do të shihet si fronti kryesor i çështjeve ndërkombëtare për llogari të Evropës, si promovuesja kryesore e normave, vlerave dhe institucioneve që mbajnë në këmbë aleancën që ka qenë themeli i rendit botëror përgjatë shtatë dekadave të fundit. Me fjalë të tjera, Merkel sinjalizoi se e kupton faktin që Shtetet e Bashkuara tani kanë mundësi të tjera në dorë, por Gjermania është përsëri e zotuar të mbrojë vlerat që Amerika ia ka mësuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Aleanca Atlantike, e formuar në prag të Luftës së Dytë Botërore si një kundërpeshë ndaj ekspansionit sovjetik, me Shtetet e Bashkuara në qendër dhe vendet evropiane si Gjermania Perëndimore, ka formuar botën gjatë shtatë dekadave të fundit. Aleanca është bazuar në interesat e përbashkëta, si tregtia e lirë dhe strukturat kolektive të sigurisë, përfshirë veçanërisht NATO-n. Por bazohet gjithashtu në zotimin e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta si të drejtat e njeriut, demokracia, rregulli i ligjit dhe pluralizmi. Aleanca i ka promovuar këto në të gjithë botën, si me pushtet të butë, ashtu edhe me pushtet të fortë.
Gjermania nuk është liderja e re e botës së lirë dhe është shumë herët të thuhet se Shtetet e Bashkuara do t’i kthejnë shpinën, por Evropa gjithashtu ndjen se ndodhet përballë mundësisë që presidenti Trump të mbajë premtimet e tij elektorale për t’u tërhequr nga politika globale, si pjesë e strategjisë neoizolacioniste dhe të tërhiqet nga NATO, themeli i aleancës.
Evropa është aktualisht një rajon që përballet me kriza, përfshirë veprimet agresive të vendeve autoritare si Rusia, ashpërsinë ndërmjet vendeve anëtare të BE-së, dobësimin e qeverisë franceze dhe Brexit në Britaninë e Madhe. Berlini papritur e gjeti veten në krye të komandës, për vetë arsyen e thjeshtë sepse nuk ka askush tjetër që të marrë timonin në dorë.
Shumë evropianë e kishin kuptuar prej shumë kohësh që ambiciet e pasluftës të Aleancës Atlantike ishin tkurrur pas Luftës së Ftohtë. Gjatë dy mandateve të presidentit George W. Bush, marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë u ftohën pak për shkak të kundërshtimit të luftës në Irak. Nën drejtimin e presidentit Obama, rëndësia e aleancës u reduktua akoma më shumë pasi presidenti e bëri të qartë se prioritetet e tij nuk ndodheshin në Evropë, por në Azi dhe në pjesë të tjera të botës.
Por pavarësisht kësaj, kontinenti formuloi një Plan B. Bashkimi Evropian, që aspiron të kenë politika të përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë, është përpjekur, por pas sukses që të prodhojnë diçka koherente dhe efektive. Përçarjet akoma më të mëdha të Evropës dhe deficiti i bashkimit nuk e lejoi të integrohet më shumë në çështjet ndërkombëtare, përveç çështjes së tregtisë dhe sot perspektiva duket akoma më e keqe.
Po kështu, vendet evropiane nuk i kanë rritur shpenzimet e tyre për të përmbushur shumat e kërkuara nga NATO, pavarësisht shprehjes së vazhdueshme të pakënaqësisë nga ana e Shteteve të Bashkuara. Gjatë fushatës së tij, Trump ka thënë vazhdimisht se mbështetja e NATO-s nga ana e Shteteve të Bashkuara do të varet nga aftësia e vendeve të tjera për të përmbushur secili detyrimet e veta. Kjo është rikthyer në tavolinën e bisedimeve të Gjermanisë dhe me shumë gjasa do të ndodhë në të gjitha vendet evropiane, edhe pse kjo mund të shkaktojë pakënaqësi politike në shumë vende. Gjermania nga ana e saj ka premtur se këtë vit do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes, edhe pse nuk është përcaktuar asnjë shifër e saktë.
Zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara i kanë ndryshuar shumë llogaritë politike për Evropën. Pjesërisht për shkak të historisë, Gjermania dhe Merkeli nuk do të jetë kurrë e aftë të përmbushë rolin e luajtur nga Shtetet e Bashkuara në aleancë, pra të jetë superfuqia ushtarake që ofron çadrën bërthamore nën të cilën strehohen vendet e tjera. Por mund të jetë e aftë të shtyjë Evropën si një e tërë që të jetë më e pavarur për çështjet e sigurisë.
“Kjo mund të jetë si një orë zgjimi. Evropianët duhet të zgjohen nga gjumi dhe të rriten shpejt”, thotë Michael Bröning, specialist i politikës së jashtme tek “Friedrich Ebert Stiftung”, një firmë gjermane këshillimi politik. “Duke nxjerrë Britaninë e Madhe jashtë strukturës, integrimi mund të rimarrë përsëri rëndësi të madhe”.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, tha se zgjedhja e Trumpit ofron një “stimul të rëndësishëm” për të përmirësuar kapacitetin ushtarak të Bashkimit Evropian dhe për të forcuar strukturat”. “Mbrojtja e demokracisë liberale”, tha ajo, “është prioriteti ynë kryesor”. Kjo do të thotë se Bashkimi Evropian ka më shumë përgjegjësi në çështjet politike dhe të jashtme.
Presidenti i Komisionit Evropian e ka ngritur edhe një herë mundësinë e ushtrisë së Bashkimit Evropian, një ide që është sugjeruar periodikisht, por është rrëzuar menjëherë në të shkuarën dhe tani mund të rihapet përsëri. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan të dielën e kaluar në Bruksel për të biseduar lidhur me ndryshimet që mund të sjellë presidenca e Donald Trumpit, në një darkë speciale të organizuar nga Gjermania.
Tani që forcat liberale kanë fituar terren gjithandej, përfshirë edhe në Bashkimin Evropian në vende si Polonia e Hungaria, Berlini mund të luajë një rol për të vendosur tonin përcaktues të mbrojtjes së vlerave të aleancës. Në shumë mënyra, Merkel është kundërpesha e Trumpit, tha Bröning. “Për sa i përket temperamentit, ajo është e qetë, racionale dhe e kontrolluar. Ajo është fizikante me profesion dhe rrallë herë i shfaq emocionet. Nga ana tjetër, Merkel ka një qëndrim të fortë moral në politikë, siç shihet në çështje si ndryshimi i klimës, emigracioni, kufijtë dhe integrimi evropian. Rrënja sipas qëndrimit të saj është bindja e fortë dhe morale”, tha ai.
Sipas Alan Posener, i “Die Welt”, fjalët e urimit të Merkelit në fakt i drejtoheshin më shumë evropianëve, se sa vetë presidentit Trump. “Ajo do t’i thoshte atyre: Mos i braktisni vlerat tona”. Posener argumenton se Merkeli dhe pjesa tjetër e Evropës duhet të mësojnë tani t’i zgjidhin vetë problemet e tyre dhe të mësojnë të negociojnë me një president amerikan, i cili mendon si një biznesmen: “Do të duhet t’i ofrojnë diçka që të përfitojnë diçka prej tij. Evropianët do të duhet të përmbushin detyrimet e tyre që Trump të ruajë aleancën e NATO-s”.
Merkel ka dashur të nënvijëzojë zgjedhjen që presidenti i ri do të duhet të bëjë dhe se distancimi nga statuskuoja e Aleancës së Atlantikut Verior do të ketë implikime të mëdha. Gjermania nuk ka qenë prej kohësh vëllai i vogël i Shteteve të Bashkuara, që pas bashkimit në vitin 1990. Megjithatë është varur nga Washingtoni dhe në garancitë e sigurisë që ai ofronte duke mos dashur të marrë vetë vendime të vështira për sigurinë dhe për rolin që mban në botë. “Vendimi i Brexit dhe zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara kanë hapur një rrugë të re për Evropën”, tha Von der Leyen, ministrja gjermane e Mbrojtjes. Merkel dhe vendet e tjera evropiane do të përpiqen të kuptojnë se nga duhet të shkojnë tani.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakRreziku i vërtetë i inteligjencës artificiale
Artikulli tjetërRënia e elitave nga Brexit tek Trump