Qytetarët shpenzojnë më shumë sesa që fitojnë

Bazuar në statistikat zyrtare, qytetarët e Kosovës më shumë shpenzojnë sesa fitojnë. Pagat, sipas këtyre të dhënave, atyre nuk u sigurojnë që të mbulojnë shpenzimet e nevojshme për një jetë normale. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2016, tregojnë se konsumi për ekonomi familjare gjatë vitit të kaluar, ka qenë 7.539 euro, kurse për kokë banori 1460 euro. Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë shpenzuar për ushqim dhe banim. Kurse shporta mujore e një qytetari në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, llogaritet të jetë 115 euro. Në anën tjetër, paga mesatare në sektorin publik është 400 euro në muaj apo 4800 euro në vit, kurse në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro, rrjedhimisht 4188 euro në vit. Ky trend, me dekada është duke përcjellë shoqërinë e Kosovës, ku më tepër kanë shpenzime sesa të ardhura, thonë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit. Agim Shahini, nga Aleanca kosovare e Biznesit, e konsideron shqetësuese këtë fakt, por edhe kërkesë për përmirësim të ambientit ekonomik në Kosovë. “Ne jetojmë në Kosovë me një standard të ulët, kurse importojmë produkte me standarde të larta dhe këto standarde të larta janë kryesisht nga importi i Bashkimit Evropian. Në Kosovë nuk ka më shumë se 10 për qind të qytetarëve që kanë standard të mesëm dhe të lartë. Dhe, kjo tregon se na nevojitet ndryshim i politikave ekonomike”, thotë Shahini. Mospërputhja e madhe në mes vlerës së konsumit të ekonomive familjare dhe pagës mesatare në vend, mbulohet nga remitancat dhe ekonomia joformale, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Në raportin e ASK-së, po ashtu thuhet se rrogat nga sektori privat dhe publik kanë qenë burimi më i rëndësishëm i të hyrave në Kosovë për rreth 50 për qind të ekonomive familjare. Kurse burime të tjera të rëndësishme janë pensionet, bizneset e ekonomive familjare dhe remitencat, ku 8 për qind e qytetarëve në Kosovë, këto të hyra i kanë burim kryesor. Ndryshe, në raport thuhet se pak më shumë se gjysma e ekonomive familjare në Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë deklaruar se nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një shpenzim të papritur prej 500 eurosh përmes burimeve vetjake, shkruan REL. Kurse, 70 për qind të ekonomive familjare nuk kanë qenë në gjendje të përballojnë një pushim vjetor njëjavor.

Artikulli paraprakPutin: Sanksione për të mbajtur prapa Rusinë
Artikulli tjetërBiznesi kërkon uljen e taksave