Biznesi kërkon uljen e taksave

Forumi i Sipërmarrjes shqiptare, pas konsultimeve të vazhdueshme me të gjitha organizatat e biznesit, ka hartuar një platformë ekonomike, e cila iu adresohet të gjitha forcave politike dhe ku përfaqësohen interesat e sipërmarrjes private në Shqipëri.
Në respektim të plotë të rolit dhe peshës që ka sipërmarrja private në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe të detyrimit për ta përfaqësuar atë denjësisht në marrëdhëniet me forcat politike dhe qeverisjen, Forumi i Sipërmarrjes shqiptare (Dhomat e Tregtisë dhe Shoqata e Sipërmarrjes Private), pas konsultimit të gjerë e të vazhdueshëm me të gjithë organizatat e biznesit, ka hartuar një platformë ekonomike, që përfaqëson interesat e sipërmarrjes private në Shqipëri. Këtë platformë jua adresojnë të gjitha forcave politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 qershorit, në mënyrë që ta reflektojnë në programet e tyre ekonomike, gjatë fushatës elektorale.
Platforma ekonomike, e propozuar nga Forumi i Sipërmarrjes shqiptare, ka si synim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të biznesit, që mbështetet në identifikimin dhe analizën e kapaciteteve, potencialeve dhe burimeve që ofron vendi ynë.
Hartimi i një strategjie të zhvillimit ekonomik të vendit për një periudhë 10-15-vjeçare, në konsultim të ngushtë me sipërmarrjen, bazuar në kapacitetet, potencialet dhe burimet që ofron vendi ynë. Kjo strategji, në përputhje me strategjinë e integrimit europian të Shqipërisë, të jetë objekt i një diskutimi të gjerë me grupet e interesit dhe të miratohet me konsensus të gjerë politik në Kuvendin e Shqipërisë. Ky dokument strategjik afatgjatë duhet të pasqyrojë në brendësi linjat kryesore të zhvillimit të sipërmarrjes shqiptare, shtyllat ku do të bazohet, si dhe mekanizmin afatgjatë të implementimit të tij. Ky propozim vjen si një nevojë e domosdoshme që sipërmarrja ka për të qartësuar planet e saj për investimet afatgjata, por edhe si një reflektim mbi vlerësimet më të fundit të Bashkimit Europian ndaj zhvillimit të sipërmarrjes në tërësi në Shqipëri, pasi konstaton se në sektorin e industrisë dhe prodhimit janë kryer vetëm disa studime fizibiliteti, pa një objektiv të qartë se si do të zhvillohen e harmonizohen sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Gjithashtu strategjia duhet të orientojë sipërmarrjen private me prioritetet e zhvillimit sektorial e rajonal. Ky model duhet të jetë në linjë me programin e Kombeve të Bashkuara që po aplikohet në mbarë botën në lidhje me “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ku edhe Shqipëria është bërë pjesë.
Rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare është jetësore për sipërmarrjen private në mënyrë që të konkurrojë me sukses në tregun rajonal, evropian dhe atë global. Është e nevojshme të identifikohen sektorët më prioritarë, për të cilët duhen përgatitur menjëherë një sërë paketash lehtësuese me karakter ligjor, procedural, tatimor dhe tarifor, si:
– Përmirësimi i kuadrit ligjor dhe garantimi i sigurisë ligjore, nëpërmjet përmirësimit të procesit të hartimit, konsultimit, miratimit dhe implementimit të legjislacionit që prek drejtpërdrejt dhe tërthorazi sipërmarrjen shqiptare, duke mbajtur në konsideratë direktivat e BE, por edhe rekomandimet që vijnë nga organizatat që përfaqësojnë sipërmarrjen, sipas sektorëve të ndryshëm.
– Përmirësimi i kuadrit rregullator procedural, nëpërmjet identifikimit të të gjithë listës së procedurave që prekin drejtpërdrejt aktivitetin e sipërmarrjes dhe fillimin e reformës për thjeshtëzimin e tyre, me qëllim uljen e afateve kohore në aplikimin e tyre dhe tarifave, të cilat e bëjnë prodhimin vendas jo konkurrues në rajon dhe më gjerë.
– Përmirësimin e klimës së investimeve dhe të bërit biznes, nëpërmjet intensifikimit të komunikimit dhe konsultimit publik, duke garantuar një bashkëpunim dhe partneritet të vazhdueshëm e afatgjatë me organizatat e biznesit, gjatë procesve të hartimit të strategjive, prioriteteve dhe politikave publike në dobi të tyre.
– Hartimin e politikave fiskale dhe përmirësimit të sistemit tatimor dhe atij doganor, për krijimin e paketave fiskale konkurruese të qëndrueshme, që mbështesin produktet shqiptare dhe sektorët prioritarë të ekonomisë.
Ky përmirësim duhet të kryhet nëpërmjet:
– krijimit të një sistemi taksimi në një kuotë të pranueshme të dakordësuar me sipërmarrjen;
– uljes së moderuar e nivelit të TVSH dhe përshkallëzimin në zbritje për disa sektorë specifikë dhe barazimin e TVSH-së së ushqimeve me ato të nivelit evropian;
– futjes së TVSH-së në të gjithë nivelet e biznesit të vogël;
– heqjes përfundimisht e fashave të llogaritjes së taksimit për sipërmarrjen pa referencë xhiron vjetore;
– heqjes së disa taksave dhe tatimeve të panevojshme të mbetura në sistem pa asnjë vlerë për buxhetin e shtetit, por duke krijuar vështirësi për sipërmarrjen;
– rikategorizimit të llojeve të sipërmarrjes (sipas ligjit për shoqëritë tregtare), duke shtuar kategori të reja dhe bërë lehtësime fiskale sipas kategorive;
– përmirësimit të sistemit të rimbursimit të TVSH dhe akcizës;
– kalkulimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë e vendosur mbi çmimin e shitjes, në çmimin e kostos për industrinë e ndërtimit.

Artikulli paraprakQytetarët shpenzojnë më shumë sesa që fitojnë
Artikulli tjetërI gjithë rajoni na e kalon në rritjen e mirëqenies