Putin: Sanksione për të mbajtur prapa Rusinë

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se nuk ka arsye për sanksione të reja kundër Moskës, të cilat po i shqyrton Kongresi amerikan.
Putin tha se qëllim i këtyre sanksioneve është të mbahet Rusia prapa.
“Historia e Rusisë tregon se ne kemi jetuar nën sanksione të huaja që nga momenti kur Rusia ka nisur të rritet dhe të ndjehet e fuqishme. Sa herë që partnerët tanë ndërkombëtarë shohin se Rusia bëhet konkurruese serioze, ndërmerren disa lloj kufizimesh, me justifikime të ndryshme”, tha Putin.
Ai foli për këtë çështje në sesionin e përvitshëm pyetje-përgjigje me qytetarët rusë, i cili transmetohet në televizionin shtetëror.
Komentet vijnë një ditë pasi ligjvënësit amerikanë kanë votuar për vazhdimin e sanksioneve ekonomike kundër Rusisë, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë dhe për vendosjen e sanksioneve të reja, në përgjigje të ndërhyrjes së dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
Putin po ashtu tha se Rusia ka dalë nga një recesion i gjatë dhe se ekonomia po rritet.
Putin e shfrytëzon sesionin e pyetje-përgjigjeve për të ndrequr imazhin e tij, për të dërguar sinjale jashtë vendit dhe për të dhënë shenja për planet e ardhshme.

Artikulli paraprakPërpjekja e dëshpëruar për hetimet ndaj Trump
Artikulli tjetërQytetarët shpenzojnë më shumë sesa që fitojnë