Rrëzimi i qeverisë, protesta në gjithë vendin

Kryetari i PD, Basha e cilësoi si mision popullor largimin e qeverisë Rama, ndërsa paralajmëroi se protesta do të shtrihet në mbarë vendin derisa kushti për krijimin e qeverisë teknike që do të sigurojë zgjedhjet e lira do të plotësohet. Në bashkëbisedimin e tij me qytetarët protestues në sheshin e lirisë, Basha tha se qëndresa e qytetarëve duhet të vazhdojë për të shpëtuar të vetmin institucion që mund të mbajë Shqipërinë në këmbë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Dy rrugë ka: ose do të pranojmë të shkatërrojmë, ta lëmë të bjerë edhe ky institucion, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ose së bashku të qëndrojmë këtu derisa të largojmë qeverinë, derisa të largojmë burimin e problemit dhe së bashku të japim zgjidhjen që meritojnë shqiptarët”. Pasi falënderoi folësit gazetarë për mbështetjen ndaj kauzës së qytetarëve dhe forcën për të ngritur zërin kundër censurimit qeveritar, kryedemokrati Basha foli edhe për detyra. “Falënderoj sot gazetarët, operatorët dhe punëtorët e medias, të cilat në kushte të jashtëzakonshme presioni psikologjik, politik, personal dhe ekonomik, po mundohen përsëri t’i tregojnë Shqipërisë dhe botës fytyrën e vërtetë të protestës tonë qytetare dhe vendosmërisë tonë për fitore. Sot nuk ka detyrë më të madhe sesa këtë protestë ta shtrijmë anembanë Shqipërisë”. Basha e quajti kauzën e mbështetur tashmë prej katër ditësh pa ndërprerje nga qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, si më të madhe se të gjithë ne, sepse është kauza e së ardhmes. “Jemi këtu dhe do të jemi këtu çdo ditë e më shumë, çdo ditë e më të vendosur deri në realizimin e plotë, jo të pjesshëm, por të plotë të kushtit tonë: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, largimin e këtij kryeministri dhe një qeveri teknike që garanton votën e lirë të qytetarëve shqiptarë”. Kreu i PD renditi edhe disa nga arsyet se pse duhet të ikë Rama, ndërsa paralajmëroi prerë se, “asgjë nuk do të jetë si më parë”. “Kjo është një kauzë për Shqipërinë e sotme dhe të ardhme. Do të jemi këtu deri në realizimin e plotë të kushtit tonë që është zgjedhje të lira dhe të ndershme, largimin e Ramës dhe qeveri teknike. Disa prej pakicës që po dridhet nga shumica thonë pse duhet të ikë qeveria? Qeveria duhet të ikë, pasi ka rënë. Të ikë pasi ka rënë ekonomia. Mediat kanë rënë, pasi marrin kërcënime. Kur kjo qeveri ka rrëzuar çdo institucion ne duhet ta rrëzojmë këtë qeveri. Dy rrugë ka, ose të pranojmë të bjerë edhe ky institucion për zgjedhje të lira dhe të ndershme ose të qëndrojmë këtu. Nuk ka detyrë më të madhe se ta shtrijmë protestën anembanë Shqipërisë, asgjë nuk do të jetë më si më parë, derisa zëri i shqiptarëve për zgjedhje të lira të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet. Ky kryeministër i ka dorëzuar çelësat e pasurisë oligarkëve. Në krahun tonë ka njerëz të medias, të cilët janë në krahun tonë dhe nuk kanë pranuar t’i lëpihen Ramës”, tha Basha. Një falënderim kreu i PD ia dha edhe rinisë gjimnaziste që iu bashkua dje tendës së protestës së qytetarëve. “Kur isha gjimnazist 17-vjeçar edhe unë i mora të gjithë shokët dhe shoqet dhe u bashkuam me studentët në Lëvizjen e madhe të Dhjetorit. Për arsyet tona për liri, për demokracinë, për ëndrrën tonë për Shqipëri europiane. Kjo qëndresë është për këta të rinj që sot janë në ballë të protestës. I përshëndes nga zemra dhe i garantoj se nesër do të jenë në ballë të Shqipërisë”. Në vazhdim studentë, maturantë, qytetarë të thjeshtë dhe pensionistë ndanë shqetësimet e tyre dhe pritshmëritë e lëvizjes popullore, qytetare e cila vazhdon pa ndërprerje prej katër ditësh.

Zero negociata për vendimin mbi qeverinë teknike

Zero negociata për të lëvizur nga vendimi për krijimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme deklaroi pasditen e djeshme Basha në një takim me gratë në sheshin e lirisë. Basha tha se Rama duhet t’ja lërë vendin një qeverie teknike, me qëllim që të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme. “Shqiptarët e kanë marrë vendimin dhe ne këtu jemi prova e gjallë që e kanë marrë vendimin. Ne nuk jemi këtu për t’ju lutur askujt, koha po vjen për t’u lutur ata, po bëjnë mirë t’i thërrasin mendjes, që të mos jetë vonë”, tha ai. Duke mos pranuar asnjë negociatë, kreu i PD-së tha se, demokratëve iu duhen plotësuar kushtet, përndryshe populli do të dalë sërish në shesh dhe do të bëhet i pandalshëm, sipas tij. “Negociata zero, t’i thërrasin mendjes, të mos i bëjnë hesapet gabim përndryshe sheshi do të mbushet dy herë më shumë dhe atë valë popullore nuk e ndal më askush”, tha Basha. “Qeveria që do të marrë në dorë dhe do të kujdeset për fatin e çdo qytetari do të jetë qeveria që do të burojë nga zgjedhjet e lira, që do të fitojmë këtu në këtë shesh”, shtoi ai. Duke u shprehur se protesta e nisur të shtunën do të vijojë, Basha tha se: “Jo vetëm unë, por një komb i tërë ju është mirënjohës, që mes sakrificave të shumta që përballeni çdo ditë, t’i bashkoheni kësaj proteste, dhe të kërkoni më të mirën për ju dhe vendin. Kjo protestë që nisi të shtunën, do të përfundojë vetëm me fitoren e popullit shqiptar, vetëm me fitoren e qytetarëve”.

Arben Shahini

Artikulli paraprakGjimnazistët i bashkohen protestës së opozitës
Artikulli tjetërMaskat grabisin një agjenci e transfertë parash në Fushë Krujë