Gjimnazistët i bashkohen protestës së opozitës

Të rinjtë e gjimnazeve të Tiranës i janë bashkuar dje protestës së opozitës, duke braktisur mësimin dhe duke u drejtuar drejt çadrës së ngritur para Kryeministrisë. Paraditen e djeshme, të rinjtë kanë mbërritur në grupe në çadrën ku zhvillohej protesta, ndërsa në duar mbanin pankarta ku shkruhej “unë votoj për herë të parë” dhe “vota është fuqia ime”. Mësohet se në të gjitha gjimnazet e Tiranës kanë qenë të shumtë nxënësit, kryesisht maturantët që kanë braktisur mësimin për t’ju bashkuar protestës, por më e theksuar ka qenë pjesëmarrja nga  gjimnazi “Partizani” dhe “Sandër Prosi”. Në gjimnazin “Partizani”,  rrekjet e drejtoreshës atje për të ndaluar maturantët rezultuan të kota.  Ata nuk hezituan t’i bashkohen protestës duke dhënë një mesazh të qartë se asnjë lloj kërcënimi nuk mund ta ndalojë një gjimnazist, një njeri në vigjilje të jetës të rëndë drejt të ardhmes. Protestës së opozitës sot pritet t’i bashkohen dhe studentët e të gjitha degëve të universitetit, duke e përshpejtuar akoma më shumë përmbysjen e këtij regjimi që po u vret çdo ditë shpresën.

Arsimi i Lartë

Pjesëmarrja e gjimnazistëve, i jep një tjetër dimension protestës së opozitës. Në fakt, të rinjtë e kanë  kuptuar se me qeverinë e Ramës, nuk kanë të ardhme. Së shpejti fillojnë aplikimet për në shkollën e lartë dhe ligji që ka hartuar kjo qeveri u jep pak ose aspak mundësi për të vazhduar studimet më tej. Duket sikur Rama i ka hapur luftë çdo gjëje që jep një fije shprese në këtë vend, dhe ligji për Arsimin e Lartë, i cili favorizonte klinetët e tij në universitetet private, mbyll çdo dritare për ata nxënës që kanë të ardhura të pakta, është një tjetër pengesë për ta për të vazhduar studimet e larta. Nga ana e tij, Rama e ka thënë qartë dhe prerë se jo të gjithë mund të shkojnë në degët e preferuara, duke rritur tinëzisht tarifat për mjekësinë, ekonomikun, juridikun apo degë të tjera të preferuara nga maturantët që mbarojnë gjimnazet. Në vitin e parë të aplikimit të ligjit të ri për Arsimin e Lartë, sistemi i jepte të drejtë vetëm një numri të vogël nxënësish të zgjidhnin degët e preferuara, duke i treguar të tjerëve derën e privatit. Një mënyrë djallëzore përzgjedhjeje, ku u vunë re dhe skandale të tjera siç janë fitimi në disa degë nga ana të rinjve socialistë, e cila ngjalli dhe një revoltë jo të vogël tek ata.

Presioni dhe militantët

Por duket qartë se presioni i militantëve të Ramës të futur në sistemin arsimor është evident. Vetëm pak kohë më parë, një urdhër i drejtorive arsimore kërkonte evidentimin e të gjithë maturantëve që votojnë për herë të parë, duke u munduar t’í joshin që të bëhen pjesë e Rilindjes, ose duke i vënë para alterantivave absurd për dhënie provimesh në këmbim të votës. Një akt kriminal, që i vë të rinjtë nën presion, duke i kërkuar të bëjnë pazar me të ardhmen e tyre. Kjo ishte një tjetër arsye që ata ju bashkuan dje protestës së opozitës, me pretimin se do të jenë aty çdo ditë njësoj, si në vitin 1990-1991, kur gjimnazet e Tiranës lanë shkollat dhe u bashkuan me studentët për të përmbysur regjimin diktatorial dhe shtatoren e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”.  Por gjimnazet e Tiranës janë vetëm fillimi. Eshtë i njohur tashmë presioni nga bandat dhe në gjimnazet e rretheve. Për shembull vetëm një ditë para protestës së PD, bandat e Roshit, kryetari i PS-së Kavajë apo dhe vëllai i tij nëndrejtor në OSSHEE e këtij qyteti, kanë terrorizuar  stafin e  mësuesve të qytetit, por edhe gjimnazistët atje. Shumë shpejt dhe gjimnazistët e këtij qyteti do të jenë pjesë e protestës në Tiranë, për të kundërshtuar kapjen e qytetit të tyre nga bandat e përdhunuesve dhe militantët e selisë mavi.

Basha shpresa e vetme

Duket se shpresa e vetme e të rinjve të këtij vendi mbetet Partia Demokratike. Kjo me sa duket është dhe arsyeja se përse ata e mbështesin fort alternativën e Lulzim Bashës si kryeministër. Dhe nuk ka se si. Në një takim të zhvilluar më datë 9 shkurt të këtij viti, Lulzim Basha do të deklaronte prerë dhe qartë se akti i parë si kryeministër i këtij vendi do ishte anulimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Duke i ftuar në protestën e 18 shkurtit, lideri i opozitës do të shprehej “Më 18 shkurt me fillimin e një lëvizje popullore. 18 shkurti është ditë shprese, besimi dhe bashkimi. Fillimi i një lëvizje të madhe që nis me një vendim të madh që do ta marrim së bashku në Tiranë, për ta çuar nëpër çdo cep të Shqipërisë. Vendimi që përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të diktojmë një qeverisje ndryshe. Një shtet që vepron për rininë. Akti im i parë do të jetë anulimi i ligjit për Arsimin e Lartë. Nuk do të ketë asnjë student që të mbetet pa studiuar se nuk paguan dot. Stazhe pune të paguara për një vit. I garantoj qytetarët se kjo do të jetë lëvizje madhështore, paqësore, demokratike, por e pandalshme derisa të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD do të shkojë e sigurt drejt zgjedhjeve”, tha Basha.

Studentët që mbetën jashtë auditoreve për shkak të korrupsionit të Rama-Nikolla

Partia Demokratike organizoi  një dëgjesë në shkurt të vitit të shkuar me maturantët me rezultate të shkëlqyera, të lënë pa universitet nga Edi Rama. Të rinj me mesatare 10, me rezultate maksimale, sollën përvojën e tyre dhe dramën e madhe që kanë pësuar duke dalë jo fitues prej reformës që ka shkatërruar ëndrrën e tyre. Në këtë bashkëbisedim morën pjesë dhe pedagogë e mësues të gjimnazeve publike. Ja si u shprehën ata që mbetën jashtë auditoreve, e cila është dhe një arsye më shumë për të mbëstetur protestën e opozitës

Sifidea Mako, maturante me mesatare 10.15.
“Unë ndodhem këtu për të denoncuar rastin tim sepse si shumë maturantë të tjerë, unë arrita të mbaroja 3 vitet e shkollës së mesme me një mesatare prej 10.15. Vitin e kaluar isha edhe në mbledhjen e organizuar nga kryeministri me studentët e ekselencës por për fat të keq ndonëse unë arrita atë mesatare, nuk arrita të fitoj asnjë nga degët që kisha hedhur në formular. Dëgjojmë shpesh që në konferenca, kryeministri dhe ministra e Arsimit po thonë që kanë fituar në raundin e parë më të mirët. Jo për egoizëm por po e them që me një mesatare prej 10.15, edhe unë do të doja të isha një ndër më të mirët por për fat të keq unë nuk rezultoj e tillë. Në seancat që mbajnë po përpiqen të na thonë se në raundin e dytë do të kemi shanse më të mira por atë që ne kuptojmë është se ky raund nuk do funksionojë. Ashtu si tani, edhe në raundin e dytë ne do mbetemi pa shkollë, do mbetemi në rrugë ndonëse me mesataren që kemi duhet të ishim në auditorët e shkollës. Për fat të keq, ky sistem nuk po na e mundëson këtë. Unë e them këtë sepse edhe për disa degë që i vura në formular që rezultonin me pak pikë në krahasim me pikët që unë do grumbulloja, isha 1 mijë pikë më tepër në to, dhe nuk fitova asnjërën për fat të keq. Kështu si po shkon, unë e di se qindra e mijëra të tjerë si unë në rrethet e Shqipërisë do mbeten pa shkollë ndonëse duhet të ishim tek ato studentë që duhet të regjistrohenin në universitete. I bëj thirrje Ministres së Arsimit dhe Kryeministrit që të shikojnë rastin tonë sepse edhe ne duhet të jemi aty ku e meritojmë, dhe jo ashtu sic ju thoni që është meritë-preferencë sepse në fakt nuk është e tillë. Unë mendoj se këtu është vetëm burokraci dhe jo meritokraci”, tha Sifidea Mako.

Anjeza Ujkaj, maturante nga Lezha me mesatare 9.91.
“Mesatarja ime është 9.91 dhe unë synova drejt Politeknikut në degët e inxhinierisë, arkitekturës dhe urbanistikës. Me këtë mesatare unë nuk arrita të kap asnjë nga degët ndonëse kam marrë fletë lavdërimi për rezultatet e mia të larta, përsëri nuk u zgjodha. Ka shumë të tjerë që janë zgjedhur para meje me mesatare shumë më të ulët se unë dhe që lëndë me zgjedhje kishin disa të tjera që nuk vlerësohen nga politekniku sic janë qytetaria, ekonomia e shumë të tjerë. Unë për vete kisha matematikën dhe fizikën advancë dhe këto lëndë i zgjodha në vit të tretë me arsye që do arrija më shumë. Lëndë me zgjedhje kisha vizatim teknik dhe anglishten sepse unë gjuhë e parë kisha italisht. Ndonëse isha kaq afër kritereve unë mbeta pa shkollë”, tha Anjeza.

Marjela Ndreu maturante me mesatare 9.6,  Gjimnazi Eqrem Çabej në Tiranë.
“Unë jam zgjedhur edhe kryetare e Senatit të shkollës time dhe sot nuk përfaqësoj vetëm veten time edhe shkollën time. Unë mbarova gjimnazin me një mesatare që për kohën nuk quhet ekselente, pra me 9.6. Synova disa degë të politeknikut dhe shkencave të natyrës. Kam kapur një degë që e hodha thjeshtë për të plotësuar formularin. Kur ishim në shkollë dhe kërkonim informacion si nga drejtuesit e shkollës tonë apo nga drejtoria arsimore, na thuhej vetëm që nuk dimë asnjë gjë por mos harroni të hidhni edhe privatin. Pra theksohej që ne duhej të hidhnim privatin. Ashtu si shumë nga moshatarët e mi kam ndjekur shumë kurse që të arrija rezultate sa më të larta dhe të mos kisha problem. Shumë prej moshatarëve të mi shijonin pushimet unë isha aty duke studiuar analizë matematike dhe sot ja ku jam që nuk kam arritur aty ku doja dhe mbase nuk do arrij asnjëherë nëse vazhdojmë sërish me këtë reformën e re që na ka bërë zonja Lindita apo kryeministri ynë”, thotë Marjela.

Enea Vuka është  nga Burreli, me mesatare 9.4.
“Edhe unë si shumë nga bashkëmoshararët e mi nuk vij për të përfaqësuar vetëm qytetin tim, por edhe ata maturantë që kanë mesataren mbi 9. Unë e kam 9.4 por fatkeqësisht u penalizuam nga ulja e koeficentëve me lëndë me zgjedhje, dhe futja e këtij sistemi që në fakt ndryshoi në mes të vitit dhe nuk na la mundësi që të arrinim ato degë që donim. Jo vetëm që ne nuk kapëm asnjë degë por realisht u renditëm shumë poshtë në klasifikim që edhe me 10 raunde të tjera nuk do mund të klasifikohemi dot. Fatkeqësisht kjo është e vërteta. Ju pyetët për raundin e dytë por duket që kujdesi duhet të jetë që ne të aplikojmë tek private. Këtë duan nga ne”, deklaron Enea.

Artikulli paraprakAleatët lindorë të NATO-s të pakënaqur
Artikulli tjetërRrëzimi i qeverisë, protesta në gjithë vendin