Maskat grabisin një agjenci e transfertë parash në Fushë Krujë

Një agjenci e këmbimit valutor dhe transfertave të parave është grabitur nga maskat nën kërcënimin e armës në Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00 në qendër të Fushë Krujës, në agjencinë e transferimit të parave të shtetasit Ndriçim A. Sipas burimeve, një person i maskuar dhe me armë në dorë është futur në agjenci, duke i marrë shitëses shumën prej 2 milionë lekësh.
Autori ka hyrë i maskuar dhe i armatosur, duke kërcënuar me pistoletë shitësen 23-vjeçare me inicialet J.K. Shitësja është terrorizuar nga vendosja e armës në kokë dhe është detyruar t’i japë të gjitha paratë personit të maskuar. Pronari i agjencisë ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje, por pa mundur të identifikojë dhe arrestojë autorin.
Është hera e dytë që kjo agjenci bëhet pre e grabitjeve. Pak kohë më parë, persona të maskuar dhe të armtosur grabitën një shumë të madhe parash dhe u larguan në drejtim të paditur për policinë. Edhe në këtë rast, policia nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.
Grabitjet me maska janë shtuar së tepërmi gjatë ditëve të fundit në të gjithë vendin. Një ditë më parë u grabitën tre karburante nga maskat nën kërcënimin e armëve në Vlorë. Sipas burimeve, dy grabitje me armë kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës. Ngjarja e parë ka ndodhur në lagjen “Isa Boletini” në Vlorë, ku persona ende të paidentifikuar kanë grabitur me armë një pikë karburanti. Ata i kanë marrë rojes një shumë prej 180 mijë lekësh dhe më pas janë larguar.
Ndërkohë, dy grabitje të tjera kanë ndodhur brenda 1 ore, ku në të dyja ngjarjet kanë qenë dy persona të maskuar dhe me armë, që u kanë marrë lekët e xhiros ditore punonjësve të karburanteve. Kështu në orën 02:30 minuta të mëngjesit në rrugën “Transballkanike”, dy persona të maskuar dhe me armë në dorë kanë grabitur një karburant. Burime nga policia u shprehën se, grabitësit i kanë marrë rojes shumën prej 150 mijë lekësh dhe më pas janë larguar.
Por pa kaluar 1 orë nga grabitja e parë, ka ndodhur edhe grabitja e dytë. Po dy persona me maska dhe të armatosur kanë grabitur një karburant, ku kanë marrë një shumë prej 80 mijë lekësh. Këtë herë grabitja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, ndërsa për të dyja ngjarjet policia nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët. Policia e Vlorës bëri të ditur se ka nisur hetimet e nevojshme dhe po punon për identifikimin dhe arrestimin e grabitësve të maskuar.
Të shtunën, maskat grabitën një supermarket nën kërcënimin e armës në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur në Allias, ku një person i armatosur dhe i maskuar ka kërcënuar arkëtaren e një supermarketi dhe kanë marrë të gjitha paratë e xhiros ditore.

Artikulli paraprakRrëzimi i qeverisë, protesta në gjithë vendin
Artikulli tjetërMasakra e Çoles, familjarët e viktimave letër Nishanit: Po lirohen vrasësit!