Proçesionaria po i shkatërron përfundimisht pyjet e Elbasanit

Qindra hektarë me pyje në Qarkun e Elbasanit janë duke u shkretuar për shkak të prekjes nga sëmundja parazitare e proçesionares. Proçesionaria është një krimb që lokalizohet në sythet e pishës duke frenuar rritjen e tyre. Veç kësaj sëmundja degradon edhe lastarët ekzistues duke i tharë në mënyrë progresive. Por siç konstatohet tashmë infeksioni është në shkallë të lartë dhe po shkatërron sipërfaqe të mëdha me pisha. Sëmundja shkakton më tepër dëm ekonomik, por sipas specialistëve ajo ndikon edhe në njerëz. Krimbi i proçesionares mund të shkaktojë alergji të forta në persona të veçantë kur bien në kontakt me parazitin ose edhe kur kalojnë pranë tij. Forma më ekstreme është shkaktimi i verbërisë tek personat alergjikë. Por siç edhe e vërtetojnë specialistët dëmi ekonomik është i pallogaritshëm, pasi invazioni than sipërfaqe të mëdha pyjore, të cilat duan dekada të krijohen. Sipas të dhënave me infeksion të lartë nga proçesionaria rezultojnë pika turistike e Gjinarit, pyjet e Zavalinës dhe zonës së Shpatit, Labinoti Mal, Funari, pyjet e disa njësive administrative në Gramsh, Librazhd, Përrenjas etj. Kohë më parë Ministria e Mjedisit deklaroi se kishte një projekt në këtë drejtim. Por asgjë nuk e ndali proçesionaren, e cila duket sikur u ka vënë “flakën” hektarëve të tërë me pisha. Dhe kështu as moratoriumi i pyjeve dhe as mbjellja e fidanëve të rinj nuk mund ta zëvendësojnë këtë dëm kolosal. Proçesionaria është e vështirë të luftohet. Metoda kimike jep pak rezultat. Më efektive ka rezultuar metoda mekanike që konsiston në mbledhjen e krimbave dhe larvave dhe djegien me zjarr të tyre. Por kjo metodë ka kosto të lartë dhe është praktikisht e parealizueshme. Kombinimi i të dy metodave mendohet se është më i efektshëm. Mungesa e fondeve për këtë qëllim nënkupton perspektiva të zymta për mbrojtjen e pyjeve nga krimbi rrënues.

Artikulli paraprakÇmenduri për Belotin
Artikulli tjetërDilema “mish apo peshk” për sigurinë ushqimore