Çmenduri për Belotin

Tifozët e Milanit kanë një ëndërr ose më mirë një kërkesë për merkaton: Andrea Beloti. Përveçse është një bomber i vërtetë, “Gallo” ka deklaruar se është një tifoz i Milanit. Por të bindësh Torinon është shumë e vështirë dhe për këtë gjë do të nevojitet një mrekulli. Pavarësisht kësaj, drejtuesit kuqezi do ta bëjnë një tentativë.
Sipas gazetës “Il Giorno”, ka menduar një strategji për të arritur te sulmuesi “granata”. Marko Fasone është gati të ulë pretendimet e presidentit të Torinos, Urbano Kairo (i cili kërkon të paktën 100 milionë euro për kartonin e sulmuesit italian), duke përfshirë në marrëveshje plot tre lojtarë. Këta lojtarë janë: portieri Gabriel, mbrojtësi i krahut Luka Antoneli dhe mesfushori Juraj Kuçka. Fasone shpreson shumë te kjo marrëveshje, pasi këta tre lojtarë pëlqehen shumë nga ana e trajnerit aktual të Torinos, Sinisha Mihajloviç.
Tre lojtarë, por jo vetëm: Sipas informacioneve, oferta e Milanit përfshin edhe 70 milionë euro kesh. Por kuqezinjtë duhet të nxitojnë për ta mbyllur këtë tratativë, pasi për sulmuesin kanë hyrë në garë edhe disa ekipe të tjera, ndër ta edhe Atletiko Madridi, që ka ofruar dje 60 milionë euro për ish-sulmuesin e Palermos.
Drejtuesit e klubit kuqezi kanë nisur punën e tyre për t’i dhënë formë Milanit të ri edhe pse merkato verore është ende larg, ata kanë arritur të realizojnë transferimin e parë. Futbollisti i Atalantës, Franck Kessie duke nisur që nga sezoni i ardhshëm do të veshë fanellën e Milanit. Në garë për shërbimet e lojtarit nga Bregu i Fildishtë ishte edhe Roma, por nuk ia ka dalë dot mbanë të bindë drejtuesit e klubit bergamask, gjë të cilën e kanë arritur homologët e tyre të Milanit. Në arkat e Atalantës do të shkojnë 28 milionë euro, ndërsa Kessie do të firmosë një kontratë pesë vjeçare nga ku do të përfitojë 2.5 milionë euro në sezon plus bonuse.
Kessie, i cili përgjatë këtij sezoni ka qenë protagonist absolut tek Atalanta dhe duket se mesfushori e kishte bërë me kohë zgjedhjen e tij për t’u transferuar tek kuqezinjtë. Roma dhe Milan kishin ofruar pothuajse të njëjtën shumë, një detaj i vogël që bëri diferencën dhe të mundur arritjen e akordit ishte paga vjetore që do të përfitonte Kessie. Kuqezinjtë ofruan 500 mijë euro më shumë, por më shumë se sa oferta e bërë, zgjedhja mund konsiderohet më shumë si një çështje preferenciale se sa monetare. Milani i ri po merr jetë, tashmë pritet që në ditët në vazhdim emri i Kessie, të pasohet edhe me të tjerë elementë cilësorë.

Artikulli paraprakBenzema: Valbuena ka treguar vetëm gënjeshtra
Artikulli tjetërProçesionaria po i shkatërron përfundimisht pyjet e Elbasanit