Policia e Beratit kishte informacion për 1.2 ton kanabis, nuk ndërhyri

Një ditë pas sekuestrimit nga Prokuroria të 1.2 ton drogë në një magazinë në fshatin Lapan të Skraparit, edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme, ka nisur hetimet. Gjithashtu, hetimet do të përqendrohen edhe në faktin se përse është lejuar të ngrihet kjo magazinë, e cila shërbente për të tharë kanabisin. Hetimet e Prokurorisë kanë nisur muaj më parë, pas informacioneve të sjella në rrugë operative nga shërbimi sekret shqiptar, SHISH. Burimet thonë janë shoqëruar 7 persona, mes tyre banor i zonës dhe personat që merreshin me ruajtjen e magazinës ku u gjet lënda narkotike.
Lënda narkotike e sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia në fshatin Lapan të Beratit, dyshohet se mund të ishte duke u përgatitur për të prodhuar vaj hashashi. Ky është një nga dyshimet e hetuesve të Drejtorisë së Policisë Vendore, në lidhje me rreth 1 ton kanabis të gjetur në një magazinë në fshatin Lapan. Burimet thonë se nga kontrolli i të gjithë magazinës, janë gjetur vetëm mbetje kanabisi që mund të kenë mbetur më parë nga përpunimi.
Hetuesit nga vendi i ngjarjes, thanë se nuk ka pasur boçe që mund të ishin për t’u përpunuar. Një dyshim tjetër i hetuesve është se sasia e mbetjeve të lëndës narkotike mund të ketë mbetur në këto magazina nga poseduesit e tyre. Këta të fundit, pasi mund ta kenë përpunuar lëndën narkotike, mbetjet kanë pritur t’i asgjësojnë, por se nuk kanë pasur mundësi. Në këto rrethana, ata i kanë magazinuar ato deri në një moment tjetër.
Burime nga Policia e Beratit, thanë se nga informacionet e marra, dyshohet se mbetjet e gjetura, mund të jenë magazinuar në këtë objekt rreth 10 ditë më parë. Kjo, pasi objekti dhe zona ishin kontrolluar nga policia më parë dhe mbetjet nuk ishin konstatuar. Një ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë lokale kryen një aksion, duke bllokuar lëndën narkotike. Ajo dyshohet se i përket një grupi kriminal për të cilin Prokuroria kishte nisur hetimin disa muaj më parë dhe hetimet ende vijojnë.

Artikulli paraprakProtestë para Bashkisë së Fierit, banorët: Jo impiantit të vdekjes!
Artikulli tjetërShefi i komisariatit të Rinasit fushatë për PS