Shefi i komisariatit të Rinasit fushatë për PS

Shefi i Komisariatit të Rinasit, Ermal Milori, ka nisur fushatën për Partinë Socialiste të Tiranës. Në profilin e tij në Facebook, Ermal Milori nuk ka ngurruar të shpërndajë mitingun e Partisë Socialiste të Tiranës, të datës 17 mars. Video nis me fjalimin e Saimir Tahirit me fjalët: “Kjo është Partia Socialiste e Tiranës, këta janë socialistët e Tiranës….”. Bashkë me videon, kryepolici i Rinasit ka shpërndarë edhe mesazhin e Partisë Socialiste.
Kryepolici i Rinasit nuk është i vetmi që bën fushatë për Partinë Socialiste. Të gjithë drejtuesit e policisë të emëruar nga Tahiri, por edhe policët e thjeshtë të emëruar pas vitit 2013 kur erdhi “Rilindja” në pushtet jo vetëm që bëjnë fushatë për Partinë Socialiste, por kërcënojnë edhe votuesit që të votojnë për PS, siç ishte rasti në zgjedhjet lokale apo në ato të parakohshmet në Dibër dhe në Kolonjë. Policia në vend që të siguronte zgjedhësit për të votuar të lirë, ushtroi presion ndaj tyre që të votojnë për kandidatin e PS. Në mjaft raste, policia ka qenë në krah të mbrojtjes për kriminelët që kanë qenë në mbështetje të kandidatit të mazhorancës, kanë ushtruar presion ndaj qytetarëve.
Një nga shqetësimet për mënyrën si e drejtoi Saimir Tahiri Ministrinë e Brendshme ishte politizimi i policisë. Fjalimet politike ku shigjetohej opozita para uniformave blu, kanë qenë të shpeshta vitet e fundit. Tahiri emëroi shefa policie, duke patur kriter bindjet e tyre politike. Ky fakt është një arsye më shumë që politizimi i policisë e bën të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ndonëse Policia e Shtetit është e depolitizuar, sipas ligjit, Tahiri sapo mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme, e ktheu Policinë e Shtetit në polici partiake. Tahiri shpërndau një urdhër të brendshëm, ku i kërkonte policëve të jenë të kujdesshëm në rrjetet sociale, të mos ekspozojnë armët, varëse floriri apo edhe tatuazhe. Për mitingjet e Partisë Socialiste, Tahiri nuk kishte asnjë vërejtje.
Fillimisht Tahiri shkarkoi të gjithë profesionistët dhe i zëvendësoi me militantët, numëruesit dhe komisionerët zgjedhorë të PS-së. Struktura të suksesshme, oficerë të mirëtrajnuar nga taksapaguesit amerikanë e europianë, u flakën në rrugë. Nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nga drejtuesit e policisë në qarqe që ishin numërues votash të Partisë Socialiste, e deri tek shefi më i thjeshtë, të gjithë erdhën në poste, u promovuan falë shërbimit të tyre politik, si komisionerë, donatorë apo edhe kandidatë për deputetë të Ramës.
Me socialistët në pushtet, krimi ka marrë një guxim të paprecedentë, duke grabitur banka, duke goditur policinë në detyrë e deri brenda në komisariat. Në sajë të emërimeve politike u kanabizua i gjithë vendi, ndërsa sasia e drogave të forta që shkon në vendet fqinje, Itali e Greqi u shumëfishua.

R.POLISI

Artikulli paraprakPolicia e Beratit kishte informacion për 1.2 ton kanabis, nuk ndërhyri
Artikulli tjetërKosova gjen golin, por humbet ndaj Islandës