Podolski i jep fitoren Gjermanisë

Duhej të ishte ndeshja e tij dhe ashtu rezultoi, lamtumirë më të bukur nga Gjermania nuk mund të kishte për Lukas Podolskin. Me shiritin e kapitenit në krah, sulmuesi 31-vjeçar me një supergol i dha fitoren 1-0 Die Manschaft në miqësoren e luksit përballë Anglisë. Në “Signal Iduna Park” të Dortmundit të gjithë projektorët ndriçonin mbi Princ Poldin që luante simfoninë e tij të fundit me kombëtaren e pancerave me të cilët u shpall edhe kampion bote më 2014-tën. Podolski, i cili në verë do të largohet nga Galatasaray për të provuar një eksperiencë të re me skuadrën e Vissel Kobe në kampionatin japonez, e realizoi më së miri misionin e tij.
Në ndeshjen e tij të 130-të me Gjermaninë, Podolski pas një aksioni model të Die Manschaft shpiku një gol fantastik në minutën e 69-të, për t’i dhënë fitoren skuadrës së Joachim Loew. Ky ishte goli i 49-të i Poldit me kombëtaren e pancerave. Duartrokitjet ishin të gjitha për 31-vjeçarin në minutën e 84-t me Podolskin që u largua nga fusha për t’i bërë vend Sebastian Rudy-t. Përsa i përket ndeshjes në pjesën e parë ishte Anglia që luajti më mirë. Në minutën e 31-të fati nuk ishte me 3 Luanët pasi shtylla i tha jo golit të Adam Llallanas. Në të 41-tën Dele Alli humbi një mundësi të shkëlqyer për t’i dhënë avantazhin miqve. Kaq për Anglinë në këtë sfidë sepse fraksioni i dytë i lojës u dominua nga skuadra e Joachim Loew. Fillimisht Brand dhe më pas Leroy Sane krijuan dy mundësi të mira përpara se të vinte goli i fitores që mban firmën e Lukas Podolskit.
Zhgënjeu Skocia që nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 në miqësoren e zhvilluar në Edinburgh ndaj Kanadasë. Aird u dha avantazhin miqve pas 11 minutash lojë, ndërkohë që Naismith në të 35-tën, barazoi rezultatin.
Më herët në një tjetër takim miqësor Republika Çeke kaloi pa vështirësi 3-0 Lituaninë. Horava në të 48-tën hapi serinë e golave, ndërsa Jantko dhe Krmencik vulosën rezultatin përfundimtar të këtij takimi në 3-0.

Artikulli paraprakLila-Cikalleshi titullarë
Artikulli tjetërUnited, çmenduri për Mbappe