United, çmenduri për Mbappe

Transferimi i rekord i Paul Pogbasë, nga Juventusi te Manchester United, mund të thyhet që verën e ardhshme. 110 milionë euro që Djajtë e Kuq shpenzuan për mesfushorin francez, mund të jenë pak për të marrë në “Old Traford” një 18-vjeçar që po i çmend të gjitha me golat dhe performancat e tij në këtë sezon. Po flasim për yllin e ri të Monacos, Kylian Mbappe, i cili po kërkohet nga klubet më të mëdha në Europë, që nga PSG, Barcelona, Arsenal, e deri te Manchester City. Por sigurisht, shuma që pritet të ofrojë Jose Mourinho është vërtet e frikshme. Klubi nga Principata është i bindur se mund të përfitojë nga kartoni i Mbappe 150 milionë euro.
Duket diçka e ekzagjeruar, por jo sipas informacioneve që vijnë nga mediat iberike, sipas të cilave Mourinho u ka paraqitur drejtuesve të Monacos dy oferta, njëra 80 milionë euro dhe herën e fundit 110 milionë, pikërisht më 21 shkurt, me rastin e përballjes se kryesuesve të kampionatit francez me Manchester City-n në Champions, të dyja të refuzuara.
Monaco është kualifikuar në çerekfinale të Championsit ku do të përballet me Borussian e Dortmundit dhe pikërisht këtë fakt synojnë të shfrytëzojnë te klubi nga Principata me shpresën se Mbappe do të shkëlqejë edhe në përplasjen e dyfishtë me verdhezinjtë, për ta rritur edhe më shumë cmimin e kartonit të tij. Zytarë të Monacos janë shprehur se nuk janë të gatshëm të hyjnë në bisedime me asnjë klub për kartonin 18-vjeçarit, por premisat janë që në verë të ketë vërtet një ankand për talentin francez.

Artikulli paraprakPodolski i jep fitoren Gjermanisë
Artikulli tjetërLloris: E ardhmja ime varet dhe nga Pochettino