Lila-Cikalleshi titullarë

Trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka ende dyshime sa i përket lojtarëve që do të hedhë në fushë në ndeshjen me Italinë e kësaj të premteje në “Renzo Barbera”, por jo sa i përket skemës. Trajneri i kuqezinjve për herë të parë do të vendosë skuadrën në fushë me skemën 5-4-1, ku në portë do të luante Strakosha në vend të Berishës së skualifikuar dhe në mbrojtje mungesat e Mavrajt dhe Gjimshitit, i pari i dëmtuar dhe i dyti i skualifikuar do të mbuloheshin nga Ajeti, Kukeli dhe Veseli, me Hysajn e Agollin të hapur nga krahët, që e bënte Shqipërinë të ngrinte një mur të vërtetë pas.
Zgjedhje këto që në këtë repart mbeten të pandryshueshme. Ndërkohë që pas seancës stërvitore të pasdites së kësaj të mërkure, trajneri duket se ka vendosur të ndryshojë në mesfushë, ku fillimisht kishte vendosur për Llullakun në të majtë e Roshin në të djathtë, ndërsa tani zgjedhjet e tij mendohen se do të jenë Basha dhe Memushaj të palëvizur në qendër, ndërsa Roshi zhvendoset në të majtë, për t’i bërë vend në të djathtë Andi Lilës, me lojtarin e Pas Janinës që ishte futbollisti që vrapoi më shumë në 3 ndeshjet e Europianit. Ndryshime gjithashtu De Biasi ka rezervuar dhe në sulm, ku Sadiku mendohet se do ta nisë nga stoli, ndërsa zgjedhje e parë do të jetë Sokol Cikalleshi, që në ndeshjen miqësore të “Marassit” përballë Italisë spikati me lojën e tij të mirë duke mbajtur gjithmonë lart skuadrën e duke goditur madje dhe shtyllën.
Përballë të kaltërve në Palermo, trajneri i kuqezinjve Gianni de Biasi ka vendosur të luajë me një rreshtim të pazakontë për të në mbrojtje, duke aktivizuar plot pesë lojtarë në këtë repart, ndoshta për të mbyllur dhe hapësirat që mund të krijohen nga lojtarë me përvojë në prapavijë si Mavraj dhe Gjimshiti. Nga ajo që është kuptuar dhe nga seancat stërvitore, De Biasi pritet të luajë me rreshtimin 5-4-1, ku vendin e Berishës në portë do ta zërë Strakosha, që do të jetë i përzgjedhuri i tij për këtë sfidë, ndërsa në mbrojtje do të kemi një rreshtim me pesë lojtarë me Hysajn dhe Agollin që do të luajnë nga krahët dhe mund të shndërrohen në varësi të daljes së ekipit përpara dhe në mesfushorë krahu Ajetin, Veselin e Kukelin që do të luajnë në qendër të mbrojtjes, me mesfushorin e Zyrihut që këtë herë do të tërhiqet mbrapa për të transmetuar përvojën e tij, por dhe për të mbuluar mungesat e lojtarëve të këtij reparti duke bërë që Shqipëria të jetë jo pak e ngjeshur mbrapa.
Në mesfushë trajneri italian ka zgjedhur dy lojtarë që aktivizohen në Serie A për të luajtur në qendër, si Memushaj dhe Basha, që janë titullarë të padiskutueshëm në skuadrat e tyre Pescara dhe Bari. Nga krahët ndërkohë i besohet, në të djathtë Roshit dhe në të majtë Llullakut, ndërsa nuk ka surpriza sa i përket sulmit, me Sadikun që ështe në një formë të jashtëzakonshme, teksa te Lugano ka shënuar rregullisht do të jetë titullar në majën e sulmit kuqezi. Një skemë që pritet t’i garantojë De Biasit më shumë siguri nga mbrapa, por ku do të jenë shumë të rëndësishme daljet përpara të Hysajt dhe Agollit nga krahët apo dhe zhvendosja ndoshta herë pas here e Kukelit përpara mbrojtjes, në varësi të situatave.

Artikulli paraprakImmobile: Do ta kemi të vështirë me Shqipërinë!
Artikulli tjetërPodolski i jep fitoren Gjermanisë