Përse po riorganizojmë Departamentin e Shtetit

Rex Tillerson

Gjatë viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë përballuar sfida me shtrirje mjaft të madhe për sa u përket raporteve me Korenë e Veriut, Kinën dhe Rusinë, përveçse në impenjimin e fortë për të mundur terrorizmin ndërkombëtar, por amerikanët duhet që të inkurajohen nga përparimet që Departamenti i Shtetit dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar kanë arritur duke mbështetur paqen dhe stabilitetin në të gjithë botën. Kur Presidenti Trump ka marrë detyrën, ka individualizuar tek Koreja e Veriut kërcënimin më të madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Për pasojë, ka braktisur politikën dështake të durimit strategjik, e cila është zëvendësuar nga një politikë presioni nëpërmjet sanksioneve diplomatike dhe ekonomike. Këtë vit, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar me unanimitet tri prej rezolutave lidhur me sanksionet më të rënda të historisë së tij, midis të cilëve ndalimi i një game të gjerë eksportesh koreanoveriore, të tilla qymyri, hekuri, frutat e detit dhe produktet tekstile.
Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar aleatëve dhe partnerëve tregtarë që të ushtrojnë një presion unilateral ndaj Koresë së Veriut me qëllim që ta detyrojnë regjimin të ndryshojë mënyrën e të vepruarit. Shumë janë përgjigjur me masa pozitive si me ndërprerjen e shkëmbimeve tregtare, ashpërsimin e marrëdhënieve diplomatike dhe përzënien e krahut të punës koreanoverior. Fushata jonë paqësore e presionit ka ndërprerë rreth 90% të të ardhurave koreanoveriore që vinin nga eksporti, shumica e të cilave përdoret për të financuar zhvillimin e armëve të paligjshme. Shpresa jonë është që ky izolim ndërkombëtar të mund ta shtyjë regjimin që të ndërmarrë negociata serioze lidhur me braktisjen e programeve bërthamore dhe raketore të tij. Dera e dialogut mbetet e hapur, por kemi sqaruar faktin se regjimi duhet ta fitojë kthimin në tryezën e negociatave.
Presioni do të vazhdojë deri në arritjen e denuklearizimit. Një komponente e rëndësishme e strategjisë tonë lidhur me Korenë e Veriut është aksioni i bindjes së Kinës që të ushtrojë influencën vendimtare të saj ekonomike ndaj Phenianit. Kina ka aplikuar disa ndalime dhe sanksione, por mund dhe duhej të bënte më shumë. Ne do të vazhdojmë t’i ndjekim interesat amerikane në zona të tjera të marrëdhënieve tona, midis të cilave disekuilibrat tregtarë, vjedhja e pronësisë intelektuale dhe aktivitetet preokupuese ushtarake kineze në Detin e Kinës Jugore dhe tjetërkund. Ngritja e Kinës si fuqi ekonomike dhe ushtarake e detyron Uashingtonin dhe Pekinin që ta marrin seriozisht në konsideratë menaxhimin e marrëdhënieve tona për 50 vitet e ardhshme. Shpartallimi i terrorizmit mbetet një prej prioriteteve kryesore të Presidentit. Agresiviteti strategjik i administratës në luftimin e Shtetit Islamik i vesh me një autoritet më të madh komandantët e forcave ushtarake amerikane në fushën e betejës, duke u garantuar forcave tona të armatosura më shumë liri e më shumë shpejtësi veprimi për atë që dinë të bëjnë më mirë, në bashkëpunim me forcat e armatosura lokale.
Për pasojë, koalicioni global për shpartallimin e ISIS-it ka përshpejtuar operacionet dhe ka rifituar pothuajse të gjitha zonat e Irakut dhe Sirisë, që më parë gjendeshin nën hegjemoninë e Shtetit Islamik. Ndërsa ushtarakët tanë impenjoheshin në spastrimin e Irakut dhe Sirisë nga forcat e armatosura të ISIS-it, diplomatët tanë vazhdonin punën e tyre me ndihma humanitare dhe asistence, si me çminime, sjelljen e ujit të pijshëm e të energjisë elektrike dhe kthimin e fëmijëve në shkollë.
Ky impenjim për ndalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit islamik ka motivuar veç të tjerash vendimin e administratës për të adoptuar një strategji të re në Azinë Jugore, e përqendruar mbi Afganistanin. Ky vend mund të bëhet një vendstrehim i sigurtë për terrorizmin, siç ndodhi tashmë në ditët që u paraprinë sulmeve të 11 shtatorit. Pakistani duhet të kontribuojë në luftimin e grupeve terroriste të pranishme në territorin e tij. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Pakistanin për të shpartalluar organizatat terroriste që kërkojnë një vendstrehim të sigurtë, por Pakistani duhet të demonstrojë vullnetin e tij për të bashkëpunuar me ne.
Për sa i përket Rusisë, të mos kemi iluzione mbi regjimin me të cilin kemi të bëjmë. Sot, Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të pakta me Rusinë, rigjallërim, e cila në 10 vitet e fundit ka pushtuar vendet kufitare të Gjeorgjisë e të Ukrainës, dhe ka dobësuar sovranitetin e vendeve perëndimore, duke u përzier në zgjedhjet e tyre, tonat dhe të vendeve të tjera. Emërimi i Kurt Volker, ish-ambasador në NATO, si Përfaqësues Special për Ukrainën pasqyron impenjimin tonë për rivendosjen e sovranitetit të këtij vendi dhe të integritetit territorial të tij. Pa një zgjidhje paqësore të situatës ukrainase, që duhet të fillojë me aderimin rus në Marrëveshjen e Minskut, nuk mund të kthehemi në raportet normale me Rusinë. Nëse nga njëra anë qëndrojmë vigjilent ndaj agresionit rus, nga ana tjetër e njohim nevojën për të bashkëpunuar me Rusinë, kur interesat tona reciproke përputhen. Kjo rezulton jashtëzakonisht evidente në Siri. Tani që Presidenti Putin është impenjuar që ta ndjekë procesin politik të Gjenevës nën egjidën e Kombeve të Bashkuara për t’i garantuar një të ardhme të re Sirisë, presim që Rusia ta ndjekë këtë impenjim. Jemi besimplotë se, konkretizimi i këtyre negociatave do t’i mundësojë Sirisë të çlirohet nga Bashar al-Assad dhe familja e tij.
Së fundi, Traktati Bërthamor jo i përsosur me Iranin nuk përfaqëson më pikën qendrore të politikës tonë iraniane. Për momentin, po i përballojmë kërcënimet iraniane në kompleksin e tyre. Pjesë e kësaj strategjie kërkon rindërtimin e aleancave me partnerët tanë tregtarë në Lindje të Mesme, ndërsa në nëntor kemi kontribuar në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Irakut dhe Arabisë Saudite. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me aleatët tanë dhe me Kongresin për gjetjen e opsioneve në zgjidhjen e shumë defekteve të Traktatit Bërthamor, duke implementuar ndërkohë një operacion të pranuar që e ndëshkon Iranin për shkeljet e impenjimeve lidhur me raketat balistike dhe aktivitetin e tij destabilizues në zonën gjeografike. Jam krenar për atë që ekipet tona të Departamentit të Shtetit dhe të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar kanë realizuar në të gjithë botën këtë vit dhe përparimet tona do të vazhdojnë edhe në 2018 e më tej.
Për këtë qëllim po riorganizojmë Departamentin e Shtetit për të forcuar kapacitetet e ekipeve tona në realizimin e detyrave të tyre. Riorganizimi nuk sjell vetëm spostimin e thjeshtë e copëzave të organigramës. Modifikimet duhet të zgjidhin problemet themelore që çojnë në joefikasitet dhe frustrim. Nëpërmjet modifikimeve të tilla si racionalizimi i resurseve njerëzore dhe i sistemeve informatike, një përshtatje më e mirë e personelit dhe e resurseve me prioritetet strategjike e Shteteve të Bashkuara dhe reformimi i procedurave të tepërta, po u japim bashkëpunëtorëve tanë më shumë mundësi për t’u afirmuar personalisht dhe t’u kushtojnë më shumë kohë përballimit të problemeve globale për zgjidhjen e të cilave kanë marrë karrierat respektive. Kur zgjohem në mëngjes, mendimi im i parë është: “Në çfarë mënyre unë dhe kolegët e mi të Departamentit të Shtetit mund ta përdorim diplomacinë në mënyrë të tillë që njerëzit në të gjithë botën të mos vriten, plagosen apo të privohen nga të drejtat e tyre?”.
Pavarësisht këtyre sfidave, mbetem optimist lidhur me fuqinë e diplomacisë në zgjidhjen e konflikteve dhe avancimin e interesave amerikane. Besimi im vjen nga dija se, impenjimi ynë vihet në zbatim çdo ditë nga funksionarë të Departamentit të Shtetit patriotë dhe skrupulozë, të cilët sakrifikohen për ta realizuar punën e tyre me durim e këmbëngulje dhe se, duke promovuar vlerat demokratike në botë, po mbrojnë të drejtën e jetës, të lirisë dhe arritjen e lumturisë së bashkëkombasve tanë.

 

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakEfektet e para të drejtësisë së kapur, Administrativja nuk pyet për ligjin, por për Ramën
Artikulli tjetërYjet në shkëlqim dhe rënie