Përgjaken rrugët, 22 të vdekur në 150 aksidente në një muaj

Gjatë muajit prill, ashtu si në janar, ka pasur më shumë viktima se 2 muajt e tjerë të vitit 2017. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, gjatë muajit prill, 22 persona kanë mbetur të vdekur nga 150 aksidente që kanë ndodhur në total. Sipas INSTAT, gjatë muajit mars, numri i personave të vdekur është 16. Në shkurt 2017, ishin 17 të vdekur nga aksidentet, ndërsa në janar 2017, 22, po aq sa në prill.
Në krahasim me prill 2016, numri i aksidenteve është ulur me 14,8% gjatë muajit që lamë pas. Numri i të aksidentuarve është 190 persona nga 222 që ishte një vit më parë. Në katërmujorin e parë 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 7,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në prill 2017, aksidentet rrugore, në 91,3% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25 – 35 vjeç. Numri i të aksidentuarve për 100.000 banorë ishte afërsisht 7 persona. Krahasuar me mesataren e vitit 2016, ky numër u ul me 18,0%.

Statistika të frikshme

Përgjatë çdo dite që nga 1 janari i këtij viti e deri në fund të prillit, aksidentet rrugore kanë shënuar rreth 60 persona të vdekur dhe 350 të plagosur. Statistikat e Policisë tregojnë shifra të frikshme, ndërsa ekspertët e aksidenteve rrugore, japin alarmin se vdekjet në rrugë për vitin 2016, në raport me vitet e tjera ngjajnë me statistika lufte. Ekspertët i kanë cilësuar aksidentet si pjesë fatale e trafikut, ndërsa gjendja është mjaft e vështirë, pasi shpesh herë strukturat e policisë nuk bashkëveprojnë me njëra-tjetrën për të minimizuar aksidentet në rrugë. Sipas të dhënave nga burime të Policisë Rrugore, periudha janar-prill 2017, mund të konsiderohet si një nga periudhat kohore më të përgjakshme, përsa i përket të vrarëve apo të plagosurve në rrugë.
Specialistët deklarojnë se, duke qenë se jemi afër mesit të vitit, kjo tendencë pritet të ketë rritje deri në fund të vitit, nëse nuk ndërhyhet në mënyrë urgjente nga strukturat operuese që administrojnë infrastrukturën rrugore, leje drejtimet (autoshkollat), rrjeti spitalor, por po ashtu edhe Policia Rrugore dhe Ministria e Transporteve, të cilat shpesh herë janë indiferente në punën e sensibilizimit të opinionit publik. Por ekspertët shpesh herë nënvizojnë edhe dëmin ekonomik apo koston sociale që sjellin aksidentet për çdo familje apo edhe për vetë shtetin.

Kostoja e aksidenteve

Në shumicën e rasteve të personave të aksidentuar familjarët humbin kohë, para, dhe shpenzime që në 70 për qind të rasteve nuk i përballojnë dot operacionet e shtrenjta apo trajtimet, dhe kështu familjari i aksidentuar është i detyruar të jetojë invalid. Ekspertët nënvizojnë se është një masë e madhe familjesh që humbet ditë pune, nerva, ilaçe spitaleve me njeriun e tyre. Sipas përllogaritjeve edhe dëmi ekonomik i shtetit përsa i përket aksidenteve në rrugë i kalon plot 40 milionë euro, ndërsa të prekura nga tragjeditë që kanë sjellë aksidentet janë përfshirë mijëra familje shqiptare. Sipas specialistëve, nëse do të bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, ndryshe numri tejet problematik i aksidenteve përgjatë vitit të fundit, “përkthehet” me një krahasim makabër. Ekspertët nënvizojnë faktin se situata e aksidenteve është njëlloj sikur një qytet mbi mesatar shqiptar të ishte përfshirë i gjithi në një aksident të stërmadh rrugor.

Aksident me vdekje në aksin Elbasan-Cërrik

Një 68-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një makinë në aksin rrugor Elbasan-Cërrik. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite në aksin Elbasan-Cërrik. Sipas informacioneve nga vendngjarja, i moshuari u dërgua me urgjencë në spital por nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të marra. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, 43-vjeçari Sokol Hysa është ndaluar nga policia dhe do të merret në pyetje për të sqaruar shkaqet e aksidentit.
Një 68-vjeçar i cili po udhëtontë me biçikletë ka humbur jetën në spital, pasi u përplas nga një  automjet. Policia vuri në pranga drejtuesin e mjetit 43 vjeçarin Sokol Hysa. “Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor, në Komisariatin e Policisë Elbasan bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sokol  Hysa, 43 vjeç banues në Bels. Arrestimi i tij, u bë pasi duke drejtuar mjetin me targa AA 633 PU në aksin rrugor Elbasan – Cërrik në fshatin Gjergjan  është përplasur me biçiklistin shtetasin H.H, 68 vjeç banues në fshatin Thanë Elbasan. Shtetasi H.H, pasi ka marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Elbasanit është dërguar në Tiranë dhe më pas ka gjetur vdekjen”, sqaron policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkelja e Rregullave të Qarkullimit Rrugor” parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal.

Vlorë, “Fiati” shpërthen në flakë në ecje

Një mjet ka shpërthyer në flakë teksa ecte në aksin rrugor Skelë-Ujë i Ftohtë pranë Shkollës së Marinës. Policia lokale sqaron se flakët në mjetin tip “Fiat” në pronësi të shtetasit A.M., 35 vjeç, shpërthyen rreth orës 19:00. Zjarrfikësja bëri të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit dhe për pasojë mjeti është dëmtuar pjesërisht. Nga hetimet paraprake të kryera nga grupi hetimor dyshohet se flakët janë shkaktuar aksidentalisht.

R.POLISI

Artikulli paraprakEkzekutimi i dyfishtë në Durrës mbetet pa autor, ngecin hetimet
Artikulli tjetërRama autobusë me mercenarë për sheshin e boshatisur të PS