Rama autobusë me mercenarë për sheshin e boshatisur të PS

Kryeministri Rama përdori dje edhe autobusët urbanë të Tiranës dhe autobusët e rretheve të vendit për të mbushur sheshin e boshatisur tek “Piramida” për mitingun e Partisë Socialiste. Një numër i madh autobusësh urbanë të “Kombinatit”, “Tiranës së Re”, dhe “Unazës” u përdorën me urdhër të kryeministrit për të transportuar mercenarët me pagesë për të mbushur sheshin e boshatisur të një njeriu të braktisur. Përdorimi i urbanëve nga Rama për mitingun e PS ka krijuar kaos në trafik dhe revoltë tek qytetarët. Mjaft qytetarë prisnin në stacionet e urbanëve për të shkuar drejt shtëpive të tyre, por autobusët ishin në dispozicion të Ramës për të transportuar militantët.
Edhe ata pak autobusë që vijonin të punonin në linjat përkatëse u bllokuan për më shumë se një orë për shkak të trafikut të rënduar nga autobusët e furgonët që vinin nga rrethe me militantë socialistë. Kaosi i krijuar ka ngjallur revoltë dhe panik te shumë qytetarë në Tiranë. “Kam një orë që pres në stacion, por urbani nuk ka ardhur akoma. Më thanë se i kanë çuar në mitingun e PS prandaj vonohen autobusët urbanë, ndërsa ne presim në stacion”, u shpreh një grua e moshuar. Ashtu si ajo edhe mjaft qytetarë të tjerë janë shprehur të revoltuar për këtë situatë kaosi. Qytetarët shprehen të revoltuar për përdorimin e autobusëve të linjave urbane për fushatë elektorale.
Kreu i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi shkruan në një postim në rrjetin social, Facebook se, u deshën disa autobusë nga rrethet për të mbushur sheshin e vogël te piramida e diktatorit ku do të mbante mitingun Partia Socialiste. “Dyzina autobuzë nga rrethet për të mbushur sheshin e piramidës së diktatorit. Edhe banditët burgaxhinj të Lezhës këtu ishin. Kur e mbush partinë me banditë, përdhunues dhe drogaxhinj të duhen shumë autobuzë nga rrethet për një shesh të vogël. Sado të fuqishme të marrësh foninë, njerëzit e lodhur dhe të demotivuar të mbesin. Ne vijojmë tek çadra. Do përballemi!”, shkruan Malltezi.

Precedenti

Një ditë më parë, Rama zhvilloi një takim në Elbasan me gratë socialiste, por për të mbushur sheshin kishin ardhur dhjetëra autobusë me gra nga Librazhdi, Gramshi, Cërriku, Peqini dhe zonat për rreth Elbasanit. Edhe në takimet e tjera që Rama ka zhvilluar me militantët socialistë për fushatë janë dashur të vijnë autobusë me nxënës me detyrim për të mbushur sheshet e boshatisura. Rama tashmë është braktisur edhe nga njerëzit e tij dhe për këtë arsye drejtuesit e PS në rrethe përdorin autobusët edhe furgonët për të transportuar me detyrim nxënës shkollash dhe punonjës të administarës për të mbushur sheshet.
Para katër ditësh, Rama u braktias nga qytetarët e Shkodrës, por për të mbushur sheshin janë dërguar autobusë me nxënës dhe të rinj nga Puka, Lezha e Kopliku dhe zonat përreth. Drejtoresha e Shkollës së Mesme në Postribë i ka mbajtur për 2 orë të ngujuar nxënësit dhe më pas i ka dërguar me autobus në mitinguin e Ramës. Megjithatë, edhe drejtuesit e Spitalit të Shkodrës kanë detyruar punonjësit që të dalin në protestë për takimin e Ramës. Disa portale publikuan një sms që drejtori i spitalit u kishte dërguar mjekëve, infermierëve e pastrueseve që të dalin të gjithë tek holli i spitalit, sepse vjen Rama. Mesazhi ka mbërritur tek punonjësit nga Drejtoria e Spitalit, ku thuhet se vjen Rama dhe duhet të mblidhen të gjithë tek holli dhe pastaj tek Bashkia, ku do të zhvillojë kryeministri takimin. “Porosia është që të jenë mjekë dhe infermierë të rinjë”, shkruhej në mesazh. Megjithatë, Rama ka dështuar sërish, pasi në shesh ndodheshin shumë pak njerëz.
Vetë Rama pati deklaruar pak ditë më parë se, administrata nuk do të përfshihet në fushatë, por në dhjetëra raste mediat kanë publikuar detyrimin që u është bërë mësuesve, nxënësve, mjekëve, infermierëve, etj., që të marrin pjesë në mitingjet e PS.

Autobusët shoqëroheshin nga policia

Autobusët me mercenarët e Ramës nga rrethe të ndryshme të vendit janë shoqëruar nga forcat e policore për të mbërritur në Tiranë tek sheshi ku do të zhvillohej mitingu i PS. Ndërsa në protestën e opozitës që u zhvillua të shtunën, Rama urdhëroi institucionet shtetërore që të zhvillonin ekskursione me punonjësit e administratës në pikat turistike për të mos lejuar përdorimin e autobusëve që të dërgonin protestues në Tiranë. Jo vetëm kaq, por policia i bllokoi në postblloqet e ngritura posaçërisht, gjoja se do të kontrollonte për kartat e identitetit dhe dokumentat të tjera identifikuese për personat që udhëtonin me autobusa.

Rexhep POLISI

Artikulli paraprakPërgjaken rrugët, 22 të vdekur në 150 aksidente në një muaj
Artikulli tjetërRrëzimi ka ndodhur