Ekzekutimi i dyfishtë në Durrës mbetet pa autor, ngecin hetimet

Kur kanë kaluar 3 javë nga vrasja e Ervin Dalipajt dhe Juxhin Dautajt, duket se hetimet kanë mbetur në vend. Grupi hetimor gjatë kësaj kohe nuk ka arritur të gjejë prova të reja, të cilat mund të identifikojnë autorët e krimit. Prokuroria e Durrësit, e cila po kryhen hetimet, i mungojnë dy të dhëna të rëndësishme, të cilat mund të hedhin dritë mbi vrasjen mafioze.
E dhëna e parë, e cila ende nuk është administruar nga hetuesi janë kamerat e sigurisë së një servisi ku dy viktimat kanë qëndruar përpara se të vriteshin. Gjithashtu prokurorët e çështjes ende nuk kanë pyetur pronarin e mjetit “Audi” me të cilin udhëtonin dy viktimat.
Makina ishte në pronësi të E. Hoxhaj, i cili sipas policisë nuk është gjetur, pasi ndodhet jashtë vendit. Sipas të dhënave të sistemit TIMS ai ndodhet në Gjermani. Për prokurorët dëshmia e tij është e rëndësishme për hetimin, por pa specifikuar të dhënat që Hoxhaj mund të dijë në lidhje me ngjarjen.
Ervin Dalipaj dhe Juxhin Dautaj u qëlluan për vdekje në 25 prill në Sukth të Durrësit. Po hetohen në disa pista, por më kryesorja është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se, në ekzekutimin e ish-komisariat të policisë dhe të riut nga Vlora, kanë marrë pjesë dy makina. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, një BMW X5 i ka ndjekur dy viktimat sapo kanë dalë nga një servis, rreth 100 metër larg vendit të ngjarjes. Ndërsa një makinë tjetër dyshohet se i ka prerë rrugën “Audi”-t S 8, një prej makinave më të shpejta të viteve të fundit. Një person nga BMW-ja që i është afruar në parakalim në drejtimin e lëvizjes Tiranë-Shijak, dhe ka qëlluar një karikator kallashnikovi.
Atentatorët dyshohet se kanë qenë të vendosur në një fuoristradë të zezë, e cila i priste pranë vendit të vrasjes, ndërsa nga pas dy viktimat janë ndjekur nga një makinë tjetër, nga e cila mendohet se janë njoftuar ekzekutorët që ishin në pritje. Pas daljes se “Audi”-t nga rruga, BMW-ja me ngjyrë të zezë, sipas disa dëshmitareve, ka vazhduar rrugën me shpejtësi në drejtim të Shijakut, ndërsa makina tjetër në drejtim të Tiranës, në rrugën dytësore. Pak momente përpara atentatit Dalipaj dhe Dauti, sapo kishin dalë nga një servis makinash rreth 100 metra nga vendi i ngjarjes.

Artikulli paraprakVdekja e 16-vjeçares, mjeku Zhurda në luftë me vdekjen
Artikulli tjetërPërgjaken rrugët, 22 të vdekur në 150 aksidente në një muaj