PDK: Të shqetësuar për marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë

Partia Demokratike e Kosovës e sheh me shqetësim të madh siç thonë shansin e humbur nga delegacioni kosovar për marrëveshje finale të njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë që duhej të ndodhte sot në Washington.

PDK thekson se çdo marrëveshje e nënshkruar në këtë mënyrë, pa transparencë, që nuk ka njohje të ndërsjellë, krijon shqetësim dhe pasiguri, aq më tepër, deri në këtë moment, nuk është bërë publike përmbajtja e marrëveshjes.

“PDK-ja që nga fillimi ka qenë e bindur se përfshirja e SHBA-së në procesin e përmbylljes së dialogut mes Kosovës e Serbisë është e domosdoshme, por marrëveshjet që nuk parashohin njohje të ndërsjellë, nuk ofrojnë zgjidhje të problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, është edhe më e rëndë në qoftë se ka cenim të Kushtetutës, sovranitetit dhe interesave strategjike të Kosovës. Nuk ka negociata me territore e as me pasurinë tonë kombëtare”, thuhet në reagim.

Më tej në reagimin e kësaj partie theksohet se qëndrimi i PDK-së ka qenë dhe mbetet, se në Washington dhe Bruksel të shkohet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë që garanton njohje të ndërsjellë, ulësen në OKB dhe nuk e cenon integritetin territorial të vendit.

Artikulli paraprakHaradinaj: Faleminderit Presidentit Trump, miqtë e vërtetë e kuptojnë shqetësimin e drejtë
Artikulli tjetërDeklarata, Shtetet e Bashkuara do të heqin vizat për Kosovën