PD: Këshilltarëve të majtë nuk i intereson Shkodra!

Dega e Partisë Demokratike dhe grupi i këshilltarëve të djathtë në Këshillin e Bashkisë Shkodër reaguan ndaj këshilltarëve të majtë, të cilët u larguan nga mbledhja ku u bënë disa ndryshime në paketën fiskale dhe u miratua marrëveshja e financimit të përbashkët të Angjencise Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombetar GIZ dhe Bashkisë Shkodër. “Mbledhja e Këshillit Bashkiak e thirrur më 7 dhjetor jashtë radhe për miratimin e dy çështjeve të mësipërme, i ka paraprirë një proces studimi e konsultimi si me publikun ashtu edhe me këshilltarët e Bashkisë, kryesisht për ndryshimet në paketën fiskale, e thënë thjeshtë për nivelin e taksave dhe tarifave që aplikohen në Bashkinë Shkodër.
Projekti i paraqitur për miratim përmbante disa ndryshime në nivelin e taksave dhe të tarifave të aplikuara më parë duke bërë ulje të konsiderueshme të tyre në disa taksa dhe tarifa, por njëkohësisht aplikohej për herë të parë edhe një tarifë e re për një shërbim të ofruar qytetarëve kryesisht për mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimeve të ujërave teë bardha, për largimin e ujërave të shiut. Në një kohë kur të gjithë qytetarët tashmë janë të njohur me qendrimin e qeverisë në financimin e projekteve dhe me nivelin e ulët të investimeve nga buxheti i qeverisë në Shkodër, në një nivel shumë më të ulët se në bashkitë e tjera në vend, qytetarët panë qartë se edhe këshilltarët e majtë në Këshillin e Bashkisë u larguan nga salla e këshillit dhe nuk votuan ndryshimet në paketën fiskale, duke u përpjekur të bllokojnë punën e Bashkisë Shkodër për përgatitjen e buxhetit për vitin 2017, me qëllim që ta venë në vështirësi punën e administratës për realizimin e projekteve për të cilët është i interesuar opinioni publik”, thuhet në deklaratën e kshilltarëve të djathtë.
Shkodra dhe njësitë administrative që përbëjnë tashmë bashkinë e re jo në pak raste janë përballur me nivelin e lartë të ujërave gjatë reshjeve të zgjatura si edhe me përmbytje në disa zona. “Projekt vendimi që nuk u votua nga këshilltarët e majtë kishte të bënte pikërisht me vendosjen e një tarife prej 65 lekë në muaj për familje për mirëmbajtjen e kanalizimeve për largimin e ujërave të shiut, tarifë minimale dhe e përballueshme për të gjitha familjet, tarifë nga e cila përjashtohen familjet në nevojë dhe ju përgjysmohet invalidëve, të verbërve, të sëmurëve paraplegjikë e tetraplegjikë, pensionistëve pa persona madhore në përbërjen familjare, tarifë e cila do të shërbente për përmirësimin e largimit të ujërave të shiut nga zonat e banuara. Po kështu edhe projekt vendimi tjetër, i cili nuk u votua nga këshilltarët e majtë bënte fjalë për marrëveshjen ndërmjet Bashkisë Shkodër dhe GIZ për financimin e projektit “Përshtatja ndaj ndryshimeve klimaterike në menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet, Ballkani Perëndimor”.
Ky investim i përbashkët i Bashkisë Shkodër dhe GIZ do të adresohej në përballimin e kostove për pastrimin e kanaleve kryesore kulluese, investim i cili do të përmirësojë në mënyrë të dukshme punën e mirë të bërë deri më tash nga Bashkia Shkodër për uljen e rrezikut të përmbytjeve. Qendrimi i mbajtur nga këshilltarët e majtë tregon edhe një herë se qëllimi i tyre nuk është përmirësimi i administrimit të qeverisjes vendore, por pengimi i saj në ushtrimin e detyrës. Demagogjia e tyre tashmë shihet qartë nga të gjithë qytetarët e Bashkisë Shkodër, pasi realizimi i këtyre projekteve do i shërbejë të gjithë qytetarëve pavarësisht se për kë ata kanë votuar. Partia Demokratike dhe grupi i këshilltarëve të djathtë i garanton qytetarët e Bashkisë Shkodër se do marrë të gjitha masat e duhura për miratimin e këtyre dy projekt vendimeve të cilët hapin rrugën e investimeve për përmirësimin e cilësisë së jetës të të gjithë qytetarëve”, përfundon deklarata.

Artikulli paraprakEuropa pret nga ne ndryshimin
Artikulli tjetërMasakrohet nga policia, qytetari humb shikimin