Masakrohet nga policia, qytetari humb shikimin

Një punonjës policie në Korçë ka masakruar barbarisht një person për motive banale. Bëhet e ditur se punonjësi i policisë, Gjergji Gjorgji ka masakruar 59-vjeçarin Ilir Terolli nga Zvezda e Korçës. Ngjarja ka ndodhur në 18 nëntor, por megjithë denoncimin në polici dhe Prokurori nuk është marrë asnjë masë ndaj policit, i cili vijon ende punë në pikën e kalimit të kufirit në Goricë. Ilir Terolli ka patur miqësi me çiftin Gjorgji, por kjo nuk e ka ndihmuar. Njëri sy i është dëmtuar seriozisht. Por edhe pse polici u denoncua, familja Terolli vazhdon të persekutohet prej tij. Polici i pikës doganore të Goricës, Gjergji Gjorgji është proceduar penalisht në gjendje të lirë për rrahje me dashje, ndërsa vijon të mbetet në detyrë.
Në 18 nëntor, 59-vjeçari Terolli, i shoqëruar edhe nga persona të tjerë, në një kafene në qytetin e Kosturit në Greqi, ka dashur të paguajë kafen e bashkëshortes së policit dhe të një shoqeje të saj, meqë prej 15 vjetesh njihej me bashkëshortin e saj. Terolli në një prononcim për “Mozaik Media” tregon se, “disa ditë më pas u takova rastësisht me policin Gjorgji, të cilin e njihja prej 15 vjetësh, u habita kur m’u drejtua sikur unë paskam dashur të bëhesha ‘hamshori’ i gruas së tij. Më pas, më goditi me grusht në sy, më shtriu përtokë dhe me këpucë më godiste në fytyrë. Rashë pa ndjenja dhe u zgjova në spital. Hundën e kisha të thyer, kisha plagë, por më kryesorja është se kam humbur gjysmën e shikimit të njërit sy”, ka rrëfyer 59-vjeçari Ilir Terolli, i masakruar egërsisht nga polici i kufirit.
Nga ambjentet e Spitalit të Korçës, familjarët e Terollit kanë bërë denoncimin në polici. Por edhe pse në ambjentet e spitalin e kanë vizutuar mjeku ligjor, kryeinspektori i SHKB-së rajonale edhe Prokurori asnjë masë nuk është marrë ndaj policit Gjorgji. Mjeku ligjor dëmtimet i ka klasifikuar si rrahje me pasoja të lehta, ndërkohë që mësohet se inspektori i SHKB-së e ka lënë dosjen të flejë, duke mos e përcjellë tek eprorët e tij, ndërsa prokurori, Ilia Bano është shprehur se po e heton ende ngjarjen.
Por nga ana tjetër, polici Gjergji Gjorgji vazhdon presionin ndaj familjes Terolli për të tërhequr denoncimin. 59-vjeçari denoncon publikisht rastin, duke thënë se Gjorgji i ka kërcënuar bashkëshorten dhe nusen e djalit, që të tërheqin denoncimin. “Të gjitha këto, pasi unë kam refuzuar sekserët e tij, të cilët më ofruan 10 milionë lekë të vjetra për të tërhequr denoncimin”, shprehet Terolli.
Ndërkohë, burime nga policia bënë të ditur dje pasdite se inspektori Gjergji Gjorgji, me detyrë Ndihmës specialist kontrollor në SPKM Pustec është pezulluar nga detyra. Ndaj tij, zyra e SHÇBA së Korçës kishte marrë një kallëzim nga shtetasi I.T. për ushtrim dhune psikologjike dhe fizike. Nga veprimet e para hetimore është konkluduar se ka patur një konflikt fizik mes punonjësit të policisë dhe kallëzuesit, por në momentin e konfliktit, punonjësi i policisë nuk ka qenë në detyrë apo shërbim.
Konflikti fizik dyshohet se është provokuar nga motive të dobëta. Materialet me veprimet e para hetimore i kaluan Prokurorisë. Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, e cila ka regjistruar procedimin për veprën penale: “Plagosje e lehtë me dashje.
Gjendet i vdekur 40-vjeçari në Devoll
Një 40-vjeçar i deklaruar i humbur rreth dy javë më parë nga të afërmit që kishin denoncuar në polici, është gjetur i mbytur në lumin Devoll. Sipas të dhënave të para, trupi i pajetë është gjetur nga një banor i zonës në Gramsh, i cili ka lajmëruar policinë. Pas mbërritjes së policisë dhe nga këqyrja paraprake e kufomës është ngritur dyshimi se ai i përket një personi të zhdukur 14 ditë më parë dhe që rezultonte i sëmurë mendor. Policia vijon hetimet.

Artikulli paraprakPD: Këshilltarëve të majtë nuk i intereson Shkodra!
Artikulli tjetërBalili ka mbrojtjen e policisë, Krimet e Rënda nisin hetimet