Europa pret nga ne ndryshimin

Nuk ka shpresë tjetër përveç rinisë

Lulzim BASHA

Zoti na ka falur sot një ditë kaq të bukur, të bukur në qiell edhe më të bukur këtu në sheshin “Demokracia”.
Dua t’ju falënderoj nga zemra për mundësinë që më jepni në ditën tuaj, në Ditën e Rinisë të bashkëbisedojmë dhe së bashku nga ky shesh i “Demokracisë” t’i çojmë çdo të riu shqiptar mesazhin që dëgjoi sot Tirana, Shkodra, Vlora, Korça, Durrësi,  Elbasani dhe Fieri, mesazhin e shpresës, mesazhin e bashkimit, mesazhin e lirisë, demokracisë dhe Europës që ka emrin e rinisë shqiptare, fytyrën dhe zërin tuaj.
26 vite më parë ky shesh kumbonte me thirrje “Liri, demokraci!”, “E duam Shqipërinë, si gjithë Europa!”. Ndaj dhe mendimi im i parë, sikundër jam i sigurt i shumicës prej jush, shkon për studentët e Dhjetorit 1990, tek rinia shqiptare, tek një nga momentet më të mrekullueshme të historisë tonë, momentin kur rinia tha: “Boll!”, “Mjaft!”, vrau frikën dhe çeli rrugën e lirisë për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.
Qëndronte prijësi i rinisë shqiptare, tek Azem Hajdari i pavdekshëm, tek ata dhjetëra qindra mijëra të rinj të Dhjetorit 1990, fjalët e mia nuk e përshkruajnë dot kurrë, nderimin dhe respektin që unë ndjej jo vetëm sot si kryetar i Partisë Demokratike, por edhe si 17-vjeçari i vitit 1990 këtu në këtë shesh.

Ata studentë, heronjtë e mi
Jeta i ka përplasur shumë prej tyre mes vështirësitë dhe zhgënjimeve, disa nuk janë më në Shqipëri, disa nuk janë më mes nesh. Por ata të gjithë, të gjithë pa përjashtim nga i pari tek i fundit janë heronjtë e mi, janë heronjtë e rinisë, janë heronjtë e Shqipërisë.
Si mundi, si mundi një grup të rinjsh të përballet me diktaturën më të egër në Shqipëri. Këtë pyetje nuk ia kam bërë vetes ato ditë, por i kam bërë vazhdimisht këto vite të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Cili ishte sekreti, pse kur shumëkush fshihej, trembej, rinia u ngrit dhe përcaktoi fatin e Shqipërisë, përcaktoi rrugën e re të lirisë? Si?! Pse?! Çfarë bëri?!
Vrau frikën me kurajo, nuk e vrau me armë, nuk e vrau me tanke. Frikën nga diktatura, frikën nga Sigurimi, frikën nga shtypja, frikën nga terrori, nuk iu kundërvu tankut me tank, zjarrit me zjarr, dogmës me dogmë. E vrau frikën siç është vrarë frika në tre mijë vite histori të civilizimit njerëzor; me forcën e idesë, me forcën e vlerës. Ideja, vlera, kishte dhe ka një emër, liri!
E vrau me vlerën e lirisë dhe liria u hap si një mundësi për të gjithë shqiptarët. Çfarë mësimi tjetër më të vyer mund të ketë një popull nga rinia e vet, sesa ky që përballë terrorit psikologjik, përballë dhunës të përditshme, përballë krimit dhe korrupsionit, më e fuqishmja armatë, forca më e madhe e papërballueshme e një shoqërie, është rinia që ngrihet dhe lufton për rini.
26 vite më parë ne kërkuam liri, demokraci dhe Shqipëri si gjithë Europa. Sot pas 26 vitesh, liria, demokracia dhe Europa mbeten aspirata të paplotësuara. Ndaj dua që sot në këtë shesh të historisë, që është dhe e ardhmja dhe nuk ka bukuri më të madhe sesa sheshi i “Demokracisë” të jetë e ardhmja e Shqipërisë europiane, të flasim së bashku me njëri-tjetrin, me rininë shqiptare, me shqiptarët kudo ku na ndjekin, për sfidat tona, për sfidat e shqiptarëve dhe për rrugën që do të përshkrojmë së bashku, të bashkuar të gjithë, të rinjtë në ballë dhe pas tyre e gjithë Shqipëria, të djathtë e të majtë për një Shqipëri europiane.
Pse pas 26 vitesh liria, demokracia dhe Shqipëria si gjithë Europa mbeten aspiratë?! Pse jemi të fundit?! Pse nuk jemi zotër të fateve tona, siç u bënë çekët, sllovakët, gjermanolindorët, hungarezët?! Çfarë duhet të bëjmë për të përshkruar rrugën që ka mbetur akoma pa u bërë, nga idealet e 8 Dhjetorit 1990, tek stacioni ynë për shqiptarët dhe Shqipërinë si gjithë Europën?!

Çfarë shkoi keq dhe si do ta ndryshojmë?!
Më lejoni të ndaj fare shkurt disa nga reflektimet e mia. Sepse njeriu duhet të reflektojë mbi atë çfarë ndodh, mbi atë çfarë bën gabim kundërshtari, mbi atë çfarë kemi bërë gabim vetë, në mënyrë që të korrigjojë dhe të ecë përpara!
Demokraci, sa fjalë e bukur dhe kuptimplotë. Demokraci, sundim i popullit, sundim i qytetarëve. Por sot nuk kemi demokraci, kemi autokraci. Një fjalë që flet vetë, sundim për veten tënde, pushtet i pakufizuar, në duart e kryeministrit, pushtet i pakufizuar në duart të një grushti njerëzish që ka zëvendësuar demokracinë me autokracinë, ekonominë e lirë të tregut me sipërmarrjen e bizneseve klienteliste të partive politike të pushtetit. Shoqërinë e pavarur civile me shoqëri të kapur, të joshur, e të trembur. Median e lirë dhe të pavarur, me median e nënshtruar, të trembur, të shantazhuar, të goditur dhe të blerë. Me ushtri dhe radha pseudoanalistësh, të cilët nuk përfaqësojnë më interesat qytetare, por interesat e partive, interesat e pushtetit, me një popull të tërë të skllavëruar nga nevojat themelore, nga frika e humbjes së gjërave bazike të bukës, të vendit të punës, të dinjitetit. Të një Shqipërie, pasuritë e së cilës nuk janë më për të gjithë shqiptarët, por vetëm për një grusht pushtetarësh, të një Shqipërie ku nuk ecën përpara i zoti, i afti, nuk ecën përpara talenti, nuk ecën përpara maturanti me mesataren më të lartë, nuk ecën përpara sipërmarrësi i ndershëm, ai që konkurron me shërbime dhe produkte më cilësore dhe me kosto më të mirë, por ecën përpara ai që përcakton njëshi, i forti i katundit, i forti i qytetit, i forti i Kryeministrisë, i plotfuqishmi që pushtetin që i takon qytetarëve e ka uzurpuar për veten e tij dhe e përcakton nga zyra e tij, nga telefoni i tij, se cili biznes do të ecë e cili do të ngecë, se ku do të shkojë taksidari e doganieri për të terrorizuar sipërmarrësit, se si mijëra studentë që shkëlqejnë nuk ecin përpara sepse u rriten tarifat. Vetëm një grusht klientësh, servilësh të kryetarit mund të bëjnë përpara.
Deputetë nuk bëhen ata që përfaqësojnë më së miri interesat e të djathtëve dhe të majtëve, por ata që përfaqësojnë interesat e kryetarit, bizneset e kryetarit, pasurinë e kryetarit, pushtetin e kryetarit. Një politikë pra, e kapur peng nga një grusht pushtetarësh që mendojnë vetëm për pushtet dhe për pasurinë e tyre, parti politike që mendojnë vetëm për pushtetin e tyre dhe jo për qytetarët. Një ekonomi kombëtare e rrënuar nga mungesa e konkurrencës, ku vlen kulti i të fortit, i atij që di dhe njeh gjuhën e allishverishit me taksidarin dhe doganierin. Kanë mbytur ëndrrën e sipërmarrjes së lirë, mbi meritën dhe aftësinë. Sot shqiptarët presin nga ky shesh jo mesazhin tim, por mesazhin tuaj siç e dhatë sot në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë. Mesazhin se ne: rinia shqiptare me këtë gjendje, refuzojmë të jemi skllevër të një autokracie të veshur si demokraci, të një ekonomie të kontrolluar nga pushteti dhe klientët e saj, të një vendi ku frikën nga terrori i diktaturës, i Sigurimit të Shtetit, i internimit, i burgosjes, e ka zëvendësuar frika nga taksidari që të vjen dhe të mbyll biznesin. Nga nëpunësi dhe drejtori i papërgjegjshëm që të heq ty apo të afërmin nga puna, për hiçgjë, për t’i hapur vendin dikujt që vjen me nepotizëm dhe pa meritë apo dikujt që nuk mendon njësoj si ty për Shqipërinë dhe zgjidhjet që do ta çojnë atë në Europë.
Frika se gjithçka është në duart e njëshit dhe asgjë nuk është më në duart e qytetarëve. Frika dhe terrori me të cilën sot kjo kastë e korruptuar dhe e inkriminuar sundon Shqipërinë, sundon ekonominë, sundon institucionet dhe përpiqet të sundojë mendjet dhe shpirtrat e shqiptarëve. Ky është armiku i vërtetë i çdo shqiptari të djathtë dhe të majtë, dhe unë jam i bindur se sot rinia demokrate dhe çdokush që u bashkua me ju, nuk u ngrit thjesht dhe vetëm kundër disa figurave që përfaqësojnë vesin më të keq të këtij pushteti të korruptuar dhe të inkriminuar, por dha sot më 8 Dhjetor 2016 shenjën, kushtrimin se rinia demokrate dhe rinia shqiptare kanë vendosur të ngrihen përsëri për të mposhtur frikën dhe për t’i kthyer të rinjve shqiptarë dhe çdo shqiptari atë që është e tyre, të drejtën për të jetuar në liri, të drejtën për të vendosur me demokraci, të drejtën për të ndjekur e për të arritur lumturinë siç e mendojmë ne, jo siç e përcakton njëshi në parti apo në Kryeministri.

Liria fillon nga shtëpia jonë
Në këtë bashkëbisedim, në këtë reflektim dua t’ju them se çfarë jam unë gati të bëj për të qenë në lartësinë e shpresës, ëndrrës dhe pritshmërisë së çdo të riu sot këtu në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë. Dua t’ju them nga ky shesh i frymëzimit për liri dhe demokraci se liria si zgjidhja për gjendjen e tmerrshme ku ndodhet vendi, fillon nga shtëpia jonë, nga liria për të shprehur pa asnjë kompleks mendimin tuaj, me zë të lartë, për të kritikuar këdo dhe për të ofruar zgjidhje siç ju i mendoni. Liria për të mos qenë servilë të kryetarit apo deputetit, liria për të qenë vetvetja, liria për të qenë forca më e madhe në Partinë Demokratike, forca e ndriçimit, forca e të nesërmes. Kjo nuk është një betejë thjesht dhe vetëm për të sjellë Partinë Demokratike në pushtet, sigurisht është edhe për këtë, kjo nuk është thjesht dhe vetëm një betejë për të më dhënë mua dhe ekipit tim, që do të stoliset nga bijtë dhe bijat më të reja e më të mira të shqiptarëve, mundësinë për të ndryshuar Shqipërinë! Kjo është beteja për t’i kthyer shqiptarëve shpresën, duke iu kthyer lirinë dhe demokracinë që është e tyre dhe sot është tjetërsuar, është privatizuar.
Nga ky shesh nisi ëndrra për liri, por sot liria është privatizuar dhe i takon vetëm një grushti njerëzish që pasurohen ditë për ditë në kurrizin e mijëra, miliona shqiptarëve që varfërohen ditë për ditë. Njëqind mijë shqiptarë janë larguar vetëm vitin e kaluar, shumica prej tyre të rinj, janë larguar nga vendi i tyre, nga shtëpitë e tyre, nga komuniteti i tyre, për në vende ku shpeshherë nuk kanë njohur as gjuhën, ndoshta shpeshherë pa bekimin e Zotit me këtë diell dhe këtë kohë dhe këtë bukuri natyrore dhe këto resurse që ka Shqipëria, por kanë shkuar në vende ku ka liri! Liri për ecur përpara! Ku ka demokraci, ku qytetarët kanë në dorë fatin e tyre, janë zotër të fatit të tyre dhe jam i bindur se beteja e rinisë shqiptare që sot i dhatë zë me pjesëmarrjen tuaj të mrekullueshme në këtë shesh dhe para këtij sheshi, me protestat tuaja anembanë Shqipërisë dhe këtu në Tiranë, është t’ia kthejmë këtë liri shqiptarëve, t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, t’i kthejmë qeverisjen shqiptarëve përmes demokracisë dhe fuqizimit të shqiptarëve!
Lindëm jo si parti e parisë, jo si parti e një grupi njerëzish që duan të vijnë me çdo kusht në pushtet, lindëm si një parti e shpresës për çdo shqiptar, si parti e lirisë për çdo shqiptar, jemi prapë ajo parti pas 26 vjetësh. Me arritjet tona për të cilat jemi krenarë, me gabimet tona për të cilat reflektojmë dhe duhet të reflektojmë, por jemi prapë parti e shpresës për çdo shqiptar, parti e çdo shqiptari dhe parti e Shqipërisë.

35% e kandidatëve për deputetë të PD nga rinia
Që çdo shqiptar ta dijë e ta besojë dhe ta gëzojë këtë që po them, ne duhet të ndryshojmë edhe mënyrën se si funksionojmë në shtëpinë tonë, ne duhet të forcojmë demokracinë e brendshme, ne duhet t’i japim mundësinë çdokujt që ka një ide, një vizion, një platformë, një vlerë për të ndarë, të konkurrojë lirshëm dhe të përfaqësojë lirshëm interesat e demokratëve dhe interesat e Shqipërisë. Reflektimi im përsa i përket rinisë është i qartë. 35% e kandidatëve për grupin e ardhshëm parlamentar të Partisë Demokratike do të vijnë nga ju. Dhe ju do të jeni ata që do t’i zgjidhni lirisht me votën tuaj, sipas aftësive të tyre, sipas vlerave të tyre, sipas bindjes që do të krijoni se ata do të përfaqësojne interesat tuaja dhe të mbarë Shqipërisë. Jo interesat e kryetarit, as të madhit, as të kryetarit të rrethit, por interesat e Shqipërisë, interesat e shqiptarëve, interesat e rinisë.
Nëse kemi ardhur sot në një Shqipëri me emigracion masiv, me pushtet arrogant dhe autokrat, të korruptuar dhe të inkriminuar, kjo do të thotë që kemi mbyllur një cikël 26-vjeçar, dhe ende kemi shumë probleme të njëjta, me ato që ngritën peshë në këtë shesh rininë, 26 vite më parë. 26 vite më parë heronjtë tanë me forcën e ideve dhe vlerave e hapën rrugën. Sot pas 26 vitesh, ajo që kërkoj, ajo që pyes, ajo për të cilën ju bëj apel ju dhe çdo të riu shqiptar është: A jeni gati përsëri të merrni në dorë fatin e Shqipërisë, fatin tuaj? Sepse vetëm kështu, liria do të marrë kuptimin që ka në Europë. Vetëm kështu demokracia do të thotë me të vërtetë pushtet për qytetarët dhe jo për kryetarët. Pushtet për njerëzit dhe jo për politikën. Pushtet për një ndryshim të vërtetë që qytetarët ta besojnë, ta shijojnë, ta prekin e ta gëzojnë dhe jo të jetë monopol për një grup njerëzish, të cilët sot jetojnë si sheikë mbi djersën, mundin dhe varfërinë e shumicës. Dy botë para 26 vitesh ekzistonin. Bota e bllokut, bllokut të mbyllur komunist pak më larg se këtej dhe Shqipëria e vërtetë, e prapambetur, e ndrydhur, e shtypur, e terrorizuar. Edhe sot ka dy botë. Edhe sot ka një bllok, ndonëse nuk jetojnë të gjithë në një vend. Por janë një grusht njerëzish, një kastë, një moçal, një kënetë jo me bretkosa, por me krokodilë të korrupsionit dhe të krimit. Dhe një botë e Shqipërisë së vërtetë me ekonomi anemike, pa konkurrencë, me sipërmarrës që vetëm paguajnë taksa që nuk ju kthehen kurrë si shërbime. Me shëndetësi të falimentuar. Me rini të lënë midis dy zgjedhjeve, të dëshpërimit apo largimit nga vendi. Me fermerë të lënë midis dy alternativave, falimentimit apo mbjelljes së hashashit. Dy botë dhe njësoj si para 26 vitesh kur udhëheqësi komunist krenohej se jemi populli më i mbiushqyer në botë, ndërkohë që shqiptarët nuk merrnin dot as vlerat elementare ushqimore të një ekonomie të rraskapitur, edhe sot Kryeministri na kujton, ndërkohë që ju ishit në protestë, të lexoni raporte. Populli nuk jeton duke lexuar raporte. Rinia nuk arsimohet duke lexuar raporte. Aq më pak, raporte të porositura e të paguara për ta bërë të zezën të bardhë. E zeza nuk bëhet kurrë e bardhë me propagandë. Nuk bëhet kurrë me mashtrim.

Rinia përcaktuese për fatet e vendit
Fati i shqiptarëve është në duart e shqiptarëve. Por fatin e shqiptarëve gjithmonë e ka përcaktuar rinia. Liria dhe rinia janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Sot thirrja për liri është në fakt apeli ndaj rinisë për t’u ngritur përsëri, për të refuzuar kastën, për të refuzuar pushtetin e pakufizuar, për të refuzuar dogmën, për të refuzuar padrejtësinë, për të refuzuar korrupsionin, për të refuzuar krimin dhe për të përqafuar vlerat europiane.
Të gjithë të barabartë para ligjit. Mundësi për të gjithë, në një Shqipëri që i ka të gjitha mundësitë për t’i mbështetur të gjithë. Por për këtë, na duhet një qeverisje për qytetarët. Për këtë, na duhet një Parti Demokratike për shqiptarët, një Parti Demokratike për rininë, një Parti Demokratike për të rinjtë.
Liria ështe vlera me të cilën do të ecim përpara. Unë do të bëj gjithçka që liria në Partinë Demokratike t’u japë mundësinë gjithsecilit prej jush të shpalosë vlerat tuaja më të mira e të merrni përgjegjësitë më të larta pa asnjë kufizim. Duke përfshirë, jam i sigurtë, një ditë jo shumë larg, edhe përfaqësimin e Partisë Demokratike në nivelin më të lartë, edhe në nivelin e  kryetarit të Partisë Demokratike. Dhe dua t’i them çdo të riu e të reje shqiptare, se ky është misioni im. Ky do të jetë misioni im në qeverisje nesër. Asgjë nuk do të na bjerë nga qielli. Asgjë nuk do të ndryshojë po nuk e ndryshuam ne. Dhe ne mund dhe do ta ndryshojmë vetëm përmes lirisë, vetëm përmes demokracisë, vetëm përmes vlerave që i bëjnë vendet europiane të dëshirueshme, të përparuara, destinacionin e çdokujt, që sot sheh me dëshpërim një Shqipëri të rrënuar.
Nuk dua të zgjatem në këtë bashkëbisedim, sepse jam i sigurt që ju keni shumë për të thënë dhe për të dhënë mendimet tuaja dhe shqiptarët presin, unë pres, pres nga ju, pres nga gjithsecili prej jush, nga mijëra e mijëra të rinj të mos largohen, por të qëndrojnë e të luftojnë, të përballen e të fitojnë. Shqipëria është e juaja, e askujt tjetër. Dhe së bashku, së bashku me çdo shqiptar të ndershëm pavarësisht prej kredos politike, pavarësisht prej bindjes dhe formimit, jam i sigurt se shkëndija e shpresës që ndizni sot nga ky shesh, do të kthehet në një zjarr të madh besimi që do të përvëlojë kastën e do t’i kthejë shqiptarëve të drejtat që u janë mohuar, të drejtën e pronës, të drejtën e punës me djersën e ballit, të drejtën e votës. Dua të ndaj me ju, i sapokthyer nga Brukseli dhe Berlini, se në krahun tuaj nuk do të jem vetëm unë e çdo demokrat i ndershëm e çdo dhjetorist me shpirt e trup, por do të jenë të gjithë miqtë dhe aleatët tanë, të gjithë ata që na kanë ndihmuar këto 26 vite të vështira të tranzicionit, që më dhanë mesazhin se presin nga demokratët, se presin nga rinia shqiptare jo thjesht një hap më shumë, por një ndryshim rrënjësor, një ndryshim rrënjësor për t’i kthyer qeverisjen qytetarëve, për t’i kthyer buzëqeshjen shqiptarëve, për t’i kthyer Shqipërisë shpresën dhe besimin se do të jetë si gjithë Evropa, me liri me demokraci me përparim, zhvillim dhe punësim. Gëzuar 8 Dhjetorin! Zoti e bekoftë rininë shqiptare!

Artikulli paraprakTë rinjtë protestojnë para qeverisë dhe bashkisë
Artikulli tjetërPD: Këshilltarëve të majtë nuk i intereson Shkodra!