Një i vrarë dhe katër të plagosur në dy aksidente

Një grua ka mbetur e vdekur dhe tre persona të tjerë janë plagosur dirtën e djeshme në dy aksidente. Bëhet e ditur se, një kamion që kalonte në fshatin Mjedë, në Vaun e Dejës përplasi një grua 52 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas njoftimit të policisë mjeti drejtohej nga  Agim Uka, 38 vjeç, banues në Pukë. Viktima quhet Afërdita Lohja 52 vjeçe banuese në fshatin Mjedë. Policia shoqëroi drejtuesin e mjetit në ambjentet e Komisariatit të Shkodrës për verifikimin e shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, një automjet tip “Benz” ka fluturuar jashtë rruge në qytetin e Bulqizës, duke plagosur katër shtetas tre prej të cilëve fëmijë. Policia thotë se ngjarja ka ndodhur në aksin që lidh Qytetin e Vjetër me Qytetin e Ri të Bulqizës, ndërsa drejtuesi i “Benz”-it, 19-vjeçari Aurel H, ka deklaruar se kishte devijuar rrugën për të shmangur një fëmijë.
“Në momentin e daljes nga rruga, ka aksidentuar katër shtetas, ku tre prej tyre ishin fëmijë, të cilët ishin duke lëvizur në trotuar dhe konkretisht U.H, K.J, dhe E. B nga 11 vjeç (të tria vajza) si dhe shtetasin Sh. S,  31 vjeç. Të katër të aksidentuarit janë dërguar menjëherë në Spitalin e Bulqizës, ku po marrin ndihmën mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën”, informon Policia lokale.
Gjithashtu është dërguar në spital në Bulqizë për ndihmë mjekësore edhe drejtuesi i mjetit, edhe ky jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po kryen veprimet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Drejtuesi i mjetit pas ndihmës mjekësore, do të shoqërohet në Komisariatin e Policisë Bulqizë, për veprime të mëtejshme.
Ndërsa pasditen e të mërkurës, një person është plagosur në një aksident automobilistik në Korçë. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të rrugës Korçë-Ersekë pranë fshatit Dvoran, ku dy automjete u përplasën.

Artikulli paraprakDhomat e huaja të Tregtisë: Në Shqipëri biznesi nuk ka siguri
Artikulli tjetërVritet pronari i një lokali në Vlorë, plagoset i riu në atentat në Tiranë