Dhomat e huaja të Tregtisë: Në Shqipëri biznesi nuk ka siguri

Në një takim të Dhomave Bilaterale në Shqipëri, të mbajtur në zyrat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe, përfaqësuesit e Dhomave më me zë në Shqipëri më 3 maj 2017, ranë dakord që të krijojnë një platformë më të mirë të komunikimit midis këtyre institucioneve me qëllim unifikimin e informacionit, thjeshtëzimit të tij në mbështetje të kërkesave të investitorëve të huaj që dëshirojnë të vijnë në Shqipëri. Gjithashtu, edhe 11 Dhoma dhe organizata të tjera të biznesit kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj këtij propozimi. Dhomat Bilaterale te Britanisë, Gjermanisë, Austrisë, Turqisë dhe Dhoma Botërore e Tregtisë ICC propozuan mbi strukturën dhe ecurinë e këtij bashkëpunimi.
Takimi u drejtua nga drejtuesi i Lartë i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe Lordi Watson i Richmond dhe Presidenti i saj, zoti Zenel Hoxha. Takimi zgjati më shumë se një orë e gjysëm dhe pjesëmarrësit ishin unanim në faktin se investitorët e huaj në Shqipëri ndeshen me vështirësi reale, duke përfshirë mungesën e transparencës në kriteret e vendimmarrjes dhe politikëbërjes në Parlament, por edhe në implementimin e këtyre vendimeve nëpërmjet nën ligjeve mbështetëse. Kjo në përgjithësi krijon problematika që çon në çështje gjyqësore, të cilat marrin jashtë mase shumë për t’u zgjidhur në Gjykata dhe gjithashtu marrëveshjet pësojnë ndryshime arbitrare të kushteve fillestare, duke çuar në zhvlerësimin apo tjetërsimin e oportunitetit të biznesit për të cilën kompanitë kanë investuar.
Gjithashtu të pranishmit theksuan se kanë bindjen se një pjesë e mirë e deputetëve apo politikanëve në përgjithësi nuk arrijnë të kuptojnë nevojat e biznesit dhe rrjedhimisht u ra dakord unanimisht, që të përgatitet një deklaratë e Dhomave Bilaterale, ku të listohen kërkesat për garanci që kërkojnë investitorët e huaj, për të fituar besimin e tyre dhe investimet e tyre.
Të gjithë të pranishmit ishin dakord me potencialin ekonomik që ka Shqipëria, në shumë sektorë si minierat, turizmi dhe bujqësia dhe gjithashtu ishin në të njëjtin mendim kur shprehën kritikën e tyre për mos shfrytëzimin e këtyre potencialeve dhe mbajtjes së tyre jashtë përdorimit për interesa të ngushta klienteliste. Grupi do të dërgojë dokumentin e përbashkët në Parlament dhe prioritet do të jetë rritja e dialogut me partitë në pushtet dhe opozitare. Dhomat Bilaterale do të takohen sërish në muajin qershor, kësaj here në zyrat e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë ICC Albania.

Artikulli paraprakShpërthim i fuqishëm në magazinën pranë Komisariatit Nr.5 të policisë
Artikulli tjetërNjë i vrarë dhe katër të plagosur në dy aksidente