Vritet pronari i një lokali në Vlorë, plagoset i riu në atentat në Tiranë

Pronari i një lokali në qytetin e Vlorës u gjet i vrarë në lokalin e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:15 të mëngjesit të djeshëm në lagjen “28 Nëntori”. Policia bëri të ditur, se është gjetur i pajetë një shtetas brenda në lokalin e tij.  Sipas policisë, viktima është shtetasi L.Xh., rreth 50 vjeç, pronar i objektit ku është gjetur i vdekur. Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së pronarit të lokalit. Policia bëri të ditur se, grupi hetimor po punon për zbulimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur.
Ndërkohë, një person është plagosur në kryeqytet, pasi është qëlluar me armë zjarri nga dy shtetas që udhëtonin me motor. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:20 të ditës së djeshme në rrugën “Xhanfize Keko”, pranë Xhamisë në Kinostudio. I plagosuri Dejvis Rustemaj, 26 vjeç, është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.“Nga hetimet paraprake të kryera, dyshohet se ky shtetas është qëlluar nga një shtetas, i cili po udhëtonte në motor së bashku me një shtetas tjetër”, thuhet në njoftimin e policisë. Pas atentatit, të dy autorët janë larguar me motor. Policia tha se, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.
26-vjeçari Rustemaj është një emër jo i panjohur për policinë. Në shkurt të vitit 2016, ai në bashkëpunim me një person tjetër me iniciale A.Ç, kanë kërcënuar me armë në rrugën “Mine Peza” në Tiranë djalin e një biznesmeni me inicialet I.F, dhe një 23-vjeçar me inicialet A. F. Ata kanë qenë shpallur në kërkim nga policia dhe që prej asaj kohe nuk kanë qenë arrestuar. Këtë të enjte, Rustemaj është qëlluar nga dy persona me motor përpara një bilardoje. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital.

Artikulli paraprakNjë i vrarë dhe katër të plagosur në dy aksidente
Artikulli tjetërI moshuari tenton të vetëvritet para AKP-së: Më ktheni pronat