Të ardhurat nga renta në rënie

Një nga zërat me rezultate në rënie në të ardhurat në buxhetin e shtetit është ai nga renta minerare. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, rezulton se të ardhurat nga renta minerare për periudhën 8-mujore është me rënie krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por duke krahasuar këto të dhëna, vihet re se të ardhurat nga renta minerare janë me ulje gjatë pesë viteve të fundit. Kështu, treguesit e kësaj takse nga viti 2013 deri në vitin 2017 janë në rënie.
Tabela
2013 5.1 miliardë lekë
2014 4.8 miliardë lekë
2015 2.5 miliardë lekë
2016 1.7 miliardë lekë
2017 1.5 miliardë lekë
Sipas analizës së ekspertëve të financave, ndikim kryesor ka patur ulja e çmimit të mineraleve në tregun ndërkombëtar, si pasojë e krizës ekonomike globale. Renta minerare paguhet nga çdo person fizik apo juridik, që është i licencuar dhe/ose vepron në industrinë minerare, sipas një marrëdhënie kontraktuale me entin publik për burimet natyrore minerare nga/mbi/dhe nëntoka e territorit të Republikës së Shqipërisë. Renta minerare është tatim si përqindje e caktuar mbi vlerën e përgjithshme të shitjes me shumicë të produktit. Në rastin kur produktet shiten brenda vendit, ngarkohen degët e tatimeve për arkëtimin e kësaj rente. Në rastin e eksportit të produkteve minerare, renta paguhet në çastin e bërjes së deklaratës së eksportit dhe janë degët e doganave në rrethe që ngarkohen për arkëtimin e kësaj rente. 25 për qind e të ardhurave nga renta minerare i kalojnë pushtetit vendor në territorin e të cilit zhvillohet veprimtaria eksportuese.

Artikulli paraprakTAP, përfundon dërgesa e të gjithë tubacioneve në Shqipëri, Greqi, Itali
Artikulli tjetërNdarja Territoriale, 60 milonë USD më shumë shpenzime në një vit