“Mezi po pres të vijë koronavirusi në Shqipëri”, habit sërish kryeinspektorja e Shëndetit, ja çfarë thotë

Kryeinspektorja për shëndetin në Tiranë, Areti Beruka, pasi deklaroi para pak kohësh se “mezi po priste të vinte koronavirusi në Shqipëri”, ka habitur sërish me deklaratat e saj.

Sot ajo është shprehur se, në Shqipëri është mirë që 60-% e popullsisë të infektohet nga koronavirusi. Në një lidhje me Skype në emisionin “Ditari”, Beruka sqaroi edhe deklaratën e saj të parë, teksa u shpreh se mezi priste rastin e parë me Covid-19 në Shqipëri dhe shtoi se infektimi në masë e ruan tufën.

“Shprehja është hequr nga konteksti. Kur thashë pres që të vijë rasti i parë, është mirë që çdo popullatë të kapet nga viruset për të krijuar atë që quhet “mbrojtjen e tufës” në imunologji. Virusi është si vaksinë natyrale, që në rast se nuk kap 60% të popullsisë, kjo popullatë është e pambrojtur.

Hyrja e virusit nuk do vizë, nuk varet nga unë dhe nga askush. Këtë kam patur parasysh kur e kam thënë si mjeke. Mbrojtja që krijon, bën që kur të rikthehet virusi në vjeshtë, forca e tij do të jetë më e ulët pikërisht nga imuniteti që ka krijuar 60% e populates”, deklaroi Beruka.

Drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor Areti Beruka, e ftuar në studion e Report Tv, më 26 shkurt, lidhur me koronavirusin u shpreh se vetë personalisht si mjeke mezi po e pret rastin e parë të prekur me koronavirus në Shqipëri.

“Ndoshta me profesionin por edhe me karakterin. Por ta them personale, jo profesionale mezi e pres rastin e parë në fakt, unë si mjek. Mjekësia nuk bëhet me fall filxhani por me statistika, me të dhëna dhe me menaxhim. Na jepni shansin dhe mundësinë të menaxhojmë ashtu siç po e e menaxhojmë dhe fakti i skepticizmit është ky që po përpiqemi që të sqarojmë njerëzit për të kuptuar atë që duhet të besojnë”, u shpreh mjekja, deklaratë e cila bëri bujë në media.

Kjo deklaratë e Berukës vjen tre javë pasi Shqipëria ka hyrë në një izolim total për shkak të koronavirusit. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar një plan masash dhe një paketë ekonomike. Sipas tij, çdo qytetar që ka humbur puën për shkak të koronavirusit do të marrë pagën e deklaruar. E njëjta gjë vlen edhe për biznesin e vogël që është mbyllur.

Artikulli paraprak45 emigrantë në qiell të hapur prej dy ditësh në Kapshticë, mbahen të bllokuar nga policia shqiptare
Artikulli tjetërBabëzi edhe në kohë pandemie/ Mjeku denoncon skandalin: MSH abuzim me 2 tendera pa transparencë