Maskat terror në Tiranë, dy grabitje në 24 orë

Një ekonomiste e një firme private ka rënë pre e grabitjes në kryeqytet. Ngjarja sipas policisë është regjistruar rreth orës 12:30 të së hënës në rrugën “Memo Meto”, tek ish-“Restorant Durrësi”.Tre persona të paidentifikuar, i kanë dalë para automjetit tip “Volksvagen”, me drejtues shtetasin T. M 31 vjeç, dhe shtetases A. P 33 vjeçe, ekonomiste në një firmë private, të cilës i kanë marrë me dhunë shumën monetare prej 1.000.000 lekë. Policia bëri të ditur se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Po ashtu, një 56-vjeçar ka rënë pre e grabitjes me armë në orët e mbrëmjes së të hënës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:30 në Unazë të Re, në rrugën “Loni Ligori”, ku dy persona të maskuar, të cilët dyshohet të kenë patur me vete një armë zjarri, i kanë vjedhur me dhunë 7.000 lekë dhe një orë dore të markës “Omega” shtetasit I. H, 56 vjeç. Vjedhja ka ndodhur ndërsa 56-vjeçari po qëndronte jashtë automjetit të tij tip “Skoda”. Materialet iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Artikulli paraprakGjendet i vrarë me armë një 20-vjeçar në Klos
Artikulli tjetërDigjet makina e drejtorit të Policisë së Burgut Rrogozhinë