Masakra Dako, Gjykata pezullon ndërtimin e “Velierës”

Gjykata Administrative e Durrësit vendosi dje pezullimin e punimeve për ndërtimin e “Velierës”. Vendimi i gjykatës është dhënë pas padisë së bërë nga qytetarët aktivistë që kundërshtuan punimet e “Velierës”. Arsyeja e vendimit është se muret e zbuluara gjatë gërmimeve në vendin ku po kryhen punimet dyshohet se i përkasin periudhës bizantine. Qytetarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile e kanë kundërshtuar vazhdimisht këtë projekt, duke u shprehur se projekti rrezikon të betonizojë trashëgiminë kulturore në Durrës. Ky projekt nisi më nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metrash katrorë. Ai do të kushtojë rreth 18.3 milionë euro. Në total, 40 për qind e të gjithë buxhetit të vitit 2017 të Bashkisë Durrës. Ky projekt përveç kostos së lartë e dëmtimit të trashëgimisë kulturore mijëravjeçare të Durrësit është dhe një provë e klientelizmit të qeverisë Rama, ku një grup i ngushtë miqsh të Kryeministrit kanë përfituar të drejtën për të realizuar pjesën më të madhe të ndërhyrjeve infrastrukturore në vend. Projekti filloi përpara miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor nga Këshilli Bashkiak. Projekti “Veliera” është projektuar nga firma italiane e arkitekturës “Archea Associati” e arkitektit të dënuar në Itali, Marco Casamonti. Arkitekti Casamonti ka projektuar edhe stadiumin “Arena Kombëtare”, një tjetër projekt i qeverisë i përfshirë në skandale. Tenderi për ndërtimin e “Velierës” iu dha kompanisë “Everest” shpk dhe “Fusha” shpk. Kjo e fundit ka fituar edhe projektin e Sheshit Skënderbej, duke marrë tri tendera publikë të njëpasnjëshëm. Ashtu si në rasti e projektimit, kompania “Everest” dhe “Fusha” fituan vetëm sepse konkurruesit e tjerë u skualifikuan. Ndërkohë, kompania “Everest”, në të njëjtën datë, u skualifikua nga një tender i Bashkisë Tiranë, sepse nuk paraqiti vërtetimin e pagesës së taksave. Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Numër 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rosë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtarë të Arkeologjisë”. Dy shtyllat e “velës” së betonit, të cilat janë shumë afër qendrës së qytetit ndodhen brenda Zonës A, cepi i tunelit ndodhet shumë pranë skajit të saj. Për mbajtjen e velës së betonit me sipërfaqe 200 metra katrorë, themelet duhet të jenë veçanërisht të forta. Ndërtimi i tyre, pa asnjë dyshim, do të dëmtojë shtresat e nëndheshme të qytetit.

Artikulli paraprakAktivisti Kristo: Më 18 shkurt të gjithë kundër arrogancës shtetërore
Artikulli tjetërKlatenburg ndryshon përgjithmonë historinë e arbitrimit