“Topi i Artë” është i Ronaldos

Cristiano Ronaldo “Topi i Artë” 2016. Portugezi dhe këtë vit fitoi trofeun më prestigjioz në planet për të katërtën herë në karrierë, duke u shpallur fitues nga prestigjiozja franceze “France Football” që këtë vit çmimin e dha pa bashkëpunimin e FIFA-s. Një trofe i pritshëm ky për portugezin që arriti të fitojë gjithçka brenda një viti kalendarik duke triumfuar fillimisht në Champions League me Realin e Madridit në finalen e Milanos dhe më pas me Portugalinë, Kampionatin Europian. Pas tij u renditën rivali i tij i përjetshëm, Lionel Messi dhe francezi Antoine Griezmann. Me 51 gola të shënuar në 55 ndeshje përfshi ekipin kombëtar dhe Realin e Madridit, Ronaldo shihej që më parë nga të gjithë si pretendenti kryesor për fitimin e çmimit, “Topi i Artë”.
Finalja e “Stade de France” e fituar nga Portugalia e tij, ku ai u largua që në fillim, por duke qenë një frymëzues nga stoli për të tijtë ishte kurorëzimi për këtë çmim prestigjioz pasi pati fituar dhe UEFA Champions League. Sezonin e kaluar, Ronaldo arriti të shënojë në total 16 gola në këtë kompeticion duke qenë dhe kryegolashënues, ndërsa në Europian ishte Këpuca e Argjendtë e kompeticionit me 3 gola. Lionel Messi ndërkohë u penalizua nga dëmtimet e shumta, por dhe fakti që nuk arriti të fitojë Copa America me Argjentinën duke humbur sërish në finale përballë Kilit. Antoine Griezmann ndërkohë pavarësisht se ishte shënuesi më i mirë i Europianit u penalizua nga humbja në dy finale, atë të Euro 2016, por dhe UEFA Champions League. Për 31-vjeçarin ky ishte Topi i tij i 4-tërt i Artë pas atyre të fituar në vitet 2008, 2013 dhe 2014.
Vetë portugezi u shpreh mjaft i emocionuar për fitimin e këtij trofeu, duke theksuar se për të është njësoj sikur po e fiton për herë të parë, ndërsa theksoi se fitimi i këtij çmimi individual nuk do të kishte qenë i mundur pa sukseset e Realit të Madridit dhe kombëtares së Portugalisë, kështu që “Topi i Artë” i përket dhe dy skuadrave të tij, ndërsa si trofeun më të rëndësishëm në karrierën e tij cilësoi fitimin e Europianit francez.

Artikulli paraprakLeku forcohet ndaj dollarit dhe euros
Artikulli tjetërKandidatët pas Messit e Ronaldos