Kompanitë e sigurimeve: Siguracionet e larta, shkak rritja e taksës dhe e dëmeve nga aksidentet

Shqipëria ka një mesatare prej 1809 automjete për 100 mijë banorë, sipas raportit vjetor për sigurinë rrugore për vitin 2015. Më shumë se 27% e automjeteve që qarkullojnë në Republikën e Shqipërisë janë të pasiguruara. Nga ana tjetër, janë më shumë se 10 milionë euro dëme të papaguara ose ndryshe 20%-30% e dëmeve totale të tregut. Këto janë detyrime, që Byroja Shqiptare e Sigurimeve ka kundrejt palëve të treta, detyrime, të cilat rrjedhin si pasojë e aksidenteve me shkaktarë të pasiguruar apo të paidentifikuar dhe që mbulohen nga Fondi i Kompensimit.
Që nga 1992 deri në 2015-ën janë regjistruar rreth 2000 aksidente me pasojë 7473 të vdekur, mijëra të tjerë të plagosur rëndë e gjymtuar. Përgjatë 3-mujorit të dytë të 2016-ës u rrit me 13%.  Sipas një studimi të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria ka një nga normat më të larta të vdekshmërisë në aksidente rrugore në Europë, mesatarisht 84.7 vdekje në vit për çdo 100 mijë automjete. Sipas Bankës Botërore, ky tregues është minimalisht dy herë më i lartë se ai i vendeve të rajonit dhe 10 herë më i lartë se vendet e zhvilluara të Perëndimit. Përveç humbjes së jetës së njerëzve, kostoja ekonomike e aksidenteve rrugore në Shqipëri është mesatarisht 130 milionë euro në vit, ose gati 1.5 për qind e Prodhimit Kombëtar. Pjesën më të madhe të kësaj kostoje e paguajnë kompanitë e sigurimeve në vend.
Sipas të dhënave zyrtare të AMF-së për periudhën janar-korrik 2016, kompanitë e sigurimeve në Shqipëri kanë paguar rreth 500 milionë lekë dëme. Raporti dëme/prime në 2015 ka qenë 23.2%, ndërsa në 2016 është 32.7%, me një rritje prej 9.5%. Nga ana tjetër, rritja e taksës nga 3% në 10% që qeveria aplikoi për kompanitë e sigurimeve u shkaktoi këtyre të fundit një humbje prej 2.7 milionë euro. Ekspertët e sigurimeve analizojnë fitimet që kompanitë e sigurimeve kanë pasur për vitin 2015 dhe thonë se, fitimet e këtyre kompanive nuk kanë ardhur nga primet e sigurimeve, por nga të ardhurat dytësore që kompanitë gëzojnë, siç janë fitimet nga investimi në Bono Thesari.
Mesatarja e një dëmi të ndodhur në Shqipëri arrin në rreth 2 mijë euro dëmi material dhe rreth 13 mijë euro dëm shëndetësor. Ndërsa, për humbjen e jetës në aksident dëmshpërblimi varion nga 6 milionë deri në 20 milionë lekë të reja. Dëmi i një aksidenti mund të shkojë deri në miliona euro, në varësi të llojit të aksidentit. Për këtë dëm një qytetar që posedon një automjet paguan 18 mijë lekë të reja në vit. Kjo është një nga argumentet që kompanitë e sigurimeve po japin këto ditë që pas rritjes së taksës të TPL-së.
Mosfunksionimi i sistemit Bonus-Malus penalizon të gjithë qytetarët që paguajnë të njëjtin prim vjetor për automjetin e tyre dhe nuk janë përfshirë asnjëherë në aksident. Vetë kompanitë e sigurimeve shprehen se, funksionimi i këtij sistemi do të ishte në të mirë të vetë kompanive, por edhe të qytetarëve, por deri më tani autoritetet nuk kanë treguar interesin e duhur që ky sistem të vihet në zbatim.
Kompanitë e sigurimeve thonë se taksa 11.5% që aplikohet mbi primin bruto, e paralajmëruar një vit më parë, natyrisht do çonte në ndryshimin e primeve dhe kalkulimet aktuariale automatikisht e çojnë primin mbi këto nivele që aplikohet sot. Gjithashtu ato argumentojnë se aksidentet në 6 muajtë e fundit janë rritur me shifra alarmante dhe raporti prime/dëme ka ndryshur tërësisht, duke patur shumë më shumë dëme sesa prime.
Faktor ndikues në tregun e sigurimeve janë edhe disa kompani, të cilat operojnë jashtë standardeve të kërkuara dhe që disa prej tyre nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të shlyer dëmet që ndodhin, duke çuar në një konkurrencë të pandershme. Kompanitë e sigurimeve argumentojnë se risku që ata marrin përsipër kur marrin në sigurim është me dhjetëra fish më i lartë nga çmimi i një sigurimi që qytetarët paguajnë. Nëse një qytetar paguan 40 euro për një Karton Jeshil, dëmi që ai mund të shkaktojë në një aksident mund të shkojë deri në miliona euro.
Ndaj dhe ekspertët e sigurimeve analizojnë se shqetësimi i vërtetë për qytetarët dhe të gjitha palët që preken, duhet të jetë a paguhen dhe sa paguhen dëmet e ndodhura? A paguhen në kohë këto dëme dhe nëse nuk paguhen përse ndodh një gjë e tillë? Pasi në fund, ky është edhe qëllimi i sigurimit dhe rezultati që u intereson qytetarëve.
Aktualisht kompanitë e sigurimeve kanë një kontribut të konsiderueshëm në Buxhetin e Shtetit dhe një numër që arrin në mijëra qyetarë të punësuar. Nisur nga kjo dhe nga fakti që sipas tyre klientëve u ofrojnë shërbimin me të njëjtat standarde si në Europë, kompanitë e sigurimeve shprehen të pakënaqur dhe kërkojnë që kjo industri të trajtohet nga shteti si në çdo vend tjetër të Europës.

Artikulli paraprakDIBRANET KAPIN NE DRU BLERESIT E VOTAVE
Artikulli tjetërBizneset në krizë ulin konsumin e energjisë me 5.2% në 6-mujorin e parë