Kanabizimi i Shqipërisë, projekt politik i Ramës

Në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim–Asociimit, përfaqësuesit e opozitës u përqendruan tek ajo që e quajnë përgjegjësia e kryeministrit Rama për çështjen e kanabisit. Ata sollën fakte se Rama e dinte, e lejoi, e mbrojti dhe përfitoi pushtet nga kanabizimi i Shqipërisë.
Kryetari i Komisionit të Integrimit, Genc Pollo tha se, deklaratat e kryeministrit për shkatërrimin e 99.67% të kanabisit ishin qesharake dhe të rreme. Pollo tha se në vend është krijuar infrastrukturë kriminale prej kultivimit të kanabisit dhe se rasti i ish-ministrit të Brendshëm tregon lidhjen e bandave me qeveritarët. “Kjo është një sfidë për Shqipërinë dhe njohja e problemit në kohë është e rëndësishme, jo siç ndodhi, duke e mohuar këtë situatë për vite të tëra”, u shpreh Genc Pollo.
Ndërsa deputeti Aldo Bumçi iu referua 3 raporteve të EUROPOL-it,brenda vitit 2017, që thonë se Shqipëria është burimi kryesor i furnizimit të Europës me kanabis. Bumçi iu referua edhe Raportit të Departamentit të Shtetit dhe tha se, “kanabizimi i Shqipërisë është projekt politik i kryeministrit Rama”. “Kryeministri publikisht bënte shaka me ministrin e tij të Emigracionit, kur i thoshte se për ditëlindjen tënde të kam sjellë verë dhe jo hashash, sepse ti nuk e pi”, vuri në dukje Bumçi bisedën e Ramës me Majkon.

Ai përmendi edhe qëndrimin e kryeministrit në një takim publik me fermerët, kur i pyeti se si janë me mbjelljen e hashashit. “Duhet të kuptohet se mbjellja e hashashit në të gjithë Shqipërinë është projekt politik dhe nuk ndodh nga paaftësia e shtetit për ta luftuar”, tha Bumçi në takimin me deputetët e Parlamentit Europian. Bashkëkryetari i Komisionit tëReformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi tha se, konsensusi për Reformën Zgjedhore është jetik për suksesin e saj. Në takimin e përbashkët me eurodeputetët, Bylykbashi vuri në dukje se shitblerja e votës është problemi kryesor për Shqipërinë. Raporti i OSBE / ODIHR e përmend 13 herë fenomenin e blerjes së votave në 2017-ën. Gjithashtu, një studim i financuar nga BE zbuloi se 20% e të anketuarve shqiptarë iu ofruan para dhe mallra në këmbim të votës. Bylykbashi tha se burimi kryesor për blerjen e votave janë paratë që vijnë nga droga dhe korrupsioni qeveritar.
Mendimit të tij iu bashkua edhe deputetja e PD, Albana Vokshi, e cila shtoi se ndryshe nga opozita e mëparshme që sot është në qeveri, ajo aktuale gjithnjë ka mbajtur qëndrim të qartë për hapjen e negociatave, duke i mbështetur ato. “Kemi mbajtur qëndrim të qartë për hapjen e negociatave, pavarësisht qëndrimeve abuzuese të kryesuesve të këtij takimi. Ne do të vazhdojmë të mundohemi të shtyjmë përpara procesin, ndryshe nga opozita e mëparshme. Ashtu siç vepruam për vite të tëra për një prej problemeve më të mëdha që ka sot vendi, kanabizimi.

Qeveria deri para disa muajsh nuk e shihte as si problem drogën. Vetëm aksioneve opozitare janë parë pasojat e rënda të kanabizimit të vendit. Shqipëria është bërë dhe vend kalimi për drogat e forta. Edhe dekriminalizimi ka ndodhur falë nismës së opozitës. Shqipëria nuk ka bërë përparim në uljen e nivelit të korrupsionit. Frika jonë është se të gjithë veprimet që po bën sot qeveria, po shkel të drejtat kushtetuese. Shumë familjeve në varfëri ekstreme po u hiqet ndihma ekonomike”, tha Vokshi.
“Fakti që Shqipëria është duke u përfshirë në pastrimin e parave, që shihet dhe në raportin e Bazelit që Shqipëria është në 10 vendet me rrezikshmëri më të lartë. Këto e bëjnë opozitën të thotë, që hapja e negociatave mund ta bëjë monitorimin e BE-së më të frytshëm për situatën në vend”, u shpreh Jorida Tabaku.

Artikulli paraprakBMI: Një zyrtar i lartë i PS, i përfshirë në trafik droge
Artikulli tjetërFund votëblerjes dhe presionit kriminal ndaj votuesve