Kafshimi i Kushtetutës, rrënja dhe zgjidhja

Besnik ALIAJ

Me rënien e komunizmit, partitë politike në Shqipëri ranë dakord të hartonin një paketë ligjore që do të përbënte shtyllat kryesore të parimeve kushtetuese për kalimin nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut, nga monizmi në pluralizëm dhe krijimin e kushteve për liritë bazë të një shoqërie demokratike. Në vitin 1994 mazhoranca e kryesuar nga PD tentoi në mënyrë të njëanshme miratimin e Kushtetutës së re, por referendumi u kundërshtua nga PS dhe aleatët e saj, për t’u rrëzuar më pas me votë popullore në referendum.
Pas dështimit të firmave piramidale më ’97 dhe kolapsit social-ekonomik që pasoi atë, mazhoranca e kryesuar nga PS ngriti një ekip ekspertësh dhe politikanësh që draftuan po në mënyrë të njëanshme Kushtetutën e re. Kjo e fundit këtë radhë u votua nga populli në referendumin e vitit 1998. Pavarësisht qëndrimeve ndaj kësaj Kushtetute, shkruesit e saj (midis të cilëve edhe disa personalitete të së djathtës) bënë një përpjekje deri diku të lavdërueshme për të bërë një analizë jo thjesht tekniko-juridike, por edhe politike të problemit shqiptar me demokracinë! Thelbi ishte: duke qenë se Shqipëria kishte një spektër politik me dy pole kryesore politike (e majta-PS, dhe e djathta-PD), të cilat tentonin të ishin konfliktuale e përjashtuese ndaj njëra-tjetrës për shkak të dasive të forta historike dhe ideologjike të së kaluarës, u propozua një skemë më e balancuar tripolare.
Poli i tretë i fragmentuar i partive të vogla (të majta, të qendrës e të djathta) u stimulua qëllimisht nga baballarët e Kushtetutës në mënyrë që të nxiste formula fluide koalicionesh paselektorale me synimin pragmatik që të favorizohej një produkt politik dhe një balancë paselektorale sa më konsensuale në favor të paqes sociale dhe mirëkuptimit politik relativ midis palëve. Kjo logjikë imponohej edhe nga emergjenca e ngjarjeve të 97-s. Sot e dy dekada më pas nuk mund të themi se kjo logjikë nuk dha rezultat! Kështu, me gjithë problemet e tranzicionit, nëse ka një periudhë të qartë stabiliteti social-politik dhe rritjeje ekonomike është ajo e viteve 2000-2010 (3-6% rritje e GDP-së në vit). Realiteti politik, treguesit dhe indikatorët social-ekonomikë vendas e ndërkombëtarë, e konfirmojnë këtë! Natyrisht kjo ishte rezultat edhe i logjikës së hartimit të Kushtetutës dhe parimit të saj kryesor demokratik të konkurrimit pa kaluar “vijën e kuqe”.
Por që atëherë shumë ujëra kanë rrjedhur dhe situata sot nuk është kaq e bukur sa dekada e “artë” e viteve 2000. Tashmë kemi gati 6-7 vjet në rënie të qartë ekonomike e demografike, ndërkohë po rizhytemi gradualisht çdo ditë e më shumë drejt konfliktualitetit dhe autoritarizmit politik. Natyrisht një Kushtetutë nuk është shkruar në gur, por në një vend ku funksionojnë institucionet ajo mbetet në thelb një formulë gati e “shenjtë”. Sepse nëse një shoqëri dëshiron të ketë rregulla loje e t’i qëndrojë një projekti afatgjatë kombëtar zhvillimi; nëse një shoqëri bën me veten një pakt social-politik në një moment historik – atëherë respektimi ndaj ligjit themelor të shtetit bëhet kusht jetik për ecjen para! Në këto kushte mbrojtja e Kushtetutës dhe e parimeve e vlerave të saj duhet të ishte një mision për të gjithë faktorët e forcat politike në vend dhe për shoqërinë në tërësi. Por qartësisht ky nuk rezulton rasti jonë! Ndërkohë që vendet më të zhvilluara sot janë aty ku janë, pikërisht për merita të angazhimit e seriozitetit maksimal ndaj kushtetutave të tyre dhe etërve themelues!
Por çfarë ka ndodhur ndërkohë në Shqipëri? Për shkak të interesave të çastit, lojërave politike të momentit dhe mbijetesës së lidershipit politik, Kushtetuta është sakrifikuar sistematikisht. Zgjedhje pas zgjedhje ajo është “kafshuar” pjesë-pjesë, duke e çmontuar atë dhe shpërfytyruar në atë masë sa sot është thuajse pa asnjë lidhje me projektin fillestar për të cilat u projektua e votua gjatë periudhës 1992-1998 dhe për më tepër shumë larg idealit për ta bërë Shqipërinë si gjithë bota e zhvilluar!
Ju besoj e mbani mend “Dushkun” e vogël dhe atë të madh? Ju kujtohet që sa herë kemi zgjedhje ne ndryshojmë Kodin zgjedhor? E mbani mend besoj se si kompetencat kanë lëvizur sa nga Presidenti tek Kryeministri? Ju kujtohet edhe marrëveshja blitz e liderëve të pozitë-opozitës më 2008, si dhe KRRT-ja çuditërisht konsensuale e Tiranës atë kohë? Ju kujtohet besoj edhe “fluturimi” me vrik mbi tavolina dhe greva e urisë e LSI-së me partitë e tjera të vogla? Ju kujtohet edhe votimi i çuditshëm në rresht dhe “pro” i të gjithë deputetëve socialistë e demokratë pa asnjë përjashtim i “skemës zgjedhore rajonale”; në një kohë kur për ligje të tjera dhe pa shumë rëndësi valonin debatet, sharjet, vuvuzelat, bilbilat, grevat dhe bllokimet pa fund në Parlament dhe në bulevard.
Ju e mbani mend padyshim edhe reformën e njëanshme me qëllime të pastra elektorale të ndarjes administrative-territoriale. Ju jeni dëshmitarë edhe se si pas 2008-s zgjedhjet lokale e parlamentare filluan të kishin përsëri probleme dhe të ulnin standardet. Ju e shikoni se pas 2009-s s’ka më asnjë referencë ideologjike dhe programore në asnjë parti dhe në Parlament. Ju e shikoni se sidomos pas 2013-s shkuam përtej të majtës dhe të djathtës dhe vendi u mbyt gradualisht nga droga, ndërsa vetë Parlamenti u mbush me njerëz pa shkollë, pa identitet, pa karakter, plot kriminelë, vrasës dhe tregtarë prostitutash. Ju e shikoni se të shkolluarit, të diturit dhe të mençurit gjjthmonë e më shumë s’kanë më hapësirë në këtë Parlament dhe në këtë vend. Ata detyrohen të emigrojnë ose përndryshe poshtërohen nga media e kontrolluar dhe sistemi supermonopolist i oligarkisë politiko-financiare!
Dhe së fundi ju e mbani mend reformën e famshme të drejtësisë dhe vetingun e trumpetuar aq shumë se do të na sillte begati e që ironikisht duhej të votohej nga vetë ata që supozohet të ndëshkonte. Edhe në këtë rast mes një teatri spektakolar plot fishekzjarre dhe melodrame çuditërisht 140 deputetë votojnë “pro” në rresht për të kafshuar Kushtetutën, shumica pa patur as idenë më të vogël çfarë votuan, për të rënë dakord kokulur me urdhrat nga lart të liderëve politikë dhe ambasadorëve çuditërisht tepër hiperaktivë dhe aspak sovranistë. E gjitha kjo nën presionin e një shantazhi shumë të keq mes vetes dhe nga të huajt. E pra, të gjitha këto “pseudondryshime” kushtetuese të paballafaquara realisht me shoqërinë janë bërë në kurriz të vetë shqiptarëve dhe Kushtetutës origjinale, në kurriz të parimeve themelore të demokracisë dhe transparencës, në kurriz të vlerave dhe projektit tonë kombëtar të aprovuar me mirëkuptim (1992) dhe/ose me referendum (1998). E gjitha kjo është bërë krejt ndryshe edhe nga modelet më të mira të vetë SHBA-së dhe Europës, dhe sot rezulton se lidershipi politik i këtyre 20 viteve të fundit tashmë ka dështuar me turp!
Çuditërisht “ndryshimet” kushtetuese janë bërë edhe nën bekimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Tiranë (sidomos nga 2008 deri sot), të cilët ndryshe nga morali që predikojnë në takime publike, konferenca e projekte zhvillimi të financuara prej tyre, jo vetëm që mbyllen sytë, por në prapaskenë inkurajuan de fakto liderët e partive kryesore drejt finalizimit të një pakti politik thellësisht antikushtetues. Kjo sepse në vend që të vihej gishti dhe të ndëshkoheshin sistematikisht ata që kanë devijuar Kushtetutën, u ndryshua dhe transformua sistematikisht vetë Kushtetuta! Në këto kafshime fatale të Kushtetutës në emër të rritjes së “stabilitetit” dhe përmes promovimit të një sistemi politik “bipartizan”, ndërkombëtarët vetëm sa ndihmuan në konsolidimin përfundimtar të kontrollit të plotë të liderëve politikë mbi partitë politike dhe grupet parlamentare respektive, duke zhdukur në këtë mënyrë përfundimisht garën dhe demokracinë e brendshme të forcave politike, e për të kaluar nga një sistem më i balancuar “tripolar” (edhe pse jo perfekt dhe jo pa korrupsion), në një sistem thellësisht të korruptuar e të kontrolluar për ironi të fatit nga një parti e tretë, tashmë e fuqizuar me pushtetin vrastar të një “king-makeri”. Ky fatalitet konstitucional të kujton ato rastet kur mjeku i paaftë tenton të operojë “kancerin”, por jo vetëm që s’ja del dot, por vetëm sa e provokon atë të përhapet më agresiv duke i shkaktuar vdekje të shpejtë dhe maksimalisht të dhemshme pacientit.
Pikërisht ky operacion dramatik me karakter komploti kushtetues ka kaluar qëllimisht në heshtje dhe indiferencë të plotë për pasojat afatgjata ndaj shoqërisë shqiptare dhe ndaj stabilitetit politiko-ekonomik të vendit! Dhunimi i Kushtetutës në këtë mënyrë vetëm sa riktheu zyrtarisht konfliktualitetin dhe zyrtarizoi rikthimin e djajve të politikës në vend, gjë që gjeneroi edhe rikthimin e mungesës së plotë të besimit, mungesën e stabilitetit social-ekonomik, rritjen e krimit, papunësisë dhe emigrimit! Pikërisht ky “kafshim” i pabesë i Kushtetutës nga aktorët dhe faktorët ekstrapolitikë për interesa të vogla të mbijetesës së çastit është rrënja e problemit dhe mëma e konfliktualitetit që kemi sot. Ndërkohë mekanizmat rregullues-balancues si antidoti i antikushtetutshmërisë ka kohë që janë eksterminuar. Dhe pikërisht aktorët politikë që kanë ideuar dhe realizuar këto deformime kushtetuese janë edhe autorët kryesorë të krizës morale që po na çon sot drejt konfliktit. Pikërisht këta duhet të mbajnë tani përgjegjësitë e jo të bëjnë moral!
Për fat të keq shoqëria shqiptare në asnjë rast nuk është sensibilizuar dhe pyetur për këto ndryshime. Nuk ka patur asnjë fushatë informuese reale, asnjë debat mediatik e publik të sinqertë dhe mbi të gjitha asnjë referendum popullor për një çështje që është përcaktuar që në fillesë përmes institucionit jetik të referendumit nga sovrani! Asnjë nga politikanët, deputetët, konstitucionalistët, gazetarët, opinionistët, aktivistët, ambasadorët apo intelektualët më të shquar në vend nuk kanë guxuar të flasin për këtë çështje (me ndonjë përjashtim të caktuar)! Asnjë nuk ka guxuar të kërkojë minimalisht ndryshime vetëm përmes referendumit! Ky është një fatalitet i madh për ne si shoqëri që e kemi pësuar më së paku një herë në këtë mënyrë! Të prekësh ligjin themelor të shtetit dhe të shoqërisë në mënyrë të njëanshme dhe pa e konsultuar sovranin është një ngjarje shumë e rëndë dhe më e pakta është komplot e tradhti ndaj vlerave të demokracisë dhe kombit. Ndaj jo vetëm lidershipi i “tranzicionit” deri më sot, por të gjithë ata që kanë votuan në këto vite deri në thes pazaret antikushtetuese me “Dushk”, “Lista Rajonale” e “Veting” duhet të ndëshkohen ose largohen vetë një orë e më parë nga politikëbërja dhe vendimmarrja, nëse nuk dëshirojnë që këtë një ditë ta bëjnë turmat. Shkurt nuk kemi nevojë për pseudoreforma dhe kafshim Kushtetute që vetëm sa synojnë komplotin për kapjen e mëtejshme të sistemit. Në të kundërt na duhet të rikthehemi urgjent tek parimet dhe vlerat origjinale të Kushtetutës së miratuar nga sovrani përmes instrumentit legjitim të referendumit në vitet e përmbysjes së madhe e të sinqertë demokratike. Na duhet mbi të gjitha të mbrojmë me fanatizëm Kushtetutën e vërtetë edhe në kohë dallgësh si këto tani! Për këtë na duhet tani një republikë e re, e cila vjen vetëm përmes një përmbysjeje si ajo e viteve ’91-’92 dhe jo zgjedhjeve dhe “demokracise” fasadë alla putiniane. Sa për “Vetingun”: Po, ai na duhet! Por për këtë nuk ka nevojë më për teatër, mjaft të verifikohet kush ka shkelur ligjin themeltar të shtetit duke “kafshuar” Kushtetutën, qoftë edhe duke heshtur apo duke mos guxuar të flasë e kontestojë, thjesht për të qenë në rregull me xhepin, ambasadat, partinë dhe shefin! Këtu fillon pikërisht edhe kthesa e bekuar e zgjidhjes për të korrigjuar vetveten dhe për të rigjetur elektoratin e munguar drejt republikës së re që në fakt të gjithë e duan me dëshpërim. Askush nuk mundet më të komprometojë dot idealin e demokracisë dhe të republikës së re! Kushtetuta e sovranit dhe jo ajo e kulisave është garancia e vetme për këtë! Na duhet një rikthim një orë e më parë tek këto vlera e parime!

Artikulli paraprakRama braktiset edhe në Elbasan, autobusë me nxënës nga rrethet
Artikulli tjetër100 ditët e para të Presidentit Trump