Rama braktiset edhe në Elbasan, autobusë me nxënës nga rrethet

Kryeministri Rama është braktisur edhe nga të rinjtë e Elbasanit në mitingun e tij të paralajmëruar. Ndonëse është ushtruar presion ndaj gjimnazistëve që të dalin në shesh, ata nuk u janë bindur urdhërave politikë. Bëhet e ditur se për të mbushur sheshin ku do të zhvillohej mitingu i Ramës, janë nisur nga Gramshi, Librazhdi, Prrenjasi, Peqini, Cërriku e Belshi dhjetëra autobusë me nxënës dhe të rinj. Rama ka pritur derisa kanë mbërritur të gjithë autobusët me nxënës nga Gramshi dhe më pas ka nisur të flasë para të rinjve që kishin ardhur kundër dëshirës së tyre në miting.
Por për të mbushur sheshin plot dhe për të dalë sa më mirë në ekrane, mësohet se është dhënë urdhëri që të gjitha gjimnazet e Qarkut të Elbasanit të pezullojnë orët e fundit të mësimeve dhe të nisen drejt vendit ku do të zhvillohet takimi me Edi Ramën.
Një gjimnazist nga Gramshi i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke i dërguar edhe një video ku duken disa autobusë me nxënës që nisen nga Gramshi drejt Elbasanit.
“Në pranverën e braktisjes së madhe, nga Gramshi në Elbasan në takim me detyrim me Edvin Kristaq Ramën! Të dashur miq, gjimnazistët e Gramshit lanë sot mësimin dhe mbushën me detyrim katër autobusë për të dëgjuar në Elbasan mashtrimet e reja, me të cilat Nastradin Rama, njeriu që trefishoi tarifat e universiteteve, zëvendëson mashtrimet e tij të vjetra.
Ai në takim deklaron se shumë kemi bërë, por kemi dhe shumë për të bërë, çka do të thotë, shumë kemi mashtruar, por kemi edhe më shumë për të gënjyer!
Më poshtë keni mesazhin dhe videon e gjimnazistit dixhital”, shkruan Berisha.
“Doktor! Dua të njoftoj se, sot në Gramsh kanë lënë mësimin dhe janë nisur me detyrim 4 autobusë me nxënësit e klasave të 10, 11 dhe 12 në takimin që do të bëhet në Elbasan me Edi Ramën. Po ju nis dhe videon”, shkruan gjimnazisti.
Edhe gjimnazet në rrethin e Librazhdit kanë ndërprerë orët e mësimit për të shkuar në mitingun e Ramës në Elbasan. Denoncimi është bërë nga babai i një gjimnazisti, i cili i është drejtuar me një mesazh kryetarit të PD, Lulzim Basha.
“Prsh i nderuar Z. Lul Basha, po ju informoj se sot në Shkollën e Mesme të Bashkuar, fshati Zgosht Librazhd po pezullohen orët e fundit të mësimit, për të dërguar maturantët në Elbasan, si duket do të ketë ndonjë miting. Ju uroj suksese, vazhdo e mos u ndal nga këta hajdutë, presim nga ju, jemi me ju, me shumë respekt. Ju lutem ruani anonimatin, pasi kam fëmijë maturantë”, thuhet në mesazhin e drejtuar Bashës.
Një javë më parë, Rama ishte në Kavajë për të zhvilluar një takim me të rinjtë që votojnë për herë të parë, por edhe këtu të rinjtë nuk e përfillën. Për të mbushur sheshin në qendër të Kavajës, u dërguan dhjetëra autobusë me qindra nxënës dhe të rinj nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushnja e disa rrethe të tjera të vendit. Autobusët e mbushur me nxënës u filmuan teksa po futeshin në Kavajë, ndërsa sheshi ka qenë bosh. Në rrjetet sociale u publikuan disa video, ku dukej autokolona e autobusëve me nxënës nga rrethet, duke mbërritur në Kavajë.
E njëjta situatë ishte edhe në Korçë, Kukës, Kuçovë, Lushnjë, ku të rinjtë nuk pranonin të shkonin në takimin e Ramës. Vetëm pas presioneve të drejtorëve të shkollave, disa nxënës dolën kundër vullnetit të tyre, ndërsa sheshet u mbushën me të rinj të importuar nga rrethet me autobusët e vënë në dispozicion nga Partia Socialiste.
Drejtuesit e shkollave të mesme në të gjithë vendin, të urdhëruar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, po ushtrojnë presion ndaj gjimnazistëve që të shkojnë në mitingjet e Ramës. E urdhëruar nga Rama, ministrja e Arsimit, në kundërshtim me ligjin detyron mësuesit që të dërgojnë gjimnazistët në takimet e Ramës. Për çdo miting elektoral, ka një listë-prezencë ku kontrollohet nëse paraqiten apo jo në takim. Prania e nxënësve në mitingje është tregues i përkushtimit të çdo mësuesi. I vogël dhe i madh, dalin të presin udhëheqësin, që sheshi të jetë plot. Nxjerrja me detyrim e nxënësve në aktivitete elektorale është shkelje e hapur e ligjit, dhe Nikolla një ditë do të përballet me ligjin.

Boçi publikon fotot e autobusëve nga rrethet

Deputeti i PD për Elbasanin, Luçiano Boçi, ka reaguar për dështimin e mitingut të Ramës në Elbasan me të rinjtë që votojnë për herë të parë. Boçi ka publikuar disa foto ku duken autobusët me të rinj që vijnë nga rrethet në Elbasan. Në një postim në Facebook, Boçi shkruan se, autobuzë e furgonë nga Cërriku, Librazhdi, Prrenjasi, Gramshi e Belshi, kanë “pushtuar” sot Elbasanin! “Për nder me nder të Ramës. Ky i krekosur do t’i bërtasë miletit të ri, të sjellë aty:
– Ta gëzoni helmin e inceneratorit!
– Ta gëzoni varfërinë kaq shumë të shtuar këto vite!
– Ta gëzoni papunësinë më të madhe se në çdo rreth tjetër!
– Ta gëzoni murin rrethues falas të shëndetësisë “falas”!
– Ta gëzoni dhe rrugën Tiranë-Elbasan të papërfunduar, me 35 milionë eurot në xhepat e LSI!
– Ta gëzoni dhe lulishten milionëshe që ka dalë si “kalë arrixhiu”!
Në fund do e mbyll me thirrjet:
Rroftë kjo që duam për ju!
Poshtë ajo që duam për vete!”, shkruan deputeti Boçi.

R.POLISI

Artikulli paraprakKryebashkiaku i Librazhdit paditet për vjedhje tokash!
Artikulli tjetërKafshimi i Kushtetutës, rrënja dhe zgjidhja