Industria në krizë, prodhimi rënie për të 9-in tremujor rresht

Instituti i Statistikave njoftoi se prodhimi industrial i Shqipërisë ra për të nëntin tremujor me radhë duke shënuar një krizë të paprecedentë. Sipas INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, vëllimi i prodhimit industrial vendas ra me 11 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të 2015-ës duke konfirmuar krizën e gjatë të sektorit. Të dhënat tregojnë se kriza ka përfshirë të gjithë spektrin e industrisë, si atë nxjerrëse ashtu dhe industrinë përpunuese. Sipas tabelave, në industrinë nxjerrëse, prodhimi ra me mbi 20 për qind, ndërsa në atë përpunuese ai u tkurr me 1.8 për qind. Kriza e industrisë vendase ka nisur që nga tremujori i tretë i vitit 2014. Sipas INSTAT, që pas shtatorit të 2014-ës, prodhimi industrial i vendit ka ardhur gjithmonë në rënie duke pasqyruar krizën e thellë që kalon sektori i naftës dhe ai i minierave, por edhe degët e tjera të industrisë, përfshirë atë përpunuese.

Ekonomia e prapambetur

Shqipëria është vendi me industrinë më të prapambetur në rajon, e cila reflektohet qartë në peshën që ky sektor zë në ekonominë kombëtare. Sipas BERZH, në Shqipëri sektori i industrisë zë vetëm 14 për qind të ekonomisë, ndërkohë që në rajon mesatarja është dy deri në tre herë më e lartë. Përveç Malit të Zi që ka një nivel të ngjashëm, në të gjithë vendet e tjera të Ballkanit pesha e industrisë në ekonomi varion nga 18 deri në 27 për qind. Pesha e ulët e industrisë tregon se Shqipëria ka një ekonomi të prapambetur, e cila bazohet kryesisht tek bujqësia dhe sektorët e tjerë që kanë pak vlerë të shtuar. Produktiviteti i ulët është dhe arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka pagat më të ulëta në rajonin e Ballkanit.

Artikulli paraprakGjykata Administrative, dyfishohet numri i vendimeve, arrin në 1235 çështje
Artikulli tjetërPërkeqësohet indeksi i bankave