Humbjet e energjisë në sistemin e transmetimit llogariten 8 mln euro në vit

Energjia që humbet në linjat e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë vijon të jetë e lartë për shkak të amortizimit të rrjetit. Këto humbje vetëm në sistemin e transmetimit pritet të arrijnë një vlerë prej 8 milionë eurosh në vit. Përllogaritja është bërë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit të energjisë dhe është raportuar pranë Entit Rregullator të Energjisë, i cili aktualisht po merret me konsultimin dhe përcaktimin e një tarife të re të transmetimit për këtë vit. Në bazë të ligjit për energjinë të vitit 2015, OST prokuron energjinë për të mbuluar humbjet që krijohen në rrjetin e transmetimit që përfshin linjat e tensionit të lartë. Sipas relacionit të OST për vitin 2017 humbja e energjisë në rrjet është vlerësuar në rreth 160 milionë kilovatorë. Kjo sasi e energjisë do të blihet me bazë tregu dhe është vlerësuar 160 milionë kilovatorë. Çmimi i energjisë në bursa pritet që këtë vit të jetë mesatarisht 50 euro për MW/h dhe fondi për blerjen e kësaj sasie i korrespondon një vlerë prej mbi 1 miliard lekësh ose 8 milionë eurosh. Sistemi i transmetimit të energjisë elektrike në Shqipëri drejtohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST sh.a), një shoqëri publike me 100% të aksioneve shtetërore. OST është krijuar në korrik 2004, si rezultat i reformimit dhe ndarjes së Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, nga një shoqëri e organizuar vertikalisht me funksione të gjenerimit, transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, në tre shoqëri të veçanta. OST kryen funksionet e Operatorit të Rrjetit të Transmetimit, Operatorit të Sistemit të Dispeçimit dhe Operatorit të Tregut. Operatori i Transmetimit të Energjisë OST ka kërkuar dyfishim të tarifës për periudhën 31 mars-31 dhjetor 2017. Tarifa e kërkuar është 1.17 lekë për kilovatorë nga 0.65 lekë që është aktualisht. Sipas shpjegimeve që vetë OST ka dhënë, rritja e tarifës kërkohet për të realizuar rreth 7,6 miliardë lekë të ardhura që duhen për të mbuluar shpenzimet e aktivitetit. Pas një takimi konsultativ me bizneset e lidhura në 35 kv Ministria e Energjisë ka pranuar kërkesën e tyre për të shtyrë afatet e daljes në tregun e pavarur të energjisë, njoftuan burimet zyrtare në Ministrinë e Energjetikës. Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ashtu sikurse edhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike zhvilluan dje një takim informues dhe konsultues me bizneset që kanë detyrimin për të dalë në tregun e lirë të energjisë. Në mbështetje të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike, OSHEE ka evidentuar 73 subjekte të lidhura në rrjetin 35 kv, të cilat duhet të respektojnë këtë detyrim për të gjetur mundësinë alternative të furnizimit dhe shkëputur nga operatori publik. Aktualisht ka përfunduar procesi i instalimit të matësve në këto subjekte dhe po vazhdon miratimi i kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm që këto biznese të mund të furnizohen në tregun e lirë. Gjatë diskutimeve që u realizuan, Ministria e Energjisë dhe Industrisë pranoi kërkesën e këtyre bizneseve për t’u dhënë pak më shumë kohë në dispozicion për shkëputjen nga OSHEE. Afati i mundshëm i përfundimit të të gjithë këtij procesi do të jetë data 30 qershor 2017. Ligji përcakton gjithashtu afatin dymujor në të cilin këtyre subjekteve u garantohet furnizimi nga OSHEE në cilësinë e furnizuesit të mundësisë së fundit.

Artikulli paraprakFitojnë Fiorentina, Shakhtar e Lyon
Artikulli tjetërRaporti i KLSH, si e shkatërroi Rama Institutin e Monumenteve të Kulturës