Faturat e energjisë 40% më të larta, si po vjedh OSHEE qytetarët

Nuk mjaftoi që rriti çmimin e energjisë elektrike, por qeveria dhe OSHEE po mbifaturojnë qytetarët nga 30 deri në 40 për qind më shumë se konsumi që ata kanë harxhuar. Informacion për mbifaturimet e energjisë vijnë nga të gjitha rrethet, ku qytetarët ankohen për çmimin e kripur të faturës, e cila në më të shumtën e rasteve ose nuk korrespondon me atë që tregon sahati, ose vendoset aforfe. Familje pensionistësh me dy anëtarë u kanë ardhur fatura prej 12 mijë apo 15 mijë lekë të reja, për shkurtin dhe janarin, megjithëse në më të shumtën e rasteve kanë zgjedhur si alternativë ngrohjeje gazin si për ngrohje ashtu dhe për gatim. Eshtë një formë tjetër e rrjepjes së qytetarëve. Ata shprehen se, pasi ankohen, u kërkohet që të paguajnë një herë faturën më pas të shohin për ndonjë ulje në faturën e muajit pasardhës.

Shpërdorimet

Burime nga OSHEE shprehen se mbifaturimi i qytetarëve është zgjedhur si formë për të mbyllur gropën energjetike që ky institucion ka ndaj të tretëve, KESH, OST apo operatorëve privatë. Në vitin 2015 u ndërrmor një aksion masiv i energjisë për borxhet e prapambetura, ku qindra qytetarë përfunduan burgjeve, ndërsa rreth 12 të tjerë vranë veten si pasojë e presionit policor dhe faturës së pabërballueshme. Të dhënat zyrtare shprehen se nga ky aksion u arritën të mblidheshin rreth 30 miliardë lekë. Para të cilat qytetarët morën dhe kredi që t’ia paguanin Ramës. Por në rast se vëren statistikat, borxhi ka ndejtur thuajse në të njëjtat nivele sidomos për sa i përket KESH dhe OST. Me paratë e mbledhura u paguan një pjesë e operatorëve privatë që prodhojnë energjinë të afërt me energjinë, por borxhi ndaj KESH mbeti në nivelet e 37 miliardë lekëve. Në total borxhi nga 99.3 miliardë lekë,  që ka OSHEE zbriti vetëm me 6 miliardë lekë. Nuk dihet ende ku kanë përfunduar 24 miliardë lekë të tjera nga 2015-ës, por shifra të përafërta nga mbledhja e prapambetur e borxheve raportohen dhe për vitin 2016. Investimet kanë qenë minimale ose të papërfillshme, ndërsa blerja e energjisë nga jashtë është reduktuar dhe për shkak të reshjeve të mira që ka shoqëruar në këto dy vite. Burime nga OSHEE shprehen se, paratë ose vidhen me anë të tenderave fiktivë, ose përfundojnë për të mbyllur gropën e doganave dhe tatimeve, e cila thellohet nga viti në vit. Gjiknuri do të dilte me të madhe në fillim të këtij viti të thoshte se, arkëtimet e energjisë shkuan 125 miliardë lekë vitin që shkoi, por nuk dha shpjegim pse janë dhënë vetëm 6 miliardë lekë në tre vjet për të mbyllur borxhin energjisë.

Vjedhja

Me sa shihet, zgjidhja janë sërish qytetarët. Mbifaturimi po bëhet për të mbuluar humbjet, jo nga mospagesat, por këtë herë nga vjedhja e hapur që po bëhet në këtë kompani. Një grusht njerëzish kanë privatizuar gjithçka. Jo më kot, Rama do të thërriste nga Durrësi një marifetçi për këto punë siç është Adrian Çela, ish-nënkryetar i Bashkisë së Dakos. Ky i fundit, ishte dhe ndër flamurtarët për votimin e vettingut, kur deklaronte se duhej votuar sa më shpejt.  Eshtë i habitshëm fakti se si të gjithë personat, të cilët janë më së shumti të akuzuar për korrupsion në instancat shtetërore kërkonin me një urgjencë të pashpjegueshme një reformë, e cila godiste gjyqësorin. Çela dhe këtë herë duket se e ka gjetur zgjidhjen, duke mbifaturuar njerëzit, të cilët janë të detyruar të japin 30-40 për qind të të ardhurave për të shlyer faturat e kripura. Një tregues i qartë i vjedhjes së hapur dhe në mes të ditës që po ndodh në një nga sektorët më jetikë të vendit siç është energjia.

KLSH: OSHEE po rrjep qytetarët, por refuzon të shlyejë borxhet

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se kompanitë publike OSHEE, KESH dhe OST kanë korrur fitime të rëndësishme, por kanë refuzuar të shlyejnë borxhet. Raporti i KLSH-së evidenton si kompaninë më problematike OSHEE-në. Sipas KLSH-së, këto tre operatorë duhet të hartojnë një program të saktë për shlyerjen e borxheve sipas afateve të përcaktuara në marrëveshjen e ratifikimit të huasë. Ministria e Energjetikës ka publikuar raportet për fitimet e kompanive publike të energjisë, ku sipas të dhënave tre kompanitë publike, OSHEE, KESH dhe OST në total kanë një fitim rreth 14,2 miliardë lekë ose 104 milionë euro. Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, është shprehur se hapat që janë ndërmarrë kanë krijuar një efekt pozitiv në financat publike. Nga ana tjetër, borxhet e ndërsjellta të operatorëve publikë janë në nivele tepër të larta. Borxhet e të tretëve ndaj OSHEE-së janë ulur, por mbeten të larta. Në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, detyrimi i mbetur i OSHEE ndaj CEZ AS, deri më datë 20 shtator 2016, është 5.8 mld lekë – konstaton KLSH. Sipas përcaktimit në ligjin nr.170/2014, “Për ratifikimin e Marrëveshjes së huasë”, KLSH ka vërejtur se nuk ka një studim të saktë, mbi prognozën e ecurisë së shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella, veçanërisht në skedulin e pagesave dhe objektivave të vendosura ndaj OSHEE. Gjithashtu OSHEE, OST dhe KESH, të hartojnë një program të saktë për pagesat e detyrimeve të ndërsjella, sipas afateve të caktuara në projektin e rimëkëmbjes”, shkruhet në raportin e KLSH. Megjithëse Shqipëria për herë të parë në 2016 ishte një eksportuese neto e energjisë, ka patur një rënie të konsumit të energjisë në vend. Konsumi i energjisë është ulur me 2.3% në 2016-ën. Të dhënat krahasuese, shkruan “Monitor” tregojnë, se është ulur konsumi nga konsumatorët e mëdhenj që janë biznese,  konsumi i të cilave ra me 17% më 2017. OSHEE-ja më herët këtë çështje e ka raportuar si një tendencë e konsumatorëve, të cilët nuk shpërdorojnë energjinë elektrike, për shkak të shtrëngimit të politikave dhe grumbullimit të faturave. Por të dhënat e vitit të fundit tregojnë, se rënia erdhi nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë (bizneset e mëdha).

PD: Qytetarët po paguajnë 50% më shumë se sa harxhojnë

Alarmin për mbifaturimin e energjisë elektrike do e jepte Partia Demokratike që në fillim të shkurtit, me anë të sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma. Përmes një deklarate për mediat, Grida Duma tha se për shkak të mbifaturimeve, qytetarët sot paguajnë 50% më shumë energjinë elektrike, një fenomen i cili duket se nuk ka të ndalur edhe sot kur data shënon 4 prill. Edi Rama nuk u mjaftua vetëm me rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët, por edhe i mbifaturon ata. Me mijëra ankesa kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria për abuzimet me faturat e energjisë elektrike. Qytetarëve u është dashur të paguajnë 50% më shumë se kostoja reale e energjisë së konsumuar. Qytetarët thonë se, pasi ankohen, u thuhet paguajeni një herë, dhe flasim muajin tjetër. Kjo është vjedhje, nuk ka emër tjetër. Edi Rama jo vetëm e rriti çmimin e energjisë elektrike, por vazhdon t’i vjedhë qytetarët dhe bizneset. Ata që nuk janë të lidhur me qeverinë, se miqtë e qeverisë nuk paguajnë. Dhe atë që nuk paguajnë miqtë e qeverisë, e nxjerrin tek qytetarët, duke i mbifaturuar. Jo vetëm rriti çmimin e energjisë, por Edi Rama la për muaj të tërë në errësirë familjet pa asnjë të ardhur, sepse nuk paguanin dot energjinë dhe shtyu drejt vetëvrasjes shumë kryefamiljarë. Më 18 shkurt ne duhet të protestojmë për mashtrimin, abuzimin dhe vjedhjen që Edi Rama po u bën shqiptarëve. Më 18 shkurt duhet të protestojmë në emër të Klajdi Muçës, Arif Dodës, Barbulla Pepës, Resmie Allës, Qamil Zelës, Llazar Nasit, Altin Myftarit, Gjovalin Gjinit, që u vetëflijuan dhe vdiqën nga të ftohtët, sepse nuk paguanin dot dritat. Më 18 shkurt të protestojmë për qindra kryefamiljarë të papunë që nuk kanë para për të siguruar energjinë elektrike për fëmijët e tyre. Më 18 shkurt të ndalim padrejtësinë dhe me votë të lirë t’i hapim rrugën një qeverie për qytetarët.

Artikulli paraprakLiberalizohet tregu energjetik
Artikulli tjetërRënia e interesave, bonot 12-mujore zbresin sërish poshtë 2%