Rënia e interesave, bonot 12-mujore zbresin sërish poshtë 2%

Interesat e bonove të thesarit regjistruan një tjetër rënie në ankandin e kësaj jave. Bonot me maturim 12-mujor zbritën sërish poshtë nivelit të 2%, për herë të parë që nga nëntori i vitit të kaluar. Interesi mesatar i ponderuar ishte 1.79%, në rënie për të gjashtin ankand radhazi. Interesat ranë edhe për bonot me maturim 6-mujor, në nivelin 1.52%, nga 1.7% që kishin qenë në ankandin e muajit të kaluar. Ulja e interesave po vjen kryesisht si rrjedhojë e një kërkese të lartë të tregut financiar për të investuar në instrumentet e borxhit qeveritar. Nga 12.2 miliardë lekë bono të ofruar në ankande nga Ministria e Financave, kërkesat totale arritën në afro 14.1 miliardë lekë. Në një masë të caktuar, rritja e investimeve të bankave në bono mund të lidhet me një periudhë më të vakët të kreditimit të sektorit privat. Megjithatë, për ekspertët shpjegimi kryesor mund të jetë roli i Bankës së Shqipërisë. Ata mendojnë se në rritjen e kërkesës për bono mund të ketë ndikuar shtimi i likuiditetit të injektuar në treg nga Banka e Shqipërisë, përmes marrëveshjeve të riblerjes. Pasi qeveria vuajti në fund të vitit të kaluar për të siguruar financimin e nevojshëm në lekë, mesa duket, Banka Qendrore ka ndërhyrë për të rritur përkohësisht likuiditetin në treg, çka ka sjellë rrjedhimisht edhe një ulje të interesave. Ulja e interesave të bonove, për momentin, i ul presionet për rritjen e interesave të depozitave dhe kredive bankare. Çmimi i parasë në sistem duket se do të ngelet i lirë edhe gjatë këtij viti, si përcjellje e politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë e rritjes ende nën potencial të ekonomisë.

Artikulli paraprakFaturat e energjisë 40% më të larta, si po vjedh OSHEE qytetarët
Artikulli tjetërAlitalia në grevë, pezullohen 60% e fluturimeve, 5 me Shqipërinë