Liberalizohet tregu energjetik

Liberalizimi i tregut energjetik në Kosovë ka nisur në fillim të këtij muaji. Këtij procesi i ka paraprirë miratimi i pakos së tretë të ligjeve për energji në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, ligje këto në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian. Adelina Murtezaj Bajrami, zyrtare për marrëdhënie me publikun në Zyrën e Rregullatorit për Energji, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se liberalizimi i tregut i mundëson konsumatorëve që të zgjedhin në mes furnizuesve (operatorëve) të ndryshëm që operojnë në treg. “Gjenerimi i energjisë dhe furnizimi do t’i nënshtrohen tregut të lirë dhe roli i Rregullatorit do të jetë mbikëqyrës, duke siguruar se të gjithë aktorët zbatojnë rregullat e tregut të lirë dhe nuk lidhin marrëveshje në dëm të interesit të konsumatorëve. Me këtë qëllim, tashmë ZRRE ka licencuar edhe dy furnizues të tjerë përveç KESCO Sh.A,HEP sh.a dhe GSA sh.a”, thekson Murtezaj – Bajrami. Ndërkohë distribuimi dhe transmisioni si bartës të energjisë elektrike janë funksione monopolistike dhe do të jenë gjithmonë të rregulluara. Përderisa prodhimi dhe furnizimi i energjisë do të jenë funksione që i nënshtrohen tregut të lirë.

Artikulli paraprakRritja e çmimeve më 2016-n, 78% u krijua nga ushqimet
Artikulli tjetërFaturat e energjisë 40% më të larta, si po vjedh OSHEE qytetarët