Euro në krizë, paralajmërohet rënie e mëtejshme gjatë verës

Ulja e euros në nivele minimale duket se është një trend që do të vijojë edhe përgjatë muajve të verës pasi kthimi i emigrantëve dhe depozitat e tyre në valutë të huaj do të mbajnë këtë linjë. Ekspertët e ekonomisë, shprehen për faktorët ndikues të rënies së valutës. Në dy muajt e fundit është vënë re një rënie në nivele shumë të ulëta të euros deri në 134 lekë. Depozitat e emigrantëve, sipas ekspertëve, është një ndër to. “Faktori i parë kryesor ka qenë një tërheqje disi e lartë e depozitave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, kryesisht Greqi. Nga ana tjetër jo pak emigrantë shqiptarë në Europë, kursimet e të cilëve e kanë të pamundur të investohen me kthim pozitiv, jemi në interesa negative në Europë, shohin të vetmen shpresë për të mbajtur në nivelin zero kursimet e tyre, sjelljen në Shqipëri të këtyre parave”, thekson eksperti i ekonomisë. Vijimi i situatës ku euro ka prani të madhe të saj është një trend që po shkon në kah të kundërt me politikën e Bankës së Shqipërisë për deeuroizimin e ekonomisë shqiptare. “Ky ndikim kaq i fortë në kursin e këmbimit të monedhës vendase prish në njëfarë mënyre të gjithë ato parashikime dhe punën e madhe që bën Banka e Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve. Duhet të kemi parasysh se një kurs këmbimi i denatyruar nga forcat e mëdha të tregut patjetër që prish ekuilibrat e çmimeve, efekteve të inflacionit”, bëjnë të ditur ekspertët e ekonomisë. Ata thotë se euro edhe në muajt e verës do të qëndrojë në nivele të ulëta, duke qenë edhe muajt kur emigrantët sjellin shumë monedhë të huaj në sistemin bankar. “Nisur nga situata aktuale e zhvillimit të gjërave në Shqipëri, ky tranzicion dhe ndikimi i ngjarjeve politike përveçse e shtyjnë këtë lloj ngërçi në ekonomi, pasojat do të theksohen dhe do të ndihen jo vetëm gjatë muajve të verës, por dhe në shtator ose deri në fund të vitit. Ekonomia nuk mund të përshtatet me ditë, por mund të dojë muaj dhe vite”, shprehen ekspertët e ekonomisë. Përgjatë çdo viti, në muajt e verës vihet re një trend për uljen në nivele minimale të euros.

Artikulli paraprakShqipëria ka mungesë të ndërmarrjeve të mëdha
Artikulli tjetërYee: SHBA distancohet nga politikat e Sorosit në Ballkan