Është punë kafshate, monstër!

Nga Erl KODRA

Ushqimi ndahet në kafshata. Kafshatat ndahen në troha të vogla buke, produkti bazë për qeniet njerëzore që mundëson jetën tonë. Vetëm të vdekurit nuk hanë, nuk vishen, nuk kërkojnë asgjë, përveç kujtimit të përkorë.

Ne shqiptarët kemi qenë një popull i panginjur. Të uritur dhe të frustuar.

Do të tregoj një histori personale.

Ishin vitet e tetëdhjeta. Unë isha një adoleshent 19 vjeç, më i madhi i familjes. I internuar politik, bashkë me vëllezërit e mi. Gjithë ditën duhej të hapja kanale në ara. Tetë metër kub gurë e dhe ishte norma ditore. Pothuaj çdo fund pesëmbëdhjet ditëshi, mbaronin paratë. E shtynim me shpirtë në dhëmbë.

Më kujtohet se ishte ditë nëntori. Kishim tre ditë pa bukë në familje. Kur them pa bukë, e kam në kuptimin e parë të kësaj fjale, domethënë, asgjë, fare, zero. Vetëm ujë çezme.

Kërkova para borxh. Një burrë i mirë që na ndihmonte gjithmonë, ishte larguar nga fshati. Shpirt’këputur vendosëm të presim ditën kur do të merrja rrogën, 2500 lekë të vjetra. Por duhej të shkoja në punë, përndryshe, edhe atë mund ta humbisja (sic!); për të dhënë llogari tek Sekretari i Partisë, Shefi i Kuadrit dhe Brigadieri.

Kur vinte dreka, dhe të gjithë të tjerët mblidheshin në një cep are, unë shkoja larg, sa më larg që mundesha. Pastaj rikthehesha tek lopata me baltë, për të përmbushur normën ditore prej 8 metër kub gurë e dhe.

Ditën e tretë m’u sosën fuqitë. Lopata më dukej 100 kilëshe, ndërsa në gojë më erdhi një shije e hidhur. M’u errën sytë, më lëshuan këmbët. Djersë të ftohta më kishin mbuluar ballin.

U përmenda në qendrën shëndetsore të fshatit. Një burrë, edhe ai i internuar, më kishte mbajtë në krahë për rreth një orë. Aty më kishin bërë injeksione me glukozë.

Kur hapa sytë e kuptova se ku isha.

– Jam helmuar – i thash burrit të internuar.

– E shoh – më tha duke qeshur, – por ishte dashtë me tregue që je helmuar. Budallë i vogël.

Më vonë ai burri erdhi në shtëpi. Kishte ble bukë, makarona, djathë, sheqer. Atë natë u ngopëm me bukë. Rëndshëm.

***
Bota po shembet. Vendet e pasura janë tronditur, ndërsa vendet e varfra po shemben nën dhe.

Ne shqiptarët jemi mbyllur brenda shtëpive, në përpjekje për të mbrojtur jetën tonë. Por ndërkohë ne po rrezikojmë të kalojmë në një nivel tjetër, në një lloj gjendje transi dhe të padëgjuar çmendurie.
Bota jonë po mbyllet, po tkurret, po bëhet sa një grusht.

Këtu vjen në pyetje shteti shqiptar 108 vjeç. Shteti i shqiptarëve. Shteti ynë.

Shteti. Shteti. Shteti.

Shteti ka mundësi. Shteti është pronari i taksave. Ne paguajmë për gjithçka, edhe kur blejmë, edhe kur hamë, edhe kur udhëtojmë, edhe kur flejmë. Paguajmë edhe kur marrim frymë.

Dhe paratë i grumbullon shteti, në një arkë të madhe, të cilën e menaxhon Kryeministri Edi Rama që prej vitit 2013, pasi ka menaxhuar më herët, për 11 vite me rradhë paratë e Tiranës.

Unë nuk jam një person miqësor me Kryeministrin. Madje njëherë e kam pasë lidhë dhe shtri figurativisht në tavolinën time të punës, duke e torturuar si dreqin. Por në fund e fala kukudhin. Nejse.

Por kam një këshillë thellësisht “miqësore”.

Kështu si e ke nisur, po rrezikon “lëndën e parë”, domethënë, “lënda e parë” mund të çmendet, mund të shkallojë, mundet të kthehet në zombie, dhe të të hajë të gjallë ty bashkë me Lindën. Sepse janë të uritur, o “BABA”.

Ti e ke zgjidhjen. Mundesh t’u japësh nga një kafshatë asfalti nga ai i Unazës. Ose t’u japësh nga një tullë nga ato të Kullave. Ose nga një analizë check-up-i.

Mundesh të shpërndash gjysmën e 2 miliard eurove të hashashit. Ose të 630 kg kokainë. Ose të marrësh një kredi tek ABI Bank. Ose t’a shkundësh pak Arben Ahmetaj, tingrin tënd gjysmagjel.

Mundesh të thërrasësh ortakët, t’u kërkosh të bëjnë një sakrificë të vogël. Kudo që janë, brenda dhe jasht Shqipërisë. Në burg, në qeveri, në parlament; me një kërkesë të vetme:

Hajdeni të shpëtojmë “Lëndën tonë të Parë”, nga prishja, nga degradimi, nga çmenduria.

Dhe bëje shpejt, sepse nesër do të të hanë të gjallë.

Kësaj herë nuk është punë propagande, sepse gjendja është serioze.
Edhe Blend Fevziu e ka kuptuar.
Good luck!

Artikulli paraprak33 viktima më shumë se dje nga Covid-19 në Itali
Artikulli tjetërOBSH: Cilat janë kategoritë më të rrezikuara nga koronavirusi