Ekonomia ngadalësohet në 2023, u rrit me 3.44%, konsumi në nivelet më të ulëta që nga pandemia, nuk ndihmohet nga turizmi

Ekonomia shqiptare është rritur me ritme të ngadalta në 2023, pavarësisht përshpejtimit në gjysmën e dytë të vitit.

Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2023, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, shënoi një rritje prej 3,44% krahasuar me vitin 2022.

Në krahasim me vitin 2022, kur PBB-ja u rrit me 4.85%, rritja është 1.42 pikë përqindje më e ulët.

Ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe administrata publike kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes në 2023, ndërsa industria dhe bujqësia shënuan tendencë negative. Ndërkohë, konsumi nuk u nxit nga viti më i mirë turistik historik, ku vendin e vizituan mbi 10 milionë shtetas të huaj.

Konsumi i popullatës u rrit me vetëm 2.96% në 2023, nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë. Madje në gjysmën e dytë të vitit, kur kulmon turizmi, konsumi u rrit me ritme shumë të ngadalta (2.21% në tremujorin e tretë dhe 1.55% në të katërtin).

 

Ekonomia përshpejtohet në tremujorin e katërt, nga ndërtimi dhe administrata publike, por konsumi në nivelin më të ulët nga pandemia

Ekonomia ka shfaqur shenja përshpejtimi në tremujorin e katërt të vitit duke u rritur me 3.8% me bazë vjetore, sipas të dhënave të INSTAT. Por, rritja ka ardhur nga sektori i ndërtimit dhe administrata publike, që në muajin e fundit të vitit alokoi rreth 40% të fondeve të shpenzimeve kapitale që kishte planifikuar për gjithë vitin.

Në kahun tjetër, konsumi, një element i rëndësishëm i ndikimit në ekonomi është ngadalësuar ndjeshëm në tremujorin e katërt, duke reflektuar efektet e emigracionit, si dhe shpërndarjen e pabarabartë të rritjes ekonomike. Konsumi u rrit me vetëm 1.55% në tremujorin e katërt, nga 2.22% në të tretin, duke qenë në nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë.

Ndërkohë, INSTAT ka rishikuar në rritje edhe  treguesin e rritjes ekonomike për tremujorin e tretë, nga 3.46 që ishte në publikimin e mëparshëm, në 3.83% në raportin e fundit. ndërsa tremujori i dytë është rishikuar në ulje, në 3.29, nga 3.38 në publikimin e mëparshëm.

Sipas INSTAT, në rritjen e tremujorit të katërt kanë ndikuar ndërtimi dhe administrata publike.

Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: Ndërtimi me +1,28 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me +1,01 pikë përqindje, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0.66 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,58 pikë përqindje, Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me +0,46 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,28 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,15 pikë përqindje, Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +0,07 pikë përqindje.

Dy sektorët më të rëndësishëm për ekonominë, bujqësia dhe industria ishin me rënie.

Sipas INSTAT, Negativisht kontribuoi grupi: Bujqësi, Pyje dhe Peshkim me -0,72 pikë përqindje, Industri, Energji dhe Uji me -0,23 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me +0,27 pikë përqindje.

Sipas INSTAT, Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie prej 3,07%. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rënie me 2,03%. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 10,80%.

Pavarësisht se sezoni turistik është zgjatur, ndikimi i tij në tregti, transport e akomodim ka qenë minimal. INSTAT raportoi se grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 0,38%.

Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 8,81%. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 7,50%. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 10,33%. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me rritje prej 10,78%.

Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 8,82%. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati rritje me 21,42%.

 

pbb1
Burimi: INSTAT
kons graf
Burimi: INSTAT
rrd
Burimi: INSTAT
gf
Burimi: INSTAT

fig 1


Revista Monitor

Artikulli paraprakAmnistia, Agalliu: Kushti i PD-së ishte që të amnistoheshin të gjithë protestuesit, qeveria futi në draft edhe individë që hetohen nga SPAK
Artikulli tjetërPa strehë dhe mbështetje: Shqipëria dështon të mbrojë viktimat e dhunës në familje