Pa strehë dhe mbështetje: Shqipëria dështon të mbrojë viktimat e dhunës në familje

Anila Hoxha

 

Në fillim të shkurtit, Lindita* vjen vërdallë në dyert e Gjykatës Penale të Tiranës në kërkim të avokates për të nxjerrë të shoqin nga burgu, thuajse dy javë pasi e kishte denoncuar atë për dhunë në familje.

Gruaja është 35 vjeç, nënë e dy vajzave dhe në fytyrë mbart ende gjurmë të zbehura mavijosjeje. Megjithatë, ajo është e shqetësuar pse i shoqi vazhdon të mbahet në qeli edhe pas tërheqjes së saj nga urdhri i mbrojtjes.

“Im shoq punon dhe pavarësisht se më rreh, e ka këtë problem kur pi, nuk do më vuajnë fëmijët urie,” thotë ajo me dëshpërim.

Lindita e denoncoi të shoqin më 14 janar, mbrëmjen e ditëlindjes së saj, pasi u godit me grushta vetëm pse e pyeti se ‘ku kishte qenë’. Ky ishte vetëm një nga shumë episodet e dhunës – gruaja thotë se ishte rrahur që në fillimet e martesës së saj 14-vjeçare.

Por 35-vjeçarja i tha BIRN se pati mendime të përziera menjëherë pas denoncimit dhe u përball me frikën se mos fëmijët do t’i mbeteshin mes katër rrugëve. Në kushtet kur paga e saj me zor mjafton për të paguar qiranë e banesës në Tiranë, gruaja u vu në lëvizje për kthimin e dhunuesit në shtëpi.

Rreth e qark Shqipërisë ka me mijëra gra të tjera që kanë përjetuar dhe vazhdojnë të përjetojnë dhunë nga partnerët e tyre, por hezitojnë të denoncojnë ose rikthehen me dhunuesit për shkak të kushteve të vështira sociale dhe ekonomike.

Mbështetja nga shteti për viktimat e dhunës në familje është gjithashtu e papërfillshme.

Edhe pse legjislacioni shqiptar parashikon mekanizma mbrojtës dhe programe mbështetjeje për strehimin dhe punësimin e viktimave të dhunës në familje, vetëm 1/5 e tyre trajtohen me ndihmë ekonomike, ndërsa masat për riintegrimin afatgjatë të tyre në shoqëri janë pothuajse inekzistente.

Të dhënat e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi nga 47 prej 61 bashkive të vendit tregojnë se vetëm 12 bashki kanë akses në strehëzat emergjente, ndërsa pjesa tjetër përballet me vështirësi për sistemimin e tyre pas episodeve të dhunës.

Ndërkohë, nga rreth 7 mijë raste të trajtuara në pesë vitet e fundit, vetëm 3.4% e grave të dhunuara përfituan bonus qiraje.

Dështimi i institucioneve shtetërore për të siguruar mbështetje për viktimat e dhunës në familje është sipas ekspertëve të ligjit, arsyeja kryesore që po mban gjallë kulturën e dhunës në shoqëri.

“Viktimat kthehen te dhunuesi vetëm e vetëm për faktin se nuk shikojnë rrugëdalje, nuk shikojnë mbështetje nga organizmat, qoftë nga organet shtetërore apo nga organizatat jo-fitimprurëse që e kanë për detyrë të realizojnë një gjë të tillë,” thotë Vjosa Zaimi, gjyqtare e seksionit familjar në Gjykatën e Tiranës.

Pa mbështetje

Dhuna brenda familjes prek në masën dërrmuese gratë dhe vajzat në Shqipëri dhe konsiderohet një shkelje e rëndë e së drejtës themelore për jetë, shëndet dhe siguri personale. Ky fenomen është gjithashtu një tregues i pabarazisë dhe cenon të drejtën e grave për pjesmarrje në shoqëri.

Policia e Shtetit regjistron çdo vit rreth 5 mijë raste të dhunës në familje në të gjithë vendin, ku rreth 75% e rasteve janë gra, bën me dije një raport auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Gjatë 15 viteve të fundit llogaritet se 33 828 persona u pajisën me urdhër mbrojtjeje për shkak të dhunës në familje të ushtruar nga njëri prej anëtarëve – shifër që tregon se minimalisht 5 për qind e familjeve shqiptare janë të prekura nga dhuna.

“Pjesën dërrmuese të këtyre urdhrave e morën gratë, fëmijët dhe vajzat. Më pas konstatohen edhe prindërit e moshuar, të cilët kërkuan një urdhër mbrojtjeje nga njëri prej fëmijëve,” thotë Gent Mullai, zëdhënës i Policisë së Shtetit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila është autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e ligjit për masat e dhunës në marrëdhëniet familjare, i tha BIRN se qeveria kishte rritur dhe përmirësuar shërbimet në dobi të viktimave të dhunës.

‘Menjëherë pas konstatimit të dhunës, bashkitë ofrojnë shërbime emergjente dhe afatgjata që lidhen me mbrojtjen, rikuperimin nga dhuna, fuqizimin dhe riintegrimin e viktimave të formave të ndryshme të dhunës në shoqëri,” tha Ministria, duke iu referuar funksionimit të Mekanizmit të Referimit të Dhunës pranë pushtetit vendor.

Por ndryshe nga ç’pretendon qeveria, një audit performance i vitit 2023 i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se kapacitetet kombëtare shtetërore për strehimin e grave – viktima të dhunës në familje janë shumë të limituara.

Sipas raportit, shteti ka vendosur në dispozicion në viktimave të dhunës vetëm 30 shtretër në nivel kombëtar për strehimin emergjent dhe 32 shtretër të tjerë për akomodim afatgjatë nga mijëra gra që denoncojnë dhunën çdo vit.

Rekordet për programet e tjera të strehimit pranë bashkive janë edhe më të ulëta – KLSH vlerëson se gratë e dhunuara përfitojnë bonus të qirasë në raste jashtëzakonisht të rralla.

Problemet e shumta në trajtimin e viktimave të dhunës i pranojnë edhe bashkitë, të cilat u justifikuan me buxhetet e vogla, kapacitetet e limituara dhe mungesën e strehëzave apo të shtëpive me qira në favor të kësaj kategorie.

Mentaliteti është një tjetër faktor pengues në riintegrimin e viktimave të dhunës, i cili sipas disa prej bashkive ndikon që grave të dhunuara dhe në konflikt me bashkëshortët të mos u jepet shtëpi me qira apo punë.

Bashkia e Tiranës, më e madhja e vendit, i tha BIRN se kishte trajtuar 3388 viktima të dhunës në familje gjatë viteve 2020-2023; por vetëm 25 prej tyre kishin përfituar bonus qiraje dhe 5 të tjerë nga programi i subvencionimit të kredisë.

Në bashkinë e Durrësit, mbështetja afatgjatë për viktimat e dhunës në familje është në shifra më të ulëta; nga 518 familje të trajtuara me bonus strehimi vetëm 9 janë kryefamiljare të divorcuara dhe me urdhër mbrojtjeje në të njëjtën periudhë.

Bashkia e Kurbinit thotë se problematika më e madhe është strehimi i viktimave të dhunës, pasi edhe nëse sigurohen fondet, qiradhënësit nuk preferojnë që t’u japin shtëpinë me qira.

“Gratë e dhunuara pas denoncimit të parë në komisariat tërhiqen dhe rikthehen në situatën e dhunës për shkak të mentalitetit,“ thotë bashkia në një përgjigje me shkrim.

Bashkitë e Memaliajt në jug dhe Malësisë së Madhe në veri kanë të dyja mungesë fondesh për këtë kategori sociale, por thonë se i kanë trajtuar viktimat e dhunës në familje falë ndihmës së PNUD.

Bashkia e Skraparit ka pasur gjithashtu zero lekë të parashikuara për viktimat e dhunës në familje gjatë katër viteve të fundit, ndonëse ishin referuar 21 persona me urdhër mbrojtjeje.

Edhe Bashkia e Dibrës në verilindje të vendit i ka duart e lidhura për të mundësuar strehimin dhe punësimin e grave – viktima të dhunës në familje.

“Pavarësisht dëshirës, bashkia nuk ka kapacitete të mjaftueshme për strehimin e tyre. Ndërsa për çështjen e punësimit, pronarët e biznesve nuk duan të krijojnë problematika dhe kjo vjen si pasojë e mentalitetit,” tha bashkia e Dibrës në një përgjigje me shkrim.

‘Të qëndrosh te burri’

Kepucet e kuqe instalacioni ne nder dhe perkujtim te grave viktima te dhunes patriarkale 1 scaled
Instalacioni “Këpucët e Kuqe” kundër dhunës ndaj grave. Foto: BIRN.

Gjyqtarja Vjosa Zaimi e Gjykatës së Tiranës ka trajtuar mjaft raste të dhunës në familje gjatë punës së saj dhe thotë se kishte hasur raste kur gratë e dhunuara shkojnë deri në derën e gjykatës, por nuk futen në sallë, për shkak se ndjehen të kërcënuara nga familjarët e bashkëshortit. Sipas saj, numri i grave që tërhiqen nga paditë nuk është i vogël, edhe pse vazhdojnë të pranojnë se janë dhunuar.

“Thonë kemi arsye social-ekonomike. Ndonjëherë [tërhiqen] nga ndërhyrjet e familjarëve të bashkëshortit për të mos përhapur konfliktin, ose nga ndikimi i familjes së origjinës, që i bëjnë presion dhe i thonë ‘duhet të qëndrosh te burri,” shpjegon Zaimi.

Zaimi thotë se tregohet e kujdesshme për të mos i mbyllur padi të tilla, pasi kostot që paguajnë viktimat e dhunës në familje pasi heqin dorë nga urdhri i mbrojtjes janë të larta.

“Ngërçi që pason nga heqja dorë prej urdhrit të mbrojtjes është mosofrimi i mbështetjes ekonomike dhe mosdalja nga dhuna,” theksoi Zaimi.

“Unë e shikoj në praktikë tonë… se mund ta kem gjykuar një person qoftë dy, tre, katër herë dhe në raste të tilla ndodh që edhe herën e dytë të kërkojë të tërhiqet,” shtoi ajo.

Gjatë vitit 2023, Shërbimi Përmbarimor në Shqipëri mori për ekzekutim 1039 urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje, por 194 çështje ose 18% e rasteve u pushuan për shkak të tërheqjes së viktimave. Për urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes, niveli i çështjeve të pushuara shkon mbi 26% të rasteve.

Hezitimin e grave për të denoncuar apo për t’u qëndruar deri në fund denoncimeve të tyre e konstatojnë edhe koordinatorët e bashkive.

Arjola Gjuta, koordinatore e dhunës në familje në bashkinë e Kamzës në periferi të Tiranës thotë se çdo javë merr mesatarisht 3-4 telefonata nga policia për të asistuar në rastet e dhunës, por një pjesë e konsiderueshme zgjedhin që të pajtohen me dhunuesin pas momentit të parë të konfliktit.

“Vështirësia më e madhe është momenti që viktima nuk do të marrë asnjë lloj shërbimi, refuzon shërbimin,” tha Gjuta. “Mbasi është pajtuar me dhunuesin ose ka edhe presion nga ana e familjarëve të saj ose të dhunuesit,” shtoi ajo.

Tërheqja e viktimave nga denoncimi është vetëm një nga problemet e Bashkisë së Kamzës. Sipas Gjutës, edhe gratë që i qëndrojnë padive përballen me vështirësi për strehimin, pasi dalin nga strehëzat e emergjencës.

“Kjo nuk ndodh për shkak të mungesës së shërbimeve nga bashkia apo OJF me mbështetje të bonusit të qirase, por për shkak se zona nuk ka banesa qe jepen me qera në mënyrë të rregullt kundrejt një kontrate qiraje,” shtoi ajo.

Megjithatë, ka edhe gra që nuk tërhiqen dhe sakrifikojnë shumë për të gjetur drejtësi.

Dy vjet më parë, Bora* – nënë e një fëmije – denoncoi bashkëshortin për dhunë në polici, por kur u përball me gjykatën për urdhrin e mbrojtjes, thotë se gjyqtari e paragjykoi dhe i kërkoi vazhdimisht prova për dhunën.

“Gjyqtarit iu deshën më pak se 2 minuta konsultim për të më rrëzuar kërkesën për urdhër mbrojtjeje me argumentin se unë po keqpërdorja ligjin për të ndarë çështjen e pronës,” thotë ajo duke e mohuar këtë pretendim.

Pas rrëzimit të kërkesës së parë, gruaja vazhdoi të përballej me presionin e partnerit dhe e denoncoi sërish atë për dhunë. Pas peripecive 2-vjeçare me drejtësinë, Bora thotë se i shoqi do të përballet më në fund me gjykatën për akuzat e ngritura.

Të zhveshura nga prona  

Përveç dhunës nga partneri, gratë në Shqipëri përballen edhe me forma të tjera të presionit në familjet e tyre të origjinës, veçanërisht për çështje që lidhen me pronësinë. Mijëra prej tyre vazhdojnë t’i nënshtrohen një tradite partriarkale, që i përjashton ato nga trashëgimia e pasurisë.

Sipas Dhomës Kombëtare të Noterisë, 5853 gra hoqën dorë nga e drejta e pronësisë gjatë viteve 2020-2023 në Shqipëri dhe vendosën t’ua lënë pjesën e tyre takuese vëllezërve apo prindërve. Mes tyre, 795 gra ishin të divorcuara.

Edlira* është një nënë 46-vjeçare e divorcuar, e cila ndodhet prej një dekade nën presionin e vëllezërve për të hequr dorë nga pjesa takuese e shtëpisë së prindërve të saj të ndjerë në Tiranë.

Gruaja ka pasur një martesë të shkurtër të vështirë dhe punon në fasoneri për të rritur dy vajzat e saj. Ajo tregon se u kthye në shtëpinë e prindërve në vitin 2009, pas konflikteve të vazhdueshme me të shoqin që i zhyti në borxhe për shkak të varësisë së tij nga bixhozi.

“Babai kur u ktheva që mos të kisha konflikt me vëllezërit më ndërtoi një dhomë e një si banjë të veçuar. Por isha e qetë vetëm pak kohë, vëllai i vogël një e dy sulej e nxehej me mua, më godiste. Filloi më thoshte se duhej të kisha qëndruar tek burri,” shtoi ajo.

Me babanë gjallë, Edlira thotë se e përballoi presionin e vëllezërve, por pas vdekjes së tij gjendja u bë e padurueshme.

“Ku të veja, as shtëpi, me dy vajza të vogla me një burrë që nuk u përgjigj për fëmijët asnjëherë. Rroga ime nëpër fasoneri sa për të ngrënë bukë e sa për të rritur ato fëmijë, po çfarë të bëja,” shton ajo.

Privimi nga e drejta e pronësisë në familjen e origjinës konsiderohet një nga faktorët që i mban gratë në pozita diskriminuese dhe më të dobëta sesa burrat.

Sipas noteres Elona Saliaj, gratë përballen gjithashtu me dhunë psikologjike për të hequr dorë nga kjo e drejtë.

“Nëse ndodh e kundërta dhe vajzat kërkojnë çfarë u përket, gratë ndeshen në një bllokim, mohim, presion duke ju thënë ‘je e vetmja që po vepron kështu në fis’ apo ‘pas kësaj askush nuk do të flasë me gojë,” thotë Saliaj.

“Në këto raste, edhe nënat gjenden në një lloj presioni, pasi u kërkohet të mos komunikojnë me vajzën, mbajnë qëndrimin e meshkujve,” shtoi ajo.

Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushi i tha BIRN se pavarësisht se mohimi i pasurisë për vajzat vazhdon të mbetet një problem, situata po ndryshon me kalimin e kohës. Kjo për shkak të përmirësimit të Kodit të Familjes, por edhe të trajnimeve të vazhdueshme të noterëve për çështje të aspektit gjinor.

“Ende kemi raste të heqjes dorë nga trashëgimia, që e bëjnë vajzat në favor të vëllezërve për pasuritë e prindërve,” tha Sadushi, ndërsa shtoi: “megjithatë nuk paraqitet e njëjta situatë pronësore në Tiranë”./ reporter.al

*Emrat e grave të intervistuara janë ndryshuar për të ruajtur anonimatin.

Artikulli paraprakEkonomia ngadalësohet në 2023, u rrit me 3.44%, konsumi në nivelet më të ulëta që nga pandemia, nuk ndihmohet nga turizmi
Artikulli tjetërNgritja e komisionit për dezinformimin, Flutura Açka akuza mazhorancës: Mos ky vit do të jetë një vit gjuetie për mediat