Brexit, po tani çfarë ndodh?

Pak ditë nga atentati në Westminster dhe nga festimet e 60-vjetorit të Traktatit të Romës, Bashkimi Europian siç e kemi njohur deri më tani rrezikon që të mos ekzistojë më. Në fakt, Londra i ka dorëzuar dje njoftimin Brukselit për të nisur negociatat që do ta nxjerrin jashtë Bashkimit Europian. Bile, në synimet e Kryeministres Theresa May, do ta nxjerrin edhe jashtë nga tregu i përbashkët, me pasojën që do të duhet t’i rishkruajë nga e para raportet me Bashkimin Europian. Kjo është pikënisja që duket se hedh dritë mbi perspektivat negociuese, por që në të vërtetë lë të hapura shumë të panjohura: mbi çfarë shtyllash do të bazohet raporti i ardhshëm midis Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar? Cili është pozicioni zyrtar i Brukselit? Çfarë rreziqesh dalin për unitetin e Mbretërisë së Bashkuar? A ekzistojnë rreziqe për “exit”-e të tjera nga Bashkimi Europian? Për momentin, zëri që është dëgjuar më shumë është ai i Londrës, që me një White Paper ka komunikuar dëshirat e saj. Mbetet për t’u parë nëse dhe deri në çfarë pike Bashkimi Europian do të dijë të tregohet i bashkuar në negociata apo do t’i tregojë shpinën një strategjie të mundshme britanike “divide et impera”.

Mbretëria e Bashkuar, menjëherë jashtë Bashkimit Europian?
Siç është njoftuar prej kohësh, Theresa May u ka njoftuar dje institucioneve europiane qëllimin e Mbretërisë së Bashkuar për ta lënë Bashkimin Europian. Por nuk është nga ky moment që nis edhe numërimi së prapthi 2-vjeçar brenda të cilit Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian duhet të gjejnë një marrëveshje mbi strukturën e marrëdhënieve të tyre të ardhshme. Në fakt, njoftimi britanik nuk është gjë tjetër veçse hapi i parë i një rrugëtimi formal kompleks. Me marrjen e njoftimit, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk do të duhet t’u dërgojë një propozim pozicioni negociues kancelarive të 27 shteteve anëtare. Kështu, negociatat do të mund të fillojnë vetëm kur Këshilli Europian prej 27 anëtarësh do vihet në dijeni formalisht për qëllimet e Mbretërisë së Bashkuar, në seancën tashmë të caktuar më 29 prill. Në këtë takim të 27 do të duhet të gjejnë një marrëveshje unanime për secilën prej pikave të veçanta të pozicionit negociues të Bashkimit Europian; një hap jo domosdoshmërisht i marrë si i mirëqenë, po të kihet parasysh gjendja aktuale e marrëdhënieve midis vendeve europiane. Nëse formalisht negociatat do të duhen të zgjasin 24 muaj, palët realisht do të kishin 18 muaj për të negociuar një marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuara, për t’ia paraqitur më pas propozimin Këshillit Europian, Parlamentit Europian dhe atij britanik për diskutim dhe ratifikim. Duhet kujtuar se limiti 2-vjeçar për të negociuar raportet e reja midis Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar ndodhet në nenin 50 të traktateve, që përcakton se një skadencë e tillë mund të shtyhet vetëm me unanimitet. Pasoja është e natyrshme: edhe një shtet mund ta kërcënojë Londrën për t’i vendosur veton shtyrjes nëse disa prej kërkesave të saj (për shembull, lidhur me mobilitetin e punëtorëve të vet) të mos pranoheshin. Për t’u nënvizuar, veç të tjerash, se votimi në gjirin e Këshillit Europian lidhur me marrëveshjen finale nuk ka nevojë në fakt për unanimitet. Në këtë rast do të rezultojë më e vështirë që pak vende mund ta bllokojnë marrëveshjen, në rastin ku, për shembull, do të kishin marrë premtime të favorshme nga ana e Londrës.

Midis Londrës dhe Brukselit, çfarë negociatash të mundshme?
Në White Paper e 2 shkurtit Kryeministrja May ka saktësuar se Brexit nënkupton edhe dalje nga tregu i përbashkët. Veç të tjerash, ka sqaruar se nuk synon të optojë për modele tashmë të adoptuara në të kaluarën, si ai zviceran apo norvegjez. Do të thotë në fakt – mesa duket – që të negociojë një marrëveshje krejtësisht të re që do t’i mundësonte Londrës të ketë akses në tregun e përbashkët si për mallrat, ashtu edhe për shërbimet e saj, duke filluar nga ato financiare, që e bëjnë City e Londrës një prej pikave financiare më të rëndësishme të botës. Kjo duke siguruar gjithsesi të drejtën për të kufizuar qarkullimin e punëtorëve. Vështirë që një opsion à la carte si ky mund të pranohet nga Bashkimi Europian. Veç të tjerash, kjo mund të bindë vende të tjera që të avancojnë kërkesa të ngjashme. Në çdo rast, për momentin ai që është dëgjuar është pothuajse ekskluzivisht zëri i Londrës. Për të dëgjuar zërin europian do të duhet të pritet botimi i pozicionit negociues zyrtar të Bashkimit Europian. Ato që influencojnë mbi rezultatin e negociatës do të jenë ngjarje kyçe si zgjedhjet në Gjermani, Francë dhe Itali. Përshtypja është se rezultati i Brexit, më shumë se nga negociatat midis Londrës dhe Brukselit, do të varen se çfarë Bashkimi Europian dhe me sa shpejtësi do të ndërtohet në dy vitet e ardhshme.

Humbja e Londrës, pse nuk është një lajm i mirë?
Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar përfaqëson sot 17% të PBB-së europiane. 44% e eksporteve britanike është drejt vendeve anëtare të Bashkimit Europian, një përqindje shumë më domethënëse nëse kihet parasysh se eksporti drejt Shteteve të Bashkuara peshon vetëm për 17%. Pesha e Europës lehtësohet në 62% në qoftë se kihen parasysh marrëveshjet e tregtisë së lirë të negociuara nga Bashkimi Europian me vendet e treta dhe anëtarët e hapësirës ekonomike europiane, nga të cilat Londra përfiton. Veç kësaj, kryeqyteti britanik sot mirëpret rreth 5500 operatorë financiarë, që përdorin 336000 pasaporta financiare për të operuar në vendet e tjera europiane. Për më tepër, Mbretëria e Bashkuara është eksportuesi më i madh neto i shërbimeve financiare, duke kaluar edhe Shtetet e Bashkuara. Lidhur me këtë, në rast se Brukseli nuk do t’i lejonte operatorët britanikë të ushtronin aktivitet në brendësi të Bashkimit Europian, është për t’u sqaruar se ku do të shkojnë të vendosen këta operatorë financiarë që kishin zgjedhur Londrën si seli të tyren në brendësi të tregut të përbashkët. Qytete të ndryshme europiane – midis të cilëve Milano – janë shprehur të gatshëm për ta zëvendësuar Londrën. Nëse kjo do të duhej ta humbiste pasaportën financiare, disa shërbime më parë të caktuara Citi praktikisht do të spostoheshin në qytete të tjera europiane. Por, duke pasur parasysh natyrën globale të tregjeve financiare, është gjithsesi e mundur se ato që do të përfitonin mund të jenë edhe pika të tjera jashteuropiane, nga Nju Jorku në Shanghai. Do të bëhej fjalë për një humbje sa për Londrën, aq edhe për Bashkimin Europian. Së fundi, nuk duhet harruar se shpesh Britania e Madhe është investuar në institucionet komunitare për të favorizuar pozicione liberiste dhe thjeshtëzimin e normave europiane. Stimuj, të cilëve mund t’u ndjehet mungesa në Bashkimin Europian të ardhshëm.

Çfarë të ardhmeje për rezidentët europianë në Mbretërinë e Bashkuar?
Qytetarët europianë rezidentë në Mbretërinë e Bashkuar sot janë 3.2 milionë. Rreziqe potenciale janë për t’u individualizuar në vendimet e ardhshme të Londrës respektivisht të drejtave të tyre, sidomos në fushën e shëndetësisë dhe të pensioneve. Dyshime të mëdha kanë të bëjnë në fakt me 200000 qytetarë të tjerë europianë që nuk banojnë në mënyrë të përhershme në Mbretërinë e Bashkuar. Në veçanti bëhet fjalë për 120000 qytetarë që kërkojnë aktualisht punë në Mbretërinë e Bashkuara, të cilëve u shtohen 51000 punëtorë të shkëputur nga kompani me seli në shtete të tjera anëtare dhe 27000 persona të tjerë që – sidomos për motive pune – kalojnë çdo ditë kufirin midis Irlandës dhe Irlandës së Veriut. Për të gjithë këta, e ardhmja është e paqartë dhe e drejta e tyre e qëndrimit në territorin britanik do të varet ngushtësisht nga rezultati i negociatës midis Londrës dhe Brukselit.

Çfarë impakti në nivel ndërkombëtar?
Për momentin, efekti Brexit në skenën ndërkombëtare duket i kufizuar. Rreziqe të larta duken sidomos të lidhura me rolin e Europës në botë. Në fakt, Bashkimi Europian rrezikon që të mbyllet tepër në vetvete për ta mbyllur çështjen britanike. Por, nga ana tjetër, mungesa e Mbretërisë së Bashkuar mund të përshpejtojë integrimin ushtarak në fushën e mbrojtjes, gjithmonë e përçmuar nga Londra, edhe pse vendet europiane nuk kanë ndërmarrë ende veprime konkrete në këtë aspekt, pavarësisht premtimeve të kohëve të fundit (të përfshira edhe në Deklaratën e Romës e 25 marsit) dhe presionet amerikane për një pjesëmarrje më të madhe në shpenzimet e NATO-s. Ajo që është e sigurtë është se me Brexit Bashkimi Europian do të humbasë një prej dy vendeve të tij me arsenal bërthamor, përveçse një anëtar të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe vendin që prej vitesh shpenzon më shumë në sektorin e mbrojtjes. Veç kësaj, Mbretëria e Bashkuar rrezikon nga ana e saj që të gjendet e shtrënguar dhe me pak hapësira manovrimi në një epokë në të cilën duket se dominojnë blloqe dhe aleanca të mëdha. Edhe ideja për ta rilançuar marrëdhënien speciale me Shtetet e Bashkuara dhe me Komonuelthin duket jorealiste. Ka probabilitet që kjo lloj aleancash, fryt i shekullit të kaluar, sot nuk mund të ushtrojë më influencën e dikurshme dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse e copëzojnë përpjekjen britanike për ta rritur rolin e saj në skakierën ndërkombëtare.

Çfarë impakti ndaj qasjes politike të Mbretërisë së Bashkuar?
Lidhur me këtë ekzistojnë dy paqartësi: një mbi qeverinë qendrore, tjetra mbi “administratat e decentralizuara”, në veçanti Skocia dhe Irlanda e Veriut. Në frontin e parë qeveria konservatore e Theresa May gëzon sot hapësira të mëdha manovre për shkak të kësaj krize të dyfishtë, në të majtë të saj të laburistëve të udhëhequr nga Jeremy Corbyn dhe të djathtën e saj të Partisë për Pavarësinë (UKIP). Megjithatë, në brendësi të tyre konservatorët janë të ndarë midis atyre që kanë qenë gjithmonë në favor të Brexit dhe atyre që kanë qenë kundër dhe sot u duhet që të negociojnë me Europën. Veç kësaj, gëlojnë polemikat lidhur me tranzicionin që ka bërë Theresa May të zëvendësojë David Cameron pa një pasazh elektoral. Në frontin e dytë, duhet kujtuar se më 2014 55% e skocezëve ishte rreshtuar në favor të qëndrimit të tyre brenda Mbretërisë së Bashkuar, por më 2016 62% kishte votuar për të qëndruar në Bashkimin Europian. Nicola Sturgeon, udhëheqëse e Scottish National Party, ka treguar synimin e qartë për të mbajtur një referendum të dytë lidhur me pavarësinë skoceze. Në kuptimet e Scotland Act – që rregullon raportet midis Anglisë dhe Skocisë – një referendum mund t’i lejohet Edinburgut vetëm nëse, pas miratimit të Parlamentit skocez (të ndodhur dje), mocioni miratohet edhe nga Dhoma e Lordëve dhe nga ajo e Komuneve të Londrës. Së fundi, e gjitha kjo do të duhet t’i paraqitet Mbretëreshës, të cilës i takon formalisht fjala e fundit. Parlamenti i Westminster mund ta bllokojë kështu kërkesën skoceze, ama duke filluar një përplasje politike të paprecedent. Duhet mbajtur në konsideratë edhe situata në Irlandën e Veriut, ku një krizë e rëndë politike ka çuar në zgjedhjet e 2 marsit me rezultat konfirmimin e ngërçit midis partive kryesore. Ngërç që deri mund ta çojë vendin në votime në muajin maj. Në këtë situatë politike të brishtë, unionistët veriirlandezë (pro Londrës) kanë frikë se mos Brexit zgjon nacionalistët, duke vënë në diskutim Marrëveshjen e së Premtes të Shenjtë të vitit 1998.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakSfidat globale të ditëve të sotme
Artikulli tjetërEksperienca afër vdekjes, çfarë përjetoi Moorjani?